Shit-blerja e notave lulëzon në universitetet e RMV-së, askush nuk ndërmerr asgjë
Një nga problemet më të mëdha të korrupsionit në arsimin e lartë mbetet shit-blerja e notave dhe provimeve. Pavarësisht se studentët ankohen se profesorët ju kërkojnë para për të kaluar lëndën, ata nuk i raportojnë këto raste për shkak të frikës dhe mosbesimit. Institucionet nuk kanë të regjistruara raste ndërsa universitetet i inkurajojnë studentët që […]


Një nga problemet më të mëdha të korrupsionit në arsimin e lartë mbetet shit-blerja e notave dhe provimeve. Pavarësisht se studentët ankohen se profesorët ju kërkojnë para për të kaluar lëndën, ata nuk i raportojnë këto raste për shkak të frikës dhe mosbesimit. Institucionet nuk kanë të regjistruara raste ndërsa universitetet i inkurajojnë studentët që me fakte t’i paraqesin të korruptuarit. Alarmoi edhe FNA-ja, shkruan Portalb.mk.
88 të anketuar, mbi 25 raste të korrupsionit
Përmes anketës publike në redaksinë e Portalbit kanë arritur mbi 25 ankesa nga studentë dhe ishstudentë të cilët thonë se në universitetet publike të vendit ekziston korrupsioni dhe që i njëjti shfaqet nga profesorët të cilët kërkojnë para për nota, provime dhe blerje të librave.
Raportet që pranuam u referohen Universiteteve “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup (UKM), Universitetit të Tetovës (UT), “Goce Dellçev” – Shtip (UGD) , “Shën Klimenti i Ohrit”- Manastir (UKLO) , dhe Universitetit të Evropës Juglindore – Tetovë&Shkup (UEJL).
Për Universitetin “Nënë Tereza” dhe Universitetin e Shkencave dhe Teknologjive të Informacionit “Shën Apostoll Pavle” nuk pati asnjë raportim.
Çfarë thonë raportimet?
Për “Universitetin Shën Kirili dhe Metodi” raportimet janë për fakultete të ndryshme por prin Fakulteti i Mjekësisë.
Ja çfarë thanë studentët: “Në Fakultetin e Mjekësisë – Katedra e Anatomisë”, në Fakultetin e Stomatologjisë”, “në Fakultetin e Mjekësisë – Anatomi, i shqetëson studentët 3-4 vite, vetëm që të mos regjistrohen në vitin e tretë të fakultetit, njëherë u ka kërkuar 2500 euro”, “nga shoqja kam dëgjuar se në Fakultetin Ekonomik një profesoreshë u ka kërkuar para për tu dhënë nënshkrime studentëve që nuk i kanë ndjekur ligjëratat”, “në FSHIIK”, “erdhi në konsultime, e pa fletoren dhe tha se nëse do të kalosh duhet të japësh diçka”.
Për Universitetin e Tetovës raportimet janë kryesisht për Fakultetin e Mjekësisë, por ka edhe për fakultetet tjera.
Kështu u shprehën disa nga ata për Portalb: “Shumë profesorë me mbiemrin e njëjtë”, “i ka kërkuar para një shokut”, “300 euro për një provim”, “nuk ua jep notat studentëve pa ia blerë librin”, “profesoresha në vitin e dytë nuk kalon asnjë student pa pasur të njohur ose pa marrë para”.
Edhe në Universitetin “Goce Dellçev” dominon Fakulteti i Mjekësisë. “Në Fakultetin e Mjekësisë më kërkoi 600 euro për notën 6, isha viti i parë, gjithçka ishte e saktë në përgjigjet e mia. Di studentë që kanë foto dhe video se si profesoresha do dhe merr para”, “kjo është vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, deri para disa vitesh kishte edhe listë çmimesh për notat, kush sa para merr për notë”, “profesori nuk më jep mundësi provim dhe me këtë më zhvat para”, “fakulteti i Shkencave Mjekësore. Blerja e notave ekziston në secilin prej 6 viteve, dhe jam më i sigurt për vitin e tretë, të katërt dhe të pestë. Ka shumë biseda dhe blihen nota, kryesisht për lëndë të rëndësishme”.
Për Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” rastet potencojnë: “Koleges time profesoresha i kërkoi 100 euro për notën 6, kurse për notën 8 200 euro”, “më kërkoi 50 euro që të më kalojë, përndryshe më kërcënonte se do më rrëzojë çdo herë”.
Për Universitetin e Evropës Juglindore rastet i referohen Fakultetit të IT-së.
“Në vitin 2019 jemi detyruar ta blejmë librin për kalimin e lëndës”.
Studentët frikësohen të paraqesin
Pavarësisht se problemi ekziston, studentët hezitojnë të paraqesin rastet, kryesisht sepse nuk kanë besim në institucione dhe se do të jenë ata vetë që do e pësojnë.
“Jemi frikësuar nga përjashtimi nga fakulteti”, “profesoresha është shumë e keqe dhe të bën problem”, “Sepse kam dëgjuar disa raste nga vite më parë kur profesoresha iu është hakmarrë deri në rindjekje të lëndës dy vite”, “nuk merret parasysh”, “askush nuk ndërmerr masa”, “po kush do tu dalë ballë atyre në atë universitet ku të gjithë janë e njëjta parti”, “e dija që nuk do të kishte efekt”, “nuk di si të paraqes, nuk ka informata të mjaftueshme”, “nuk kam fuqi të tillë, e njëjta do më ligjërojë në vitin e katërt”, “sepse asnjëherë nuk do na japë provimin”, “sepse kotë se e paraqesim”, “askush nuk ndërmerr asgjë”.
Universitetet: Do i shqyrtojmë rastet, deri tani nuk kemi paraqitje
Portalb.mk i ka dorëzuar rezultatet e anketës në universitetet përkatëse, duke përfshirë edhe emrat që arritën në redaksinë tonë.
Shumica e universiteteve shprehen se deri më tani nuk kanë pranuar raportime zyrtare për këtë problem, ndërsa thonë se i inkurajojnë studentët që me fakte t’i raportojnë rastet duke ju garantuar mbrojtje.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore konfirmuan se në të kaluarën kanë hasur në këtë problem, por që kanë ndërmarrë masa.
“Sa i përket rasteve të përmendura nga ju është e saktë se në të kaluarën ka pasur disa profesorë, me orar të pjesshëm të punës, që vijnë nga institucione të tjera dhe që ligjërojnë (part-time) në Universitetin tonë. Pas lajmërimit, Universiteti ka reaguar dhe ka marrë masat adekuate”, thanë nga UEJL.
Rektori i Universitetit “Goce Dellçev” Dejan Mirakovski për Portalb.mk tha se të gjithë informacionet që i dorëzuam do t’i analizojnë me kujdes dhe seriozitet.
“Për sa i përket informacionit nga anketa, dua të theksoj se nuk kam marrë më parë një informacion të tillë, as personalisht në komunikim të drejtpërdrejtë dhe as përmes kanaleve të tjera të komunikimit, pra shërbimeve kompetente të fakultetit apo sistemit të raportimit të korrupsionit”, tha Mirakovski.
Ai shtoi se literatura në këtë universitet është falas dhe e qasshme në bibliotekën elektronike. Mirakovski theksoi mes tjerash se akuzat e tilla paushalle duhen marrë me rezervë, pasi ndaj profesorëve të përmendur nuk është parashtruar asnjë raportim.
“Edhe një herë theksojmë dhe nënvizojmë se inkurajojmë studentët të denoncojnë sjellje korruptive përmes sistemit të ofruar, për të cilin ju sigurojmë se do të sanksionohen nëse faktohet vërtetësia e tyre”, tha rektori i UGD-së.
Nga kabineti i rektorit të UT-së Jusuf Zejneli thanë se drejtuesit e universitetit nuk kanë pranuar denoncime të kësaj natyre.
“I inkurajojmë në radhë të parë studentët, stafet nëpër njësitë akademike, qytetarët e sidomos mediet që nëse kanë dëshmi, argumente, rastet e tilla t’i denoncojnë në fakultete, në rektorat, por edhe tek organet e drejtësisë. Udhëheqja e Universitetit, në zbatim të ligjit, do të marrë masa adekuate, gjithnjë nëse denoncimet e sipërpërmendura argumentohen me fakte”, theksuan nga UT-ja.
As në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, nuk është bërë apo pranuar asnjë raportim zyrtar.
“Ju falënderojmë për mundësinë për të shqyrtuar spekulimet dhe supozimet dhe në të njëjtën kohë inkurajojmë të gjithë ata që ndihen të prekur të paraqesin raporte apo prova zyrtare, në mënyrë që një situatë specifike të analizohet me saktësi dhe të merren masat e duhura nëse është e nevojshme… Ju sigurojmë se të gjitha rastet e tilla do të trajtohen me seriozitetin më të madh”, thanë nga UKLO.
Vetëm nga Universiteti më i madh në vend “Shën Kirili dhe Metodi” nuk pranuam përgjigje për pyetjet gazetareske.
FNA: Korrupsioni në arsimin e lartë në përmasa epidemike
Korrupsioni në arsim është shqetësues, por korrupsioni në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut është në përmasa epidemike. Kështu thonë nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA).
“Përditë del nga një raport i ri që e vërteton këtë, por në këtë pikë që kemi arritur, më shqetësues është fakti që studentët kanë normalizuar këto sjellje kriminale të profesorëve dhe krejt këtë e konsiderojnë si diçka të zakontë, normale dhe të ligjshme, kur në fakt, nuk është ashtu”, thonë nga FNA.
Sipas tyre, zgjidhja qëndron te inspektorati profesional për arsim të lartë, i cili duhet të jetë i paanshëm dhe i pakorruptuar.
“Ata duhet t’i zbulojnë dhe sanksionojnë këto raste, nuk bëhet fjalë vetëm për kundërvajtje ose vepra të lehta penale, këto janë krime të rënda dhe të organizuara, biznesi për shit-blerjen e librave dhe notave po shkëlqen në këtë vend, dhe është i organizuar, nuk janë raste thjesht të izoluara”, theksuan nga FNA.
Institucionet nuk kanë regjistruar asnjë rast
Ministria e Arsimit thotë se sipas informacioneve nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nuk është marrë asnjë denoncim lidhur me kërkimin e parave nga profesorët për provim apo notë.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës inkurajon të rinjtë që të raportojnë nëse njohin apo hasin ndonjë formë korrupsioni në arsim, pasi ky është hapi i parë në adresimin e sfidës”, thanë nga MASH.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se vitin e kaluar nuk kanë pranuar ndonjë raportim.
“Në vitin 2024 nuk janë regjistruar vepra penale të “marrjes dhe dhënies së ryshfetit” për dhënien e provimeve në të cilat janë përfshirë profesorë në institucionet e arsimit të lartë”, thanë nga MPB.
Nga ky institucion sqaruan se sipas të dhënave që disponojnë, as në “në periudhën 2020-2023 nuk janë regjistruar vepra penale të “marrjes së ryshfetit” nga profesorë në institucionet e arsimit të lartë”.
Prokuroria nuk grumbullon statistika sipas motivit.
“Prokuroritë publike në vend veprojnë për të gjitha raportet për ryshfet. Megjithatë, rastet nuk janë të ndara në statistika të veçanta sipas motivit për të cilin janë dhënë mjetet”, thanë nga Prokuroria Publike.
As në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk është paraqitur asnjë rast.
Ndryshe, problematikë tjetër e madhe dhe jo e raportuar në universitetet e RMV-së mbeten ngacmimet seksuale nga profesorët.