Bizneset shqiptare në Veri thonë se konsumatorëve atje do t’u ofrojnë edhe prodhime me origjinë nga Serbia
Biznesi duhet t’i përshtatet interesit të konsumatorëve, thonë përfaqësues të një kompanie kosovare, e cila, së voni, ka hapur një pikë shitjeje në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Ata zotohen se në raftet e dyqanit të tyre ushqimor atje do të ketë edhe prodhime me origjinë nga
Biznesi duhet t’i përshtatet interesit të konsumatorëve, thonë përfaqësues të një kompanie kosovare, e cila, së voni, ka hapur një pikë shitjeje në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Ata zotohen se në raftet e dyqanit të tyre ushqimor atje do të ketë edhe prodhime me origjinë nga Serbia.
“Ne nuk bëjmë politikë. Kemi ardhur për biznes, t’iu ofrojmë konsumatorëve shërbim të mirë dhe cilësor, si dhe t’iu përshtatemi interesave të tyre”, thotë Nevzad Kadriu, përgjegjës për hapje dhe mirëmbajtje të dyqanit Interex.
Hapja e tij në Leposaviq, në fillim të muajit të kaluar, ka përkuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.
Për më shumë se një vit ato kanë qenë të ndaluara, si masë sigurie për Kosovën, ka thënë Qeveria e vendit.
Javën e kaluar, kur ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte te dyqani në fjalë, aty nuk kishte prodhime të Serbisë. Arsye për këtë, sipas Kadriut, ishte koha e shkurtër prej tri javësh – që nga heqja e ndalesës – për t’u furnizuar me to.
“Gjithsesi, [prodhimet serbe] janë diçka e mirë për këtë pjesë të konsumatorëve dhe ne do t’i ofrojmë në të ardhmen”, thotë Kadriu.
Në anketa të mëhershme të Radios Evropa e Lirë, shumë qytetarë në veri kanë thënë se u mungojnë produktet me të cilat “janë mësuar gjatë gjithë jetës”.
Mungesa e tyre ka detyruar disa biznese në këtë zonë edhe të mbyllen.
Të dhënat nga Dogana
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat i janë komunikuar Radios Evropa e Lirë, që nga heqja e masës që bllokonte importin e mallrave me origjinë nga Serbia, më 7 tetor, e deri më 25 tetor, në Kosovë kanë hyrë 528 dërgesa me mallra me origjinë nga Serbia, kryesisht ndërtimore dhe ushqimore.
Kadriu tregon se dyqanin në Leposaviq e frekuentojnë mbi 500 konsumatorë në ditë – shumica prej të cilëve, sipas tij, i takojnë komunitetit serb.
Beson se prania e prodhimeve serbe do të mund ta rriste, deri në një masë, numrin e tyre.
“Ndonëse, nga ajo që kemi parë deri më tash, mungesa e tyre nuk ka qenë ndonjë pengesë e madhe”, thotë Kadriu për Radion Evropa e Lirë.
Nga 50 punëtorë sa ka dyqani që menaxhon ai, 47 thotë se janë të komunitetit serb, dy nga komunitetet tjera dhe një shqiptar.
Bizneset në veri
Bizneset shqiptare në veriun e banuar me shumicë serbe – posaçërisht ato të mëdhatë – kanë qenë thuajse joekzistente deri këtë vit.
Dyqane të shqiptarëve kanë mundur të vërehen kryesisht në lagje multietnike të zonës.
Kjo, për faktin se popullata atje, nën ndikimin e Serbisë dhe të strukturave të saj paralele në Kosovë, vështirë u është bindur vendimeve të institucioneve në Prishtinë.
Këto të fundit, në anën tjetër, kanë marrë së voni disa hapa, në përpjekje për ta shtrirë sa më shumë autoritetin atje.
Mes tjerash, kanë ndaluar qarkullimin e dinarit serb dhe kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, duke i cilësuar si të paligjshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë të Kosovës, nga janari deri në shtator të këtij viti, në komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë regjistruar 220 biznese të reja, prej të cilave 19 me pronarë shqiptarë.
Çfarë thonë qytetarët në Leposaviq?
“Duhet të ketë edhe mallra serbe, sepse njerëzit janë mësuar me to. Ato mungojnë. Për shembull, produktet me mish të tharë të derrit këtu blihen shumë”, thotë Mirsad Huskoviq, klient në këtë dyqan.
Një bashkëvendëse e tij, që nuk do të identifikohet, thotë se shitja e produkteve të Serbisë në bizneset me pronarë shqiptarë, do të duhej të ishte gjë normale.
“… por, dalëngadalë. Unë jam e kënaqur. Me paratë e mia mund të blej ku të dua. Nuk më intereson, aspak”, thotë ajo.
Ngjashëm shprehet edhe Zhivka Obradoviq. Mjafton që tregu t’i plotësojë nevojat e konsumatorëve, pavarësisht nëse produktet janë nga Serbia ose jo, sipas saj.
“Ju them sinqerisht, njerëzit shkonin nga këtu në Mitrovicë [të Jugut – komunë e banuar me shumicë shqiptare] për të blerë. Pse të mos blejmë këtu, e kemi afër… Unë kam hyrë këtu disa herë. Se a më gjykon ose jo dikush për këtë, nuk e di”, thotë Obradoviq.
“Kohë e çmendur”
Pak më shumë se 30 kilometra larg Leposaviqit, në Mitrovicë të Veriut gjendet edhe një tjetër dyqan ushqimor që i përket zinxhirit Meridian Express, po ashtu me pronar shqiptar.
Ai është hapur në këtë komunë me shumicë serbe në fund të gushtit.
Javën e kaluar, kur e vizitoi ekipi i REL-it, aty nuk kishte produkte me origjinë serbe.
Jeton Hyseni, menaxher i kësaj dege, thotë se i takon menaxhmentit të rrjetit të dyqaneve të vendosë nëse do të sjellë produkte me origjinë nga Serbia.
Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, nga ky menaxhment thonë se çështja e furnizimit të dyqanit me produkte të tilla “mbetet të shihet, varësisht kërkesave të klientëve në zonë”.
Hyseni thotë se klientët serbë që e frekuentojnë dyqanin në Mitrovicë të Veriut, janë të rrallë ose fare.
“Dëgjojmë nga disa klientë serbë që nuk guxojnë të hyjnë ose hyjnë me vështirësi, sepse thonë se po fotografojnë nga vende të ndryshme, se cilët njerëz hyjnë brenda… Arsyen e dinë ata, nuk tregojnë…”, thotë Hyseni.
Një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të identifikohet vetëm me mbiemrin Llazareviq, thotë se banorët e zonës e bojkotojnë biznesin shqiptar.
“Krejt çfarë po ndodh, nuk është situatë realiste. Këtu është krijuar një vakum për 20 vjet, është jetuar një jetë tjetër…më falni, por nuk dua të flas shumë”, shprehet ai.
“Nuk është se nuk dua, por, thjesht, nuk hyn askush, nuk guxon. Unë jam me popullin tim, ndonëse unë nuk jam nacionaliste, por… çfarë të them? Kohë e çmendur”, thotë një banore tjetër e Mitrovicës së Veriut.
Prej vitesh, produktet nga Serbia kanë qenë ndër më dominueset në tregun kosovar.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me udhëheqësit e dy dyqaneve në veri edhe më 7 nëntor, por ata thanë se nuk kanë marrë ende furnizime me prodhime serbe.
Të tilla, ndërkohë, mund të vërehen në disa dyqane në Prishtinë, të cilat i ka vizituar ekipi i REL-it pasditen e 7 nëntorit.
Hyrja e tyre vazhdon të shoqërohet me vonesa në Merdare dhe pala kosovare dhe ajo serbe akuzojnë njëra-tjetrën se i kanë komplikuar procedurat e eksport-importit. /REL/