Derisa t’i kalojë të gjithë fazat, Ligji për përfaqësim të drejtë mund të vonojë edhe më shumë se një vit
Pas shfuqizimit të “Balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve. Pushteti aktual zotohet se po punon në ligj të ri për përfaqësim të drejt dhe adekuat por me afatet nuk qëndron në fjalë. Së fundmi nuk japin afate konkrete, por zotohen se “së […]


Pas shfuqizimit të “Balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve. Pushteti aktual zotohet se po punon në ligj të ri për përfaqësim të drejt dhe adekuat por me afatet nuk qëndron në fjalë. Së fundmi nuk japin afate konkrete, por zotohen se “së shpejti do të jetë gati”, megjithatë derisa të përfundojnë të gjithë procedurat, mund të kalojë më shumë se mbi një vjet, shkruan Portalb.mk.
Në paraqitjen e fundit televizive, në intervistë për Alsat M, kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski tha që si ide dhe koncept ligji ka qenë gati që në dhjetor të vitit të kaluar (2024), por tani të njëjtin po e konsultojnë edhe me ekspertë të së drejtës kushtetuese, që mos të ketë hapësirë që ligji të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Çështja nuk është që ne të bëjmë një ligj, të dalim, të lavdërohemi dhe të themi se mbaruam, e pastaj një nga partitë politike opozitare ta çojë përsëri të njëjtin ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese të hapë debate, tema politike, e diskutime politike. Koncepti është gati para vitit të ri, në dhjetor. Tashmë ekspertët kushtetues po e analizojnë, po konsultohen dhe po debatojnë mes tyre dhe vlerësojmë që kur koncepti si i tillë të jetë gati, para se të kalojë në procedurë parlamentare, do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias, që askush të mos ketë mundësi të bëjë politikë prej tij”, tha kryeministri Mickoski.
Në pyetjen se a do thotë kjo se do të zgjasë shumë, derisa të presim mendim nga Komisioni i Venecias, Mickoski u përgjigj:
“Sa shpejt do jetë, tani nuk do jem sekundant që do të vendos nëse do të jetë pas një jave, një muaji apo gjashtë muajve, … mund të jetë më shumë se një vit. Por, thelbi është të arrijmë në një zgjidhje që do të na garantojë aktualisht përfaqësim të vërtetë të drejtë, por edhe kushtetutshmëri”, theksoi mes tjerash kryeministri.
Ndryshe, udhëheqës të grpuit punues për ligjin në fjalë janë koalicioni VLEN, respektivisht zëvendëskryeministri i angazhuar për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
Nga zyra për informim e zëvendëskryeministrit Fetai për Portalb kanë konfirmuar se diskutimet janë në fazën përfundimtare dhe se janë angazhuar njohës të së drejtës kushtetuese.
“Në të grup marrin pjesë ekspertë dhe profesorë të së drejtës kushtetuese nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, së bashku me këshilltarë politik nga Zyra e Kryeministrit dhe kabinetet respektive. Aktualisht, punimet janë në fazën përfundimtare brenda grupit të punës. Ne theksojmë se, krahas afateve, është thelbësore të arrihet një zgjidhje e mirë, juridikisht e pakontestueshme dhe funksionale, për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare një çështje të trashëguar që duhej të kishte qenë e rregulluar në mënyrë ligjore menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001)”, thanë për Portalb.mk nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fetai.
Shqetësimin për (mos)përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione së fundmi e kanë ngritur edhe nga koalcioni opozitar Fronti Evropian.
Kujtojmë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka mekanizëm juridik që do të mbrojë shqiptarët apo etnitetet tjera që të mos diskriminohen gjatë punësimit. Partneri shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN që nga ardhja në pushtet siguron se po punohet në Ligj që do jetë më në nivel se balancuesi, ndërkaq kryeministri Hristijan Mickoski kërkon durim që ligji i radhës të mos jetë vetëm një implant që duhet pastaj të hidhet, por një zgjidhje ligjore adekuate dhe në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: FE me pyetje deri te VLEN: Ku mbeti ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Nuk duam të sjellim një implant që pastaj ta hedhim
- LEXO: VLEN: Inspektorati Shtetëror i Administratës do të sanksionojë shkeljet e Ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
- LEXO: Nga vrulli në prolongim, VLEN i hëngri disa herë fjalët e veta: Nuk u bëhet vonë për Ligjin për përfaqësim të drejtë
- LEXO: RMV, Balancuesi iku në histori: Si e arsyetoi Kostadinovski vendimin dhe cilat janë pasojat eventuale?