Tabaku në Tregun e Medresesë: Ekonomia është në krizë, qeveria duhet ndalur me votë më 11 maj”

Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, Jorida Tabaku, bëri një udhëtim me linjën urbane të Unazës, ku bashkëbisedoi me qytetarë të thjeshtë që ndanë shqetësimet për jetesën e shtrenjtë, çmimet e papërballueshme dhe mungesën e të ardhurave që po i detyrojnë të heqin dorë nga ushqimet bazë apo trajtimet shëndetësore. “Njerëzit […]

Prill 1, 2025 - 16:00
 0  3
Tabaku në Tregun e Medresesë: Ekonomia është në krizë, qeveria duhet ndalur me votë më 11 maj”

Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, Jorida Tabaku, bëri një udhëtim me linjën urbane të Unazës, ku bashkëbisedoi me qytetarë të thjeshtë që ndanë shqetësimet për jetesën e shtrenjtë, çmimet e papërballueshme dhe mungesën e të ardhurave që po i detyrojnë të heqin dorë nga ushqimet bazë apo trajtimet shëndetësore.

“Njerëzit po mbijetojnë, jo më jetojnë. Të gjitha i ka rritur kjo qeveri, përveç pagave dhe pensioneve,” i tha një qytetare gjatë udhëtimit. Tabaku u shpreh se “çmimet janë rritur sepse ekonomia është keqmenaxhuar dhe qytetarët po paguajnë faturën e një qeverie të paaftë dhe të korruptuar”.

Më pas, Tabaku zhvilloi një takim në Tregun e Medresesë, ku u prit nga dhjetëra qytetarë dhe pronarë biznesesh të vogla, të cilët ndanë me të shqetësimet e përditshme që kanë për shkak të krizës ekonomike. Në një realitet të prekshëm, ku konsumatorët mungojnë dhe shitjet janë thuajse zero, Tabaku dëgjoi me vëmendje hallet e një shtrese që sot ndjehet e harruar.

“Ke mua ankohu, por mos harro të votosh më 11 maj,” u shpreh Tabaku gjatë bisedës me një pronar biznesi që i tregoi se prej ditësh nuk ka bërë asnjë lek xhiro. “Shteti është bërë barrë për biznesin, në vend që ta ndihmojë,” shtoi ajo.

Një tjetër biznes tregoi se është zhytur në borxhe për të mbajtur gjallë aktivitetin se  ka borxh furnitorit, borxh qirasë, borxh energjisë.

Tabaku theksoi se mungesa e konsumit nuk është thjesht një shenjë e një cikli ekonomik, por pasojë direkte e politikave të dështuara të qeverisë: “Puna është bllokuar nga socialistët. Dhe sa kohë që ky model qeverisje mbizotëron, as bizneset nuk do të kenë frymëmarrje, as qytetarët nuk do të kenë siguri”.

Një biznes tjetër tha: “E shkaterroi ekonominë dhe u zbraz vendi. Po të kisha diçka në dorë, do ndryshoja ekonominë”. Në përgjigje, Tabaku theksoi: “Ndryshimi nuk do vijë vetë. Në 11 maj qytetarët kanë mundësinë të nisin një kapitull të ri për Shqipërinë. Nëse del e voton, nuk fiton Edi Rama”.

Sipas Tabakut, barra fiskale, taksat e larta dhe mungesa e reformave ekonomike po shkatërrojnë jo vetëm sipërmarrjen e vogël, por po vrasin shpresën te shtresa e mesme – motorri real i zhvillimit të vendit.

Vizita në treg ishte pjesë e fushatës së saj si kandidate e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, ku ajo synon të sjellë në Kuvend zërin e shtresës së mesme, të sipërmarrësve të ndershëm dhe të të gjithë atyre që sot ndihen të harruar nga një shtet që i ka kthyer shpinën.