Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025

Raporti i Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit ka paraqitur të dhëna edhe për ekonominë e Kosovës. Në raport thuhet se në vitin 2025 presionet nga inflacioni janë rikthyer, të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ulur kështu të ardhurat reale të disponueshme. Në raport thuhet se pas një rritjeje

tetor 7, 2025 - 17:30
 0
Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025
Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025

Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025

Raporti i Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit ka paraqitur të dhëna edhe për ekonominë e Kosovës. Në raport thuhet se në vitin 2025 presionet nga inflacioni janë rikthyer, të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ulur kështu të ardhurat reale të disponueshme.

Në raport thuhet se pas një rritjeje prej 4.4 për qind në vitin 2024, ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2025, për shkak të uljes së konsumit të familjeve dhe dobësimit të kërkesës së jashtme.

Tutje thuhet se vonesat e zgjatura në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë përparimin në reformat strukturore.

Në raport po ashtu thuhet se pagat reale u rritën me 10.3 për qind në vitin 2024, të mbështetura nga një rritje e pagës minimale, por punësimi formal u rrit vetëm në mënyrë modeste, me një mesatare prej 1.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025.

Edhe investimet u forcuan, me formimin bruto të kapitalit që u rrit me 13.6 për qind, duke nxitur aktivitetin në ndërtimtari dhe industri përpunuese, ndërsa shërbimet financiare u zgjeruan përkrah kërkesës në rritje.

Kërkesa e fortë e brendshme gjithashtu nxiti rritjen e importeve, të cilat u rritën me 14.5 për qind në pesë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar një rritje prej 12 për qind të eksporteve.

“Dërgesat nga diaspora dhe investimet e huaja direkte dhanë vetëm mbështetje të kufizuar, duke shënuar rritje përkatësisht prej 3.5 për qind dhe 3.6 për qind deri në maj”, thuhet tutje.

Kërkesa e lartë e brendshme, përfshirë rritjen e konsumit të qeverisë, së bashku me çmimet në rritje të ushqimeve, pijeve, energjisë elektrike dhe shërbimeve, nxiti inflacionin në gjysmën e parë të vitit 2025.

“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, duke e çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3 për qind. Edhe inflacioni bazë u rrit gjatë kësaj periudhe, duke arritur një mesatare prej 1.5 për qind deri në korrik 2025”, thuhet në raportin e BB-së.

Rreziqet fiskale dhe ato në sektorin financiar mbeten të kufizuara, duke ofruar një sfond të qëndrueshëm për ekonominë, pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

“Pozicioni fiskal vazhdon të mbështetet nga taksat e forta mbi shpenzimet aktuale, së bashku me ekzekutimin më të lartë të investimeve publike, të cilat pritet të mbajnë deficitin fiskal rreth 1 për qind të PBB-së midis viteve 2026 dhe 2027.

Një pjesë e raportit e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me perspektivën dhe pasigurinë.

“Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ngadalësojnë zbatimin e agjendës së reformave strukturore dhe të vonojnë aksesin në financim të jashtëm, përfshirë Planin e ri të Rritjes së BE-së”, thuhet tutje.

Raporti thekson se emigrimi i vazhdueshëm është pengesë për rritjen, ndërsa potenciali i pashfrytëzuar vendas, veçanërisht i grave, mund të zhbllokohet duke rritur pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore.