Bashkitë më shumë rol në shëndetësi, arsim e bujqësi, firmosen marrëveshjet mes ministrave dhe 4 kryebashkiakëve
Bashkitë do të kenë një rol më të madh sa i përket disa shërbimeve në shëndetësi, bujqësi dhe arsim. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prezantoi projektin e pilotimit të decentralizimit nga pushteti qëndror, tek pushteti vendor për 12 muaj. Arbjan Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor: Ne kemi shpenzuar disa muaj për të […]
Bashkitë do të kenë një rol më të madh sa i përket disa shërbimeve në shëndetësi, bujqësi dhe arsim. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prezantoi projektin e pilotimit të decentralizimit nga pushteti qëndror, tek pushteti vendor për 12 muaj.
Arbjan Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor: Ne kemi shpenzuar disa muaj për të parë se çfarë kompetencash mund të delegohen në formën e një pilotimi në disa bashki, për ta vlerësuar këtë pilotim për një periudhë një-vjeçare dhe për të parë sërish së bashku në krye të një viti nëse bën sens që këtë ushtrim ta zgjerojmë më tej apo ta alternojmë, apo ta ndryshojmë për të pasur më pas një reformë të mirëfilltë decentralizimi.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastritliu tha se ky është një kapitull i ri i decentralizimit ku synohen më shumë investime në infrastrukturën shkollore.
Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit: Ne synojmë të kemi më shumë cilësi në arsim, të kemi procese edhe më të përparuara të mësimdhënies, synojmë të kemi inspektime më të shpeshta sa i përket programeve edukative, synojmë të kemi edhe më shumë shkolla komunitare, më shumë investime sa i përket proceseve mësimore dhe infrastrukturës dhe në këtë përpjekje të re të përbashkët, ne synojmë t’i arrijmë këto.
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu theksoi se çdo mekanizëm i shtuar në territor është në shërbime të përmirësimit të cilësisë së jetesës së komunitetit.
Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Sot japim mundësinë që nëpërmjet këtyre partneriteteve qeverisje qëndrore–pushtet vendor, OJQ por edhe partnerë të tjerë, të bëjmë të mundur jo vetëm ofrimin e shërbimeve sociale, jo vetëm decentralzimin e një prej funksioneve kryesore por të bëjmë të mundur dhe decentralizimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.
Edhe për ministren e e Bujqësisë Anila Denaj ky proces është një bashkëpunim për të rritur cilësinë e shërbimit.
Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: Kjo është një punë e përbashkët. Nuk është vetëm decentralizim funksionesh, apo dhënie buxheti apo dhënie kompetencash. Është një bashkërendim i kompetencave për të shkuar drejt një shërbimi më të mirë dhe një vendimmarrje më të mirë.
Marrëveshja u firmos mes ministrave dhe 4 kryetarëve të bashkive, Shkodër, Berat, Kolonjë dhe Divjakë.
Klan News