BE-ja përshëndet marrëveshjen për ndërtimin e tunelit mes Bullgarisë e Maqedonisë

Bashkimi Evropian përshëndeti marrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ndërtimin e tunelit hekurudhor në Deve Bair, duke e cilësuar si një hap për ndërtimin e besimit mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë mjaft të tensionuara. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, reagoi në platformën X lidhur me ceremoninë në Gjueshevë: […]

Nëntor 7, 2025 - 13:00
 0
BE-ja përshëndet marrëveshjen për ndërtimin e tunelit mes Bullgarisë e Maqedonisë

Bashkimi Evropian përshëndeti marrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ndërtimin e tunelit hekurudhor në Deve Bair, duke e cilësuar si një hap për ndërtimin e besimit mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë mjaft të tensionuara.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, reagoi në platformën X lidhur me ceremoninë në Gjueshevë:

“Përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes për tunelin ndërkufitar të Korridorit 8 midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut – një hap i madh përpara në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Përveç forcimit të lidhjeve dypalëshe, hekurudha e re do të nxisë prosperitetin rajonal dhe do të forcojë sigurinë tonë të përbashkët,” thuhet në postimin e Kostës.

Edhe komisionerja evropiane Marta Kos reagoi:

“Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord të vazhdojnë punën për Korridorin 8 – një projekt kyç që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi përmes rrugës dhe hekurudhës. Ky është një hap i rëndësishëm për ndërtimin e besimit përmes lidhjes rajonale, prosperitetit të përbashkët dhe komunikimit ndërmjet njerëzve,” shkroi ajo.

Marrëveshja për ndërtimin e tunelit u nënshkrua dje nga ministrat e transportit të dy vendeve, Aleksandar Nikolloski dhe Grozdan Karaxhov.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një ndryshim të madh në qëndrimin e Nikolloskit dhe të tjerë përfaqësues të qeverisë, të cilët një vit më parë pohonin se fondet për këtë linjë hekurudhore do të ridrejtoheshin drejt ndërtimit të hekurudhës për në Selanik.

Kur NATO e përfshiu hekurudhën drejt Sofjes si segment të rëndësishëm për lidhjen taktike dhe ushtarake, qeveria maqedonase ndryshoi narrativën. Prania e ambasadores amerikane Angela Aggeler në ceremoninë në Gjueshevë flet më së miri për interesin, mbështetjen – dhe në një masë edhe presionin amerikan mbi të gjithë projektin.