Biseda mes asambleistëve të LVV-së në Prishtinë, LDK kërkon hetime

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj një video-incizimi të publikuar së fundmi, ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës dëgjohen duke diskutuar për çështje të pronave në zonën e Badovcit. Në një deklaratë zyrtare, LDK-ja e cilësoi këtë incident si një dëshmi të qartë të “pazareve të ulëta dhe

dhjetor 9, 2024 - 22:00
 0  6
Biseda mes asambleistëve të LVV-së në Prishtinë, LDK kërkon hetime
biseda-mes-asambleisteve-te-lvv-se-ne-prishtine,-ldk-kerkon-hetime

biseda-mes-asambleisteve-te-lvv-se-ne-prishtine,-ldk-kerkon-hetime

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj një video-incizimi të publikuar së fundmi, ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës dëgjohen duke diskutuar për çështje të pronave në zonën e Badovcit.

Në një deklaratë zyrtare, LDK-ja e cilësoi këtë incident si një dëshmi të qartë të “pazareve të ulëta dhe të turpshme” brenda LVV-së, duke akuzuar këtë subjekt për kriminalitet dhe shpërdorim të hapur të besimit publik.

Sipas LDK-së, premtimet e Vetëvendosjes për transparencë dhe ndryshim janë përdorur si maskë për praktika të korruptuara dhe kriminale.
“Në vend që të mbrojnë interesin publik, këto politika përfundojnë duke vendosur përfitimet personale dhe partiake mbi interesat e qytetarëve,” thuhet në reagim.

LDK-ja kërkoi nga organet e drejtësisë që të hetojnë me seriozitet këtë çështje dhe të sigurojnë që asnjë veprim i kundërligjshëm të mos mbetet pa pasoja.

“Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të pista që minojnë besimin e qytetarëve. Vetëm një ndëshkim i qartë i këtij keqpërdorimi mund të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të rikthejë standardet etike në përfaqësim,” përfundon deklarata.

Ky skandal ka zgjuar reagime të forta dhe është pritur me shqetësim nga publiku, duke ngritur shqetësime mbi standardet etike dhe ligjore të përfaqësuesve në institucionet komunale.