Kod Zgjedhor të ndryshuar nuk ka ende, në lojë janë 4 milionë euro
Siç rekomanduan vëzhguesit e ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar, deri në qershor të vitit 2025 Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kodin Zgjedhor. Nëse është një “nxënës i mirë” dhe e përmbush këtë detyrim, shteti do të marrë rreth 4,3 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Por edhe pse kanë mbetur […]
![Kod Zgjedhor të ndryshuar nuk ka ende, në lojë janë 4 milionë euro](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/04/votime-zgjedhje-6.webp?fit=1024%2C707&quality=80&ssl=1)
![Zgjedhjet lokale 2021 në Maqedoninë e Veriut. Foto: Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/04/votime-zgjedhje-6.webp)
Siç rekomanduan vëzhguesit e ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar, deri në qershor të vitit 2025 Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kodin Zgjedhor. Nëse është një “nxënës i mirë” dhe e përmbush këtë detyrim, shteti do të marrë rreth 4,3 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Por edhe pse kanë mbetur vetëm edhe disa muaj, ende nuk dihen hapat konkretë, transmeton Portalb.mk.
Detyrimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është pjesë e agjendës së reformave për vendin në kuadër të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian, e në të cilin është theksuar se Maqedonia e Veriut në fakt duhet të miratojë një ligj krejtësisht të ri.
“Në mars të vitit 2024 u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, që të mundësohet zbatimi i rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, duhet miratuar një Kod i ri Zgjedhor”, theksohet në agjendën e reformave.
Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për monitorimin e këtij procesi, por edhe deri më tani në praktikë ndryshimet në këtë ligj janë bërë me marrëveshje politike mes partive parlamentare.
“Jemi në fazën e konsultimit për procesin e përgatitjes së një propozim Kodi Zgjedhor. Afati është deri në muajin qershor të vitit 2025”, u përgjigjën shkurt për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Drejtësisë.
I gjithë ky proces duhet të ndodhë edhe në prag të zgjedhjeve vendore që do të mbahen në tetor të vitit 2025.
Partitë në pushtet janë optimiste
Në agjendën e reformave përveç qershorit të vitit 2025 si datë përfundimtare për votimin në parlament, përmendet edhe një afat tjetër konkret, gjegjësisht se “miratimi i projektligjit nga ana e Qeverisë është planifikuar deri në maj të vitit 2025”. Më pas vijon kalimi i tij në procedurë parlamentare.
Deri atëherë kanë mbetur rreth tre muaj, ndërsa siç është përshkruar në agjendë, për ndryshimet duhet të punojë një grup i ri pune, i cili do të duhej të formohej pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2024, i përbërë nga përfaqësues të partive politike, OSBE-së, ODIHR-it, NDI-it, profesorë dhe ekspertë të tjerë. Gjithashtu, parashihet që projekt-teksti i ligjit të publikohet në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER) që të zhvillohen konsultime, si debate publike për konsultime dhe opinione nga të gjitha palët relevante.
Nga Ministria e Drejtësisë u përgjigjën shkurt se konsultimet kanë filluar, ndërsa partitë në pushtet janë optimiste se afati do të respektohet. Por tani për tani si subjekte politike nuk janë të përfshira në kurrfarë aktivitetesh.
“Zgjidhja ligjore për të cilën po flisni është e përfshirë në planin e Qeverisë deri në muajin maj. Partia si organ nuk është e përfshirë në proces. Dhe ne do t’i lëmë Qeverisë dhe organeve të ekspertëve, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë, ta bëjnë pjesën e tyre. Partitë do mund ta shprehin mendimin e tyre në një diskutim parlamentar nëpërmjet amendamenteve, në të cilin presim angazhim maksimal nga të gjitha partitë”, thanë nga VMRO-DPMNE për REL.
Në programin e tyre për zgjedhjet e fundit kjo parti shprehu angazhimin për një zonë të vetme zgjedhore dhe për zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 120 në 90.
Partneri i tyre qeveritar, koalicioni VLEN, beson se detyrimet ndaj BE-së do të përmbushen dhe besojnë se duhet të bëhet një revizion paralel i të gjithë sistemit, duke përfshirë këtu edhe një revizion i zonave zgjedhore.
“Reforma zgjedhore është një proces kompleks, si teknikisht ashtu edhe politikisht, që kërkon një konsensus kombëtar… Përmbushja e detyrimeve tona duhet të shkojë paralelisht me domosdoshmërinë e reformave thelbësore sistematike, si përmirësimi i listave zgjedhore, revizioni i numrit të njësive zgjedhore dhe listat e hapura, të cilat janë elemente kyçe për forcimin e besimit në procesin zgjedhor”, thonë nga VLEN për REL dhe shtojnë se besojnë në zgjidhjet të cilat në të ardhmen do të “garantojnë zgjedhjet të lira, të drejta dhe demokratike”.
Opozitarët LSDM dhe BDI deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën në pyetjet e Radios Evropa e Lirë.
Çfarë rekomandoi OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të fundit?
Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u bënë në marrëveshje mes partive politike dhe u votuan më 7 mars të vitit 2024, vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, kur u mbajt edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, edhe pse rekomandohet që kjo të bëhet të paktën gjashtë muaj përpara.
Pas zgjedhjeve, OSBE/ODIHR arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin konkurruese dhe se u respektuan liritë themelore, por procesi mbetet i jo aq mjaftueshëm i rregulluar.
“Për fat të keq Kodi Zgjedhor pak kohë më parë u ndryshua me transparencë të pamjaftueshme, procedurë të përshpejtuar dhe pa konsultim publik, gjë që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Edhe pse në ndryshime u përfshinë disa nga rekomandimet e mëparshme të ODIHR dhe sugjerimet teknike të KSHZ-së, ato në masë të madhe nuk i morën parasysh rekomandimet e grupit të punës të ngarkuar për reformat zgjedhore,” theksoi atëkohë shefja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Gillian Stirk.
Ajo theksoi se rekomandimet kryesore të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbetën të pazgjidhura, duke përfshirë këtu edhe “revidimin sistematik të Kodit Zgjedhor”.
Për ndryshimet ligjore, Ministria e Drejtësisë në prill të vitit 2023 formoi grup pune të udhëhequr nga eksperti dhe ish-kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Aleksandar Novakoski. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se grupi punoi dhe në fund të vitit 2023 dhe se një draft version iu dorëzua të gjitha partive. Por partitë e respektuan atë vetëm pjesërisht.
“Amendamentet e propozuara që u miratuan përmbanin disa nga zgjidhjet e propozuara nga grupi i punës e të cilat ishin pjesë përbërëse e Projekt Kodit Zgjedhor”, thanë nga Ministria.
Ndryshimet dhe reformat e ardhshme në sistemin zgjedhor, që priten nga komuniteti ndërkombëtar dhe që janë theksuar në agjendën e reformave, duhet ta përforcojnë rolin e institucioneve, ta qartësojnë dhe përmirësojnë më tej tekstin e Kodit Zgjedhor në mënyrë që ai të zbatohet në mënyrë konsistente.