Aziri: Gjykata Kushtetuese po përcjellë frymë anti-shqiptare
Gjykata Kushtetuese gjithmonë përshtatet sipas mendimeve të pushtetit, e cila për momentin po përcjell frymë anti shqiptare. Në këtë mënyrë deputeti i Frontit Europian, Elmi Aziri komenton vendimin e kushtetueses për balancuesin, shkruan Alsat. “Mendoj se Gjykata Kushtetuese edhe në këtë rast e përcjell frymën e përgjithshme politike e cila është apo mbizotron në Maqedoninë […]
Gjykata Kushtetuese gjithmonë përshtatet sipas mendimeve të pushtetit, e cila për momentin po përcjell frymë anti shqiptare.
Në këtë mënyrë deputeti i Frontit Europian, Elmi Aziri komenton vendimin e kushtetueses për balancuesin, shkruan Alsat.
“Mendoj se Gjykata Kushtetuese edhe në këtë rast e përcjell frymën e përgjithshme politike e cila është apo mbizotron në Maqedoninë e Veriut. Ne mund ta quajmë lirisht një frymë destruktive anti shqiptare, frymë që po i del problem edhe me fqinjët, por edhe me Brukselin. Është interesatn se kësaj qeverie nuk po I del problem veç me Beogradin dhe me Budapestin dhe me Kinën”, tha Elmi Aziri, deputet i Frontit Evropian.
Aziri në intervistë për Alsat paralajmëroi se do t’i japin mbështetje propozim ligjit të paralajmëruar nga VLEN për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Pavarësisht se Aziri tha që Fronti Europian është unik, megjithatë ai paralajmëroi se deputetët e ASH-së së Selës nuk do t’i mbështesin ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale.
“Deputetët e ASH-së kanë treguar publikisht se nuk do ta përkrahin votimin e ndryshimeve ligjore për ligjin për vetëqeverisje lokale”, theksoi Elmi Aziri, deputet i Frontit Evropian.
Qëndrimi i Frontit cili është, thatë se jeni unik?
“Ne jemi unik por keni parasysh se Fronti Europian nuk është bërë bashkë për të bërë politika ditore ose për të bërë makinacione politike. Fronti është bërë bashkë për t’i bërë ballë tendencës për deshqiptarizimin e Institucioneve. Çështjet e politikës ditore që na dalin para vetes mund të kemi mendime të ndryshme”, u shpreh Elmi Aziri, deputet i Frontit Evropian.
Nga ana tjetër deputetët e BDI-së nuk e kanë përjashtuar opsionin e mbështetjes. Ligji për vetëqeverisje lokale është në procedurë parlamentare. Me këtë ligj parashihet të zgjidhet problemi me komunat të cilat kanë mbetur pa kryetar dhe drejtohen nga ushtrues detyre, Aerodromi, Gostivari dhe Saraji./ Alsat.mk