Burgjet në vend janë të mbipopulluara dhe në kushte ç’njerëzore

Avokati i Popullit në raportin për vitin 2025 konstaton se kushtet në burgjet e Maqedonisë së Veriut janë çnjerëzore, ndërsa ngre alarmin që institucionet ndëshkuese korrektuese vazhdojnë të mbipopullohen jashtë çdo standardi, kurse të burgosurit mbajnë dënimet në hapësira pa dritë, higjienë dhe ajër të pastër. “Përmbajtja e parashtresave tregon se problemi më i madh […]

Prill 5, 2026 - 20:00
Burgjet në vend janë të mbipopulluara dhe në kushte ç’njerëzore

Avokati i Popullit në raportin për vitin 2025 konstaton se kushtet në burgjet e Maqedonisë së Veriut janë çnjerëzore, ndërsa ngre alarmin që institucionet ndëshkuese korrektuese vazhdojnë të mbipopullohen jashtë çdo standardi, kurse të burgosurit mbajnë dënimet në hapësira pa dritë, higjienë dhe ajër të pastër.

“Përmbajtja e parashtresave tregon se problemi më i madh në këto institucione janë kushtet e papërshtatshme të akomodimit, mbipopullimi, kushtet johigjienike, mungesa e dritës natyrore dhe ajrit të pastër, si dhe mungesa e pajisjeve, probleme që vazhdojnë të jenë të pranishme për një periudhë të gjatë kohore”, nga Raporti i Avokatit të Popullit.

• Burgjet me kushte të papërshtatshme
• Mungon higjiena, drita e ajri i pastër

Pavarësisht vërejtjeve, nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve thonë se për higjienën, përgjegjës janë të burgosurit.

“Shtëpitë ndëshkuese korrektuese sigurojnë kushte bazë dhe mjete për mbajtjen e higjienës, ndërsa personat e dënuar janë të obliguar që të kujdesen për mirëmbajtjen e hapësirës së tyre dhe higjienën personale”, deklaruan nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

• Burgjet sigurojnë mjete për higjienë
• Për higjienën, përgjegjës janë të burgosurit

Kur jemi te mbipopullimi, situata në vend që të përmirësohet, ndër vite përkeqësohet. Në burgun e Idrizovës gjatë vitit 2025 është dyfishuar mbipopullimi, nëse krahasohen të dhënat me vitin 2024. Kapaciteti është për 1.187 të burgosur, megjithatë janë evidentuar 1.402 apo 215 më shumë. Në Burgun e Shtipit duhet të ketë maksimum 139 të burgosur, megjithatë janë evidentuar 255 apo 116 të më shumë. Në Shutkë, në dy reparte ka gjithsej 79 të burgosur më shumë se kapaciteti i lejuar, në Prilep 35, ndërsa në Manastir 22.

Për këtë, nga Drejtoria thonë se me rëndësi është që sigurojnë krevat për çdo të burgosur.

“Duam të theksojmë se të gjithë të dënuarve u sigurohet shtrat dhe hapësirë individuale, që mundëson plotësim të standardeve bazike për jetë. Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve edhe në të ardhmen do të angazhohet për respektimin e kushteve ligjore, por plotësimi i plotë i tyre është i mundshëm me ndërtimin e objekteve të reja, por edhe zbatimin më të madh të masave alternative”, thanë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

• Të dënuarve u sigurohet shtrat dhe hapësirë individuale

E nga ana tjetër, sistemi i kujdesit shëndetësor brenda burgjeve nuk u përgjigjet në mënyrë adekuate kërkesave të burgosurve. Mungon stafi mjekësor dhe barnat. Sipas Avokatit të Popullit, veçanërisht shqetësuese janë pretendimet për kujdes të pamjaftueshëm për personat me sëmundje kronike, probleme të shëndetit mendor ose varësi.

“Ekzistojnë dobësi serioze dhe sistemike në funksionimin e sistemit shëndetësor në burgje, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe dinjitetin e tyre. Mungesa e stafit mjekësor, veçanërisht e mjekëve dhe infermierëve me prani të përhershme, shkakton gjendje në të cilën problemet shëndetësore nuk trajtohen në kohë ose në mënyrë adekuate, ndërsa mungesa e mjaftueshme e barnave dhe pajisjeve mjekësore i detyron të burgosurit që vetë të sigurojnë terapinë e nevojshme ose të mbeten pa të”, nga Raporti i Avokatit të Popullit.

• Në burgje nuk ka mjaftueshëm staf mjekësor
• Mungojnë barnat dhe terapitë për të burgosurit

Për këtë, nga Drejtoria përgjigjen se nuk është kompetencë e tyre, por e Ministrisë së Shëndetësisë./Alsat.mk.