Banka Popullore e RMV-së bankave u ka përgatitur udhëzime dhe broshura për personat me shikim të dëmtuar

Banka Popullore po i përforcon aktivitetet për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të veçanta duke e lehtësuar qasjen e tyre në shërbime financiare. Për këtë qëllim banka qendrore ka hartuar Udhëzime për përfshirje më të madhe të personave me aftësi të veçanta si konsumatorë në sektorin bankar, të cilat përfshijnë një lehtësim më […]

dhjetor 18, 2024 - 08:00
 0  6
Banka Popullore e RMV-së bankave u ka përgatitur udhëzime dhe broshura për personat me shikim të dëmtuar
Banka Popullore e RMV-së. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Banka Popullore po i përforcon aktivitetet për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të veçanta duke e lehtësuar qasjen e tyre në shërbime financiare. Për këtë qëllim banka qendrore ka hartuar Udhëzime për përfshirje më të madhe të personave me aftësi të veçanta si konsumatorë në sektorin bankar, të cilat përfshijnë një lehtësim më të madh të qasjes fizike në lokalitetet e bankave dhe instalimin e platformave digjitale, përfshirjen në dizajnimin e produkteve bankare, si dhe informim më të mirë të këtyre përdoruesve të shërbimeve bankare, transmeton Portalb.mk.

Banka Popullore gjithashtu ka hartuar dhe ka botuar një broshurë të dedikuar për personat me shikim të dëmtuar, e cila do të kontribuojë për edukim më të mirë financiar të tyre dhe për informim më të mirë për të drejtat e tyre.

Në prezantimin e Udhëzuesit dhe broshurës në Bankën Popullore, që u mbajt para përfaqësuesve të bankave dhe institucioneve kompetente, guvernatorja Anita AngellovskaBezhoska u dërgoi mesazh institucioneve dhe bankave që bashkërisht të ofrojnë integrim dhe mbështetje për personat me aftësi të veçanta në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë këtu edhe në sferën ekonomike dhe financiare.

“Edhe pse bankat e pranojnë nevojën për përshtatje të mënyrave të përdorimit të shërbimeve nga personat me aftësi të veçanta, anketa e realizuar nga Banka Popullore në fillim të vitit 2024 ka nxjerrë në pah se nevojitet një numër më i madh i sporteleve dhe bankomateve të përshtatura për personat me aftësi të veçanta, si dhe rampa që do ju mundësojnë atyre që të hyjnë në objektet bankare. Nevojitet një përmirësim i kornizës ligjore në këtë fushë, pra duhet të përgatiten akte të brendshme që do të sigurojnë qasje më të mirë në shërbimet financiare për personat me aftësi të veçanta.

Sipas përgjigjeve të dhëna në anketë bankat shumë rrallë mundësojnë materiale reklamuese për personat me aftësi të veçanta, kredi specifike të dizajnuara për këtë grup të qytetarëve, si dhe programe të veçanta për edukimin financiar të personave me aftësi të veçanta. Këto të dhëna tregojnë se kjo është një fushë në të cilën duhet të punojmë së bashku”, tha guvernatorja AngellovskaBezhoska, duke u bërë thirrje bankave që t’i marrin parasysh Udhëzimet dhe të punojnë në mënyrë aktive për ta përmirësuar qasjen në shërbimet e tyre për personat me aftësi të veçanta.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Edukim Financiar pranë Bankës Popullore, Elizabeta Nedanovska, gjatë prezantimit të Udhëzuesit dhe broshurës, theksoi se lehtësimi i qasjes së personave me aftësi të veçanta në shërbimet financiare do ta rrisë ndjeshëm potencialin e tyre për pavarësi ekonomike dhe integrim social.

“Në kuadër të ABM-së kemi realizuar një anketë në lidhje me qasjen në shërbime financiare të personave me aftësi të veçanta, nga e cila kemi fituar një pasqyrë të gjendjes në këtë sektor dhe nga kjo buruan rekomandimet dhe udhëzimet për veprim që do të zbatohen nga secili prej institucioneve në veçanti. Po ashtu në ABM është formuar edhe Komiteti i Edukimit, i cili ofron trajnime për punonjësit për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Veçanta dhe përforcimin e aftësive të tyre komunikuese”, tha nënkryetari i Asociacionit Bankar të Maqedonisë, Bojan Stojanoski.

“Përfshirja e personave me aftësi të veçanta në sektorin bankar është jo vetëm një detyrim, por edhe një mundësi për institucionet bankare që të demonstrojnë se janë liderë në inovacion dhe në përgjegjësi dhe në inkluzion social. Nëpërmjet këtyre hapave ne mund të krijojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse ku të gjithë kanë qasje të barabartë në shërbimet financiare. Le t’i bëjmë bankat tona të qasshme për të gjithë – sepse të gjithë meritojnë të jenë pjesë e jetës ekonomike”, theksoi kryetari i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Limko Bejzaroski.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë rreth 15% e popullsisë së botës vuan nga një lloj paaftësie dhe këta njerëz shpesh luftojnë me varfërinë dhe papunësinë. Prandaj, në vitet e fundit, Banka Popullore ka ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e qasjes në shërbimet financiare për personat me aftësi të veçanta, gjë që është paraparë edhe në dokumentet e miratuara nga Banka Popullore, përkatësisht në Strategjinë Kombëtare për Edukim Financiar dhe Përfshirje Financiare dhe Strategjinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve Përdorues të Shërbimeve Financiare. Angazhimet kanë të bëjnë me përfshirjen e personave me aftësi të veçanta duke i ndjekur standardet dhe rregulloret ndërkombëtare, siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Veçanta.