Çka pritet nga presidenca e dytë e Trumpit?

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump bëri premtime të mëdha për atë që mund të pritej nëse ai do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. “Me mbështetjen tuaj, ne do ta kthejmë fuqinë, dominimin, prosperitetin dhe krenarinë e vendit tonë”, tha Trump dy javë para ditës së zgjedhjeve. “Kjo do të jetë epoka e

Nëntor 7, 2024 - 01:00
 0  5
Çka pritet nga presidenca e dytë e Trumpit?
cka-pritet-nga-presidenca-e-dyte-e-trumpit?

cka-pritet-nga-presidenca-e-dyte-e-trumpit?

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump bëri premtime të mëdha për atë që mund të pritej nëse ai do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.

“Me mbështetjen tuaj, ne do ta kthejmë fuqinë, dominimin, prosperitetin dhe krenarinë e vendit tonë”, tha Trump dy javë para ditës së zgjedhjeve.

“Kjo do të jetë epoka e re e artë e Amerikës”.

Tani që Trump e ka fituar një mandat të dytë si president, çfarë mund të pritet nga administrata e tij e re?

Përgjigjja për këtë pyetje varet shumë nga ajo se kë e pyesni. Mbështetësit e Trumpit besojnë se ai do ta bëjë Amerikën madhështore sërish – sipas motos së fushatës së tij – brenda dhe jashtë vendit.

Kundërshtarët e tij kanë paralajmëruar se Trump do ta minojë demokracinë në Shtetet e Bashkuara.

Koha për hakmarrje

Ai vazhdimisht i ka sulmuar kundërshtarët e tij politikë, duke iu referuar atyre si “armiku nga brenda”, dhe duke sugjeruar se ushtria mund “të merret lehtësisht me ta” në rast të kaosit pas zgjedhjeve.

Komentet kanë nxitur nënpresidenten në largim, Kamala Harris, e cila garoi dhe humbi përballë Trumpit, të thotë para zgjedhjeve se Trump është “i fiksuar pas hakmarrjes, plot mëri dhe i uritur për pushtet të pakontrolluar”.

Brenda vendit, sistemi gjyqësor amerikan është një fushë ku Trump pritet të bëjë spastrime, kryesisht për shkak të rasteve të shumta penale që lidhen me mandatin e tij të parë, përfshirë ndërhyrjen e supozuar në zgjedhje dhe përpjekjet për ta penguar kalimin e pushtetit pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Trump ka thënë, po ashtu, se do t’i falë “patjetër” mbështetësit e tij, të burgosur për rolin e tyre në sulmin e 6 janarit ndaj Kongresit amerikan, në një përpjekje të dështuar për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit.

Gjerësisht, shumë parashikojnë se Trump do ta përdorë “Projektin 2025” – një iniciativë e qendrës analitike djathtiste, Heritage Foundation, në Uashington për të “rrëzuar shtetin e fshehtë” – si mostër për politikat e tij.

Trump është distancuar nga “Projekti 2025” gjatë fushatës së tij, duke thënë se nuk e di se kush qëndron prapa tij, por hulumtimet kanë zbuluar se në të janë të përfshirë të paktën 140 persona që kanë punuar në administratën e kaluar të Trumpit.

“Trump ka qejf të flasë ashpër, por rrallë i çon fjalët deri në fund”, ka thënë Keith Naughton, bashkëthemelues i firmës lobuese Silent Majority Strategies, me bazë në SHBA. “Çfarëdo hakmarrje do të jetë e rastësishme dhe nga pjesëtarët e stafit. Unë mendoj se do të ketë shumë ndryshime në Departamentin e Drejtësisë”.

Edhe mënyra se si Shtetet e Bashkuara e ushtrojnë ndikimin e tyre nëpër botë pritet të ndryshojë.

Trump ka thënë se mund t’i japë fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”.

Me Izraelin të përfshirë në një luftë me dy fronte në Lindjen e mesme kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, Trump i ka bërë thirrje Izraelit “ta kryejë punën”.

Peter Skerry, profesor i shkencave politike në Kolegjin e Bostonit, ka thënë se pret që Trump të “japë shtytje për një lloj zgjidhjeje” ndërmjet Moskës dhe Kievit, të cilat, siç ka parashikuar ai, “nënkuptojnë lëshime të mëdha nga ana e Ukrainës”.

Ajo çfarë Trump do të bëjë në lidhje me Izraelin është më pak e qartë, sipas Skerryt, por ai ka thënë se “do të jetë mbështetës i madh i Izraelit”, ndërsa në të njëjtën kohë do të përpiqet t’i ngjallë Akordet e Abrahamit, që synojnë normalizim arabo-izraelit.

Kina, me të cilën Trump ka nisur një luftë tregtare gjatë mandatit të tij të parë në pushtet, është fushë e paparashikueshme. Trump është zotuar se do të miratojë më shumë tarifa të larta ndaj produkteve të prodhuara në Pekin, nëse Pekini “e okupon Tajvanin”. Ai më herët ka thënë se nuk do t’i duhej ta përdorte forcën ushtarake amerikane për ta parandaluar një bllokadë të mundshme kineze të Tajvanit, për shkak të marrëdhënies së tij me presidentin kinez, Xi Jinping.

Në katër vjetët e tij si president, Trump u ka kërkuar anëtarëve të NATO-s që t’i arrijnë nivelet e kërkuara të shpenzimeve për mbrojtje, objektiva që shumica i kanë përmbushur që atëherë.

Trump ka mbikëqyrur, po ashtu, tërheqjen e SHBA-së nga organizmi kulturor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) me Rusinë, nga marrëveshja bërthamore me Iranin e arritur me fuqitë botërore, nga Marrëveshja e Parisit për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, dhe ka ndërprerë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për shkak të reagimit të saj ndaj shpërthimit të koronavirusit.

Administrata në largim e Bidenit u kujdes që të kthejë ndikimin amerikan në marrëveshjet dhe institucionet e tilla, por shumë njerëz tani parashikojnë një tjetër hap prapa nga Trump.

Skerry ka thënë se Trump është “aktor që ka një qëllim dhe shikon interesat e veta”, i cili është i fokusuar në çështjet e brendshme. Nuk do të ishte befasuese që nga Donald Trump ta shihnim “vazhdimin” e kufizimit të rolit të Uashingtonit në disa institucione globale, ka thënë ai.

Naughton ka thënë se “Trump do të dojë t’i bëjë prapë gjërat vetë”. Por, ai ka shtuar se Kongresi i SHBA-së nuk pritet “të bëjë amin” dhe do të rezistojë./REL