Biseda Kusari-Radojçiq/ Opozita: Po rrezikohet interesi kombëtar i Kosovës, Prokuroria të nisë hetimet
Është publikuar dje një bisedë mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq, kryeorganizator i sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Biseda është zhvilluar në kohën kur Millan Radojçiq veçse pati hyrë në Listën e Zezë […]
Është publikuar dje një bisedë mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq, kryeorganizator i sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Biseda është zhvilluar në kohën kur Millan Radojçiq veçse pati hyrë në Listën e Zezë të SHBA-së.
Reagime të shumta, lidhur me këtë çështje, kishte nga partitë opozitare në vend, duke gjykuar se po dëmtohen interesat Kombëtare të Kosovës.
Zëdhënësi i LDK: Prokuroria të hetojë me urgjencë bisedën me Radojçiq, interesat tona kombëtare janë shtruar me një terrorist të konfirmuar
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),Besian Mustafa, thotë për “Front Online” se biseda në mes të Kusarit dhe Radojçiq zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat kombëtare.
“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë”, tha ai.
Mustafa thekson se Vetvendosje me dyer të mbyllura, janë të gatshëm të komprometojnë vlerat dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike.
“Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke nxjerrë në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, tha ai.
Mustafa thotë se prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë rast me ugjencë. “Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, tha ai.
Berisha i PDK-së: Radojçiq po qëndron në hotelin e tij në Kopaonik, po i koordinon politikat e Qeverisë së Kosovës përmes eksponentëve të saj
Hisen Berisha nga PDK thotë për Front Online se qeveria është me agjendë anti Kosovë, të përgatitur në kuzhinat politike të Beogradit e Moskës.
Berisha thtekson se publikimi i përgjimit në mes të Kusarit dhe Radojçiqit ngre dyshime të forta për rrezikimin e sigurisë kombëtare
“Se ky koalicion qeverisës është me agjendë anti Kosovë, të përgatitur në kuzhinat politike të Beogradit e Moskes, do të bindeni çdo ditë të qëndrimit të kësaj struktura politike në qeverisje. Publikimi i përgjimit ngre dyshime të forta për rrezikimin e sigurisë kombëtare. Në ketë korrelacion, veç për moral e integritet s’mund të flitet, ngase është evident dyshimi për lidhje apo bashkëpunim me figura kriminale në listat e zeza të DASH, që komprometojnë sigurinë dhe interesat e shtetit”, tha ai.
Sipas tij, afërsia e shfaqur në bisedën e tyre është alarmuese dhe se Kusari- Lila duhet të paralizohet për rrezikim të Sigurisë Kombëtare.
“Natyra e bisedës dhe afërsia e shfaqur janë alarmuese, për shkak të implikimeve që mund të kenë në nivelin e sigurisë dhe integritetit të institucioneve shtetërore. Kusari- Lila duhet të paralizohet për rrezikim të Sigurisë Kombëtare. Penalizimi i Kusari-Lilës do të shërbente si një precedent i rëndësishëm për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, tha ai.
Deputeti i PDK-së thotë se Radojçiq po qëndron në hotelin e tij në Kopaonik dhe po administron jo vetëm me bandat e tij dhe politikën në Beograd.
“Radojçiq po qëndron në hotelin e tij në Kopaonik dhe po administron jo vetëm me bandat e tij dhe politikën në Beograd, por po i koordinon politikat e qeverisë së Kosovës përmes eksponentëve të kësaj qeverie, siç vërehet nga përgjimet. Është fakt se edhe përpara ka komunikuar me eksponent politik e qeveritar të Kosovës. Kosova nuk mund të ecë përpara me bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb e pjellë të UDB/BIA serbe, nëpër këmbë. Njëherë e mirë duhet të hetohen dhe t’iu pamundësohet të jenë pjesë e politik bërjes e vendimmarrjes në institucionet e Kosovës”, tha Berisha për Front Online.
Bytyqi e AAK-së: Përgjimi i djeshëm forcon bindjen tonë për ekzistencën e koalicionin sekret në mes të VV-së dhe Listës Serbe
Deputetja e AAK-së, Albanë Bytyqi thotë për “Front Online” se biseda e publikuar gjatë ditës së djeshme në mes të Mimoza Kusarit dhe Millan Radojçiq nuk është aspak befasuese, sipas saj ky fakt e e forcon bindjen tonë për ekzistencën e koalicionin sekret në mes të VV-së dhe Listës Serbe.
“Përgjimi i fundit që u publikua dje, nuk po na befason, veçse po na e forcon bindjen tonë për egzistencën e koalicionin sekret në mes të VV-së dhe Listës Serbe. Në fakt kjo bisedë shpërfaq një partneritet politik i cili e dekonspiron politikën mashtruese publike, thjeshtë tjetër flasin e tjetër veprojnë”, tha deputetja e AAK-së.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, deklaroi sot se opozita në të kaluarën bënin biznese, koalicione, e qeveri me Radoiçiqin kurse me LVV-në, Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit.
Kjo deklaratë, Bytyqi e AAK-së thotë se tregon panik e faj dhe i jep të drejtë dyshimeve për lidhjete tyre sekrete me Radojçiqin.
“Nuk jam deputete për të komentuar deklaratën e zëdhënësit të Vetëvendosjes. Mirëpo, kjo qasje tregon panik e faj dhe i jep të drejtë dyshimeve tona për lidhjet e tyre sekrete. Pra ky reagim nga zyrtarët e Vetëvendosjes është për ta mbuluar fytyrën e vërtetë të tyre!”, tha Bytyqi.
/FrontOnline/