Bajram Rexhepi: Kontrata për ndriçimin publik – marrëveshja më skandaloze në historinë e Tetovës

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në një konferencë për media ka denoncuar kontratën 15-vjeçare që Komuna e Tetovës ka nënshkruar me një The post Bajram Rexhepi: Kontrata për ndriçimin publik – marrëveshja më skandaloze në historinë e Tetovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

shtator 29, 2025 - 13:30
 0
Bajram Rexhepi: Kontrata për ndriçimin publik – marrëveshja më skandaloze në historinë e Tetovës

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në një konferencë për media ka denoncuar kontratën 15-vjeçare që Komuna e Tetovës ka nënshkruar me një operator privat për ndriçimin publik të qytetit, duke e cilësuar atë si një nga marrëveshjet më skandaloze të historisë së qytetit.

Sipas tij, kontrata e nënshkruar më 17 nëntor 2023 parashihte që brenda gjashtë muajve të zëvendësoheshin 8.720 llamba ekzistuese me llamba smart LED, por ky afat ka kaluar dhe qytetarët ende nuk e kanë ndriçimin modern të premtuar.

“Sot jemi para jush për të denoncuar një nga kontratat më të turpshme dhe skandaloze të nënshkruara ndonjëherë në Komunën e Tetovës, kontratën 15-vjeçare me një operator privat për ndriçimin publik të Tetovës, të nënshkruar më 17 nëntor 2023. Ky afat ka kaluar prej kohësh, por Tetova sot ende nuk ka ndriçim të modernizuar dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturat e ndriçimit si më parë,” deklaroi Rexhepi.

Ai theksoi se përfitimet financiare janë të njëanshme dhe shkojnë pothuajse të gjitha në xhepat e operatorit privat.

“Nga 12 milionë denarë në muaj që mblidhen nga taksa për ndriçim publik, 85% shkon në xhepat e operatorit privat, ndërsa vetëm 15% mbetet për Komunën. Kjo do të thotë rreth 144 milionë denarë në vit ose 2,34 milionë euro, ku afër 2 milionë euro çdo vit i shkojnë kompanisë private. Në periudhën 15-vjeçare, kjo kompani do të inkasojë mbi 29 milionë euro nga paratë e qytetarëve të Tetovës, ndërkohë që investimi i saj fillestar është vetëm 4,4 milionë euro. Një plan i pastër për pasurim të padrejtë mbi kurrizin e qytetarëve,” tha Rexhepi.

Sipas tij, kontrata përveç kostos së lartë sjell edhe rreziqe të tjera serioze:

  1. Rritja e çmimit të energjisë – nëse çmimi i energjisë rritet mbi 20%, faturën e paguan Komuna, pra qytetarët.
  2. Monopol 15-vjeçar – ndriçimi publik i Tetovës mbetet i bllokuar tek një operator i vetëm, pa mundësi alternative.
  3. Pasuria publike në rrezik – pajisjet kalojnë në pronësi të Komunës vetëm pas 15 viteve, duke e mbajtur qytetin peng të kompanisë private.
  4. Mundësia e transferimit të kontratës – marrëveshja përmban një nen që lejon transferimin e saj tek kompani të tjera me pëlqimin e Komunës.

“Kjo kontratë nuk ka asnjë legjitimitet publik. Ne do ta shfuqizojmë shumë shpejt, sepse nuk do të lejojmë që pasurimi i një kompanie dhe individëve të vihet mbi interesin publik dhe mbi të ardhmen e Tetovës,” paralajmëroi kandidati i AKI-së.

Në fund të fjalës së tij, Rexhepi dha një mesazh të prerë:

“Pazareve me pasurinë publike të kësaj udhëheqësie të kriminalizuar komunale po u vjen fundi! Tetova u takon qytetarëve, Tetova nuk shitet e as blihet.” Flaka Media

The post Bajram Rexhepi: Kontrata për ndriçimin publik – marrëveshja më skandaloze në historinë e Tetovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .