BDI me akuza ndaj VLEN-it, VLEN-i ndaj Taravarit dhe BDI-së

BDI ka lëshuar reagim ndaj VLEN-it, ndërsa kjo e fundit ka reaguar kundër BDI-së dhe Arben Taravarit, duke shkëmbyer akuza të rënda në një përplasje të re politike në kampin shqiptar. BDI e akuzon VLEN-in për vetëposhtërim përballë kryeministrit dhe nënshtrim ndaj vullnetit të forcave maqedonase, duke thënë se shqiptarët po përjashtohen gjithnjë e më […]

maj 8, 2025 - 13:00
 0  4
BDI me akuza ndaj VLEN-it, VLEN-i ndaj Taravarit dhe BDI-së
Arben Taravari, VLEN. Foto prinstscreen

BDI ka lëshuar reagim ndaj VLEN-it, ndërsa kjo e fundit ka reaguar kundër BDI-së dhe Arben Taravarit, duke shkëmbyer akuza të rënda në një përplasje të re politike në kampin shqiptar. BDI e akuzon VLEN-in për vetëposhtërim përballë kryeministrit dhe nënshtrim ndaj vullnetit të forcave maqedonase, duke thënë se shqiptarët po përjashtohen gjithnjë e më shumë nga institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, VLEN e cilëson BDI-në si simbol të korrupsionit dhe krimit, ndërsa Taravarin e quan dezertor që po tenton të kontrabandojë mandatet e fituara në emër të ndryshimit për t’u rikthyer te Ali Ahmeti. Tensionet mes partive shqiptare po rriten, në një moment kur vendimet politike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përfaqësimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh zhgënjimin e thellë ndaj sjelljes së partnerëve shqiptarë të LEN-it në koalicionin qeveritar. Në përpjekje për t’i bërë qejfin Kryeministrit, ata po vetëposhtërohen publikisht, duke pranuar që ai t’i trajtojë me përbuzje, t’u japë leksione dhe t’u caktojë vendin në Qeveri, sipas vullnetit të tij personal. Çdo ditë dëgjojmë – jo vetëm nga Kryeministri, por edhe nga përfaqësues të VMRO-së dhe partnerë të tjerë maqedonas – kush me kë guxon të bisedojë, kush me kë mund të bashkëpunojë dhe kush me kë është kapur duke u takuar. Partnerët shqiptarë poshtërohen publikisht, sikur të ishin fëmijë që kanë bërë gabime, e detyrohen të japin llogari para mediave për plane të tyre politike, për takime apo për ide të cilat nuk ua ka aprovuar Mickoski. Këto parti harrojnë se mandatin nuk ua jep Hristijan Mickoski, por votuesi shqiptar – i cili, në fakt, nuk ua dha fare. Një votues që ndihet gjithnjë e më i përbuzur dhe i tradhtuar”, thonë nga BDI.

Prandaj, thonë nga kjo parti “kemi të drejtë t’i pyesim: ndërsa ju qortoheni si nxënës para mësuesit”:

  • A ju konsultoi dikush, për shembull, kur ai zhvilloi takim monoetnik me kryetarin e LSDM-së brenda Qeverisë për të diskutuar për të ardhmen e shtetit?
  • A ju informuan për grupet e punës që i paralajmëruan publikisht?
  • A është e pranueshme që partitë maqedonase të flasin për çështje shtetërore në mënyrë të hapur, ndërsa partitë shqiptare duhet të kërkojnë leje për çdo lëvizje?
    Kur bëhen emërime të larta shtetërore, a ju pyet ndonjëherë dikush?
  • Apo nuk ju shqetëson që në pozitat kyçe vendosen figura të njohura për qëndrime antishqiptare, pjesë të agjendave proruse dhe të botës serbe?
    A është kjo në rregull për ju, apo standardet vlejnë vetëm për shqiptarët?
  • A jeni të vetëdijshëm që Kryeministri shkon rreth e rrotull dhe merr lavdata se ua ka treguar vendin shqiptarëve – dhe se ju jeni pjesë e atij folklori?
  • Nëse nuk jeni, atëherë çfarë do të thoni për faktin që për më pak se një vit, përdorimi i gjuhës shqipe praktikisht po zhduket nga institucionet?
  • Çfarë ndërmerrni ju kur i gjithë aparati shtetëror është aktivizuar për të shkatërruar Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve?
  • Deri kur do të duroni të poshtëroheni nga albanofobët që ju poshtërojnë çdo ditë – dhe a jeni të vetëdijshëm që për shkak të mungesës së mekanizmave të balancimit, shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga proceset në institucionet publike?

“A jeni të vetëdijshëm që si asnjëherë më parë, e keni poshtëruar Shqiptarin – dhe ai do t’ju ndëshkojë në çdo palë zgjedhje që do të vijnë, kurdo që të mbahen. Prandaj është e qartë: ju frikësoheni nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse në ato zgjedhje shqiptarët janë ata që do t’ju tregojnë juve vendin”, thonë nga BDI.

Nga ana tjetër VLEN akuzon se Taravari u vodhi pesë mandate qytetarëve në emër të ndryshimit, dhe tani po tenton “t’i dërgojë në kazanin e BDI-së ku vlon krimi dhe korrupsioni!”.

“Ndryshe nuk përkufizohet BDI pos një kazan në të cilin vlojnë hajnia, krimi dhe korrupsioni. Pra, në këtë kazan ku ziheshin planet anti-shqiptare, “begu” i Gostivarit, Arben Taravari, ka ndarë mendjen të shkojë. Më keq se kaq, po tenton të kontrabandojë edhe mandatet e deputetëve të cilët i fituan në emër të ndryshimit. Nuk është kohë e gjatë vetëm një vit më herët, në po këtë muaj të vitit që lamë pas derë më derë kandidatët për deputetë atëkohë e sot deputetë të ASH-së, të mbështjellur nën logon e VLEN-it, u thonin qytetarëve “ne jemi ndryshimi”, ne nuk shkuam me BDI-në. Ziadini është tradhtari se ai po tenton t’ia zgjat pushtetin BDI-së. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, votuan për ndryshimin. Ndryshimi erdhi. Taravari dezertoi, por për një dezertor i ligë nuk duhet të rreshtohet gabimisht e tërë ushtria. Dezertori jo vigjilent nuk duhet të determinojë orientimin e një ushtrie të denjë, të pastër, me qëllim konkret. Tani është koha për reflektim, të gjithë deputetët, anëtarët, aktvistët të pozicionohen në anën e duhur aty ku ishin”, thonë nga VLEN.

Skena politike në Maqedoninë e Veriut është futur në një fazë të re tensioni, pas zhvillimeve të fundit që prekin drejtpërdrejt koalicionin qeveritar. Arben Taravari, i cili deri tani ishte pjesë e koalicionit VLEN dhe njëherazi partner qeveritar, është gjendur në qendër të debatit publik dhe politik, pas largimit nga ky koalicion dhe pas takimit të zhvilluar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Mediat në vend, sipas burimeve të tyre, thonë se Arben Taravari pritet të largohet nga Qeveria në ditët në vijim. Ai ka shprehur hapur se është i gatshëm të bashkëpunojë me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sytë janë të gjithë nga Taravari – do të zgjedhë “ndryshimin” e Mickoskit apo do të mbetet të bashkëpunojë me BDI-në.

Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.

Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.