Të rinjtë në RMV përballë sfidave të karrierës, profesionistët: Duhet t’u krijojmë mundësi, pastaj ata vendosin se çka duan të bëjnë
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut duhet t’i kërkojnë mundësitë dhe t’i shfrytëzojnë ata që u jepen, vetëm kështu mund të zhvillohen dhe rriten në karrierë. Kjo mund të bëhet duke u nisur nga problemet më të thjeshta me të cilat ballafaqohen ata në përditshmërinë e tyre. Por, edhe shoqëria duhet të jetë aty për […]


Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut duhet t’i kërkojnë mundësitë dhe t’i shfrytëzojnë ata që u jepen, vetëm kështu mund të zhvillohen dhe rriten në karrierë. Kjo mund të bëhet duke u nisur nga problemet më të thjeshta me të cilat ballafaqohen ata në përditshmërinë e tyre. Por, edhe shoqëria duhet të jetë aty për t’i ndihmuar. Kjo ishte porosia që përcollën sot ekspertë të fushave të ndryshme për të rinjtë e vendit, raporton Portalb.mk.
Ambasadorja e Holandës në vend, Ozlem Canel mendon se në të gjitha vendet të rinjtë kanë sfida, por më e rëndësishmja është që ata të ndihmohen.
“Të ju japim edukimin e duhur, mundësi pune dhe në fund është në dorë të tyre se çfarë duan me jetën e tyre. Por ne si shoqëri duhet të jemi aty t’i ndihmojmë sa më mirë që mundemi”, tha Canel.
Pranvera Kasami, drejtoreshë e Institutit për Lidership dhe Politika Publike (ILPP) theksoi se tha se ekziston zbrazëtirë midis të rinjve, punëdhënësve dhe akademisë.
“Përmes aktiviteteve tona mundohemi këtë hendek ta zvogëlojmë dhe në këtë rast kemi një shembull shumë të mirë, ku jemi inspiruar nga vetë qasja holandeze se si ata si shtet i qasen problematikave të ndryshme”, tha Kasami.
Këto komente u bënë gjatë panelit “Të rinjtë në karrierë, kapërcimi i sfidave”, që u organizua nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike për nder të Ditës së Holandës – Ditëlindja e Mbretit.
Folës në panel ishin edhe Nebi Mustafa, ish-futbollist dhe sipërmarrës si dhe kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari.
Përndryshe, numri i personave të papunë në Maqedoninë e Veriut është rreth 100 mijë. Papunësia mbetet një nga arsyet kryesore për ikjen e popullatës në mërgim, sidomos të rinjve. Qytetarët thonë se për të gjetur punë në profesionin e tyre detyrohen të presin me vite, andaj edhe detyrohen ta braktisin vendin. Ndërsa ekspertët alarmojnë se emigracioni krijon mungesë në fuqinë punëtore të kualifikuar dhe pengon zhvillimin ekonomik. Sipas hulumtimit të Institutit për Hulumtime Politike Shkup, çdo i treti qytetar ose 35,2 përqind mendojnë që të shpërngulen nga vendi.
- LEXO: Maqedonia e Veriut e paralizuar, papunësia “dëbon” të rinjtë
- LEXO: Rinia ia mbyll derën Maqedonisë së Veriut: “Në këtë vend nuk jetojmë por mbijetojmë”
Komisioni Evropian në Raportin e vitit 2024 të progresit vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim në fushën e politikës sociale dhe punësimit, por sërish mbetet me përgatitje mesatare. Shkalla e papunësisë është ulur dhe përfitimet e ndihmës sociale janë rritur, ndërsa shkalla e varfërisë ka rënë, megjithatë ajo mbetet ende e lartë.
Ngjashëm edhe te pjesa e të rinjve, Raporti theksoi se RMV-ja duhet të zbatojë strategjinë e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë. KE-ja theksoi se kapaciteti i Agjencisë për Punësim duhet të përmirësohet më tej.