Ditët e këtij viti numërohen në gishta, RMV-ja ende s’i ka realizuar reformat që kushtëzojnë marrjen e 17 milionë eurove nga Brukseli

Derisa ditët e këtij viti numërohen në gishta, Maqedonia e Veriut ende ka detyra të pakryera, gjegjësisht zbatim të reformave të cilat duhet të përfundojnë deri në Vitin e Ri, gjë që i mundëson vendit marrjen e mbi 17 milionë eurove për vitin 2024 të destinuara nga Agjenda e Reformave. Njëra prej reformave, përkatësisht miratimi […]

dhjetor 18, 2024 - 08:00
 0  5
Ditët e këtij viti numërohen në gishta, RMV-ja ende s’i ka realizuar reformat që kushtëzojnë marrjen e 17 milionë eurove nga Brukseli
Parlamenti Evropian, Strazburg. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Derisa ditët e këtij viti numërohen në gishta, Maqedonia e Veriut ende ka detyra të pakryera, gjegjësisht zbatim të reformave të cilat duhet të përfundojnë deri në Vitin e Ri, gjë që i mundëson vendit marrjen e mbi 17 milionë eurove për vitin 2024 të destinuara nga Agjenda e Reformave. Njëra prej reformave, përkatësisht miratimi i një ligji, u bë para disa ditësh, ndërsa kanë mbetur edhe tre reforma të tjera, që për më pak se dy javë duket vështirë se mund të realizohet, raporton Portalb.mk.

Ankeset e Agjendës së Reformave, janë të përcaktuara qartë reformat prioritare dhe paratë që do t’i marrë pas përfundimit të këtyre reformave.

Si reformë në afat më të shpejtë vendit i kërkohej miratimi i Ligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, detyrim që vendi e zbatoi me 10 dhjetor kur Kuvendi e solli me 62 “pro”. Për këtë, vendi do të marrë 4,281,623 euro. Gjithashtu, strukturat e menaxhimit të parashikuara në Udhërrëfyesin për Tranzicion të drejtë janë operative dhe ësht[ miratuar plani vjetor i zbatimit për vitin 2025, për çka vendi do të marrë 2,140,811 euro.

Reformat që kërkohen

Kërkohet Miratimi i të paktën 17 akteve nënligjore të parashikuara në Ligji për Buxhetet, duke përfshirë krijimin e regjistrit të subjekteve publike, rishikimin e klasifikimit buxhetor dhe zvogëlimin e numrit të shfrytëzuesve primar buxhetor me të paktën 40% në klasifikimin administrativ dhe Dekreti për menaxhimin e investimeve publike. Për zbatimin e kësaj reforme, vendit i premtohen 4,281,623 euro.

Reformë tjetër që vendi duhet ta bëjë pa hyrë në vitin e ardhshëm është ndryshimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare për të futur rregulla të reja për emërimin e anëtarëve të pavarur të bordit të shoqërive tregtare shtetërore. Ndryshimi i këtij ligji i sjell vendit 4.281.623 euro.

Pa kaluar ky vit, kërkohet që vendet e zbrazura për gjyqtarë dhe prokurorë plotësohen rregullisht në bazë të projeksioneve të Këshillit Gjyqësor/Këshillit të Prokurorëve Publikë pas zbatimit të strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata. Kjo sjellë për vendin 2,140,811 euro.

Përmbledhur të gjitha këto shuma, me reformat e parapara që duhet të kryhen deri në dhjetor të këtij viti, vendi do të marrë gjithsej 17,126,494 euro.

Qeveria ose institucionet përgjegjëse duhet të dokumentojnë çdo progres për të përmbushur kushtet dhe të sigurojnë raportim të saktë për të justifikuar fondet e kërkuara.

Burimet për verifikimin e zbatimit të këtyre reformave do të jenë dokumente të hartuara nga institucionet përkatëse, raportet e dorëzuara në Qeveri, dhe publikimet zyrtare (p.sh., në Gazetën Zyrtare).

Ndryshe, Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përcaktuar qëllimet dhe koherenca e Agjendës Reformuese, ndërsa në pjesën e dytë janë përshkruar fushat e politikave dhe reformave të ngjashme. Me këtë agjendë, pritet promovimi i një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të besueshëm, i aftë ta mbështesë drejtësinë dhe garantimin e shtetit të së drejtës.

Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Ministria për Çështje Evropiane po zhvillon një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani siguron se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të jetë e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.