Nga mbi mesataren, RMV-ja ka rënë nën mesataren e BE-së me 102 gjyqtarë më pak se në vitin 2022

Në vitin 2022 Maqedonia e Veriut kishte rreth 470 gjyqtarë apo 26 gjyqtarë për 100,000 banorë, që ishte numër më i lartë se sa kërkohet nga standardet evropiane, pra 21,5 për 100,000 banorë. Megjithatë, situata me gjyqtarët u identifikua si problematike për shkak të mungesës së gjyqtarëve të mjaftueshëm. Tani, tre vite më vonë ka […]

Mars 1, 2025 - 11:00
 0  4
Nga mbi mesataren, RMV-ja ka rënë nën mesataren e BE-së me 102 gjyqtarë më pak se në vitin 2022
Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Në vitin 2022 Maqedonia e Veriut kishte rreth 470 gjyqtarë apo 26 gjyqtarë për 100,000 banorë, që ishte numër më i lartë se sa kërkohet nga standardet evropiane, pra 21,5 për 100,000 banorë. Megjithatë, situata me gjyqtarët u identifikua si problematike për shkak të mungesës së gjyqtarëve të mjaftueshëm. Tani, tre vite më vonë ka ndryshime të mëdha, vendi ka rënë nën mesataren e BE-së për numrin e gjyqtarëve, përkatësisht tani ka 368 gjyqtar, 102 më pak se në vitin 2022. Sipas përllogaritjeve, vendi aktualisht ka 20 gjyqtar per 100.000 banorë, shkruan Portalb.mk.

Derisa në vitin 2022, gjendja ishte paradoksale, edhe pse vendi ishte mbi mesataren e BE-së, vendit megjithatë i nevojiteshin gjyqtarë për shkak të numrit të lartë të lëndëve, për më pak se tre vite situata ka ndryshuar në mënyrë drastike. Këtë e konfirmuan për Portalb.mk nga Këshilli Gjyqësor, nga ku shtojë se janë shtuar aktivitetet për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.

“Aktualisht numri i gjyqtarëve aktivë në gjykatat e RMV-së është 368, pra ka një ndryshim në raport me numrin e gjyqtarëve në vitin 2022. Në drejtim të asaj nëse po merren masa për tejkalimin e problemit dhe sfidave të mungesës së gjyqtarëve, përgjigja është padyshim po, kështu që po planifikohen aktivitete për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj nga radhët e kandidatëve nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor për Portalb.mk.

Në pyetjen se për çfarë arsye ka një rënie të tillë gjyqtarësh, nga Këshilli thonë se shumica dërmuese e gjyqtarëve janë larguar për shkak të pensionimit, por ka nga ata që janë përjashtuar për shkak të konstatimit të kryerjes së funksionit në mënyrë joprofesionale.

“Në periudhën nga data 01.01.2022 deri më 31.12.2024, u konstatua përfundimi i funksionit gjyqësor për gjithsej 142 gjyqtarë, nga të cilët 132 gjyqtarë janë në pension, te 4 gjyqtarë u konstatua kryerja joprofesionale dhe e pakujdesshme e funksionit gjyqësor, dy gjyqtar, me kërkesë të tyre janë larguar nga funksioni, një gjyqtar për shkak të zgjedhjes në një funksioni tjetër dhe një gjyqtar për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Ndryshe, në vitin 2022 Maqedonia e Veriut kishte më shumë gjyqtarë se sa kërkojnë vetë standardet evropiane, por përsëri kishte mungesë të tyre. Kjo në shikim të parë dukej paradoksale, por në fakt arsyeja pse kishte mungesë, ishte për shkak të lëndëve të tepërta, të cilat nuk ishin përpunuar ende dhe nuk kishin epilog përfundimtar, që mund të qonte në vjetërsimin e lëndëve. Situata nuk është se ka ndryshuar as tani në këtë drejtim dhe pikërisht ky është edhe shkaku që plotësimi i vakancave në gjyqësore kërkohet me ngulm edhe nga Bashkimi Evropian.

“Standardet evropiane për sa i përket numrit të gjyqtarëve janë të qarta – duhet të ketë 21.5 gjyqtarë për 100 mijë banorë dhe në vendin tonë sipas atij standardi kemi më shumë gjyqtarë se sa na duhen. Megjithatë, është fakt që gjyqësori duhet të optimizohet dhe racionalizohet, sepse barrën më të madhe për gjykatat e ka Shkupi si qyteti më i madh me numrin më të madh të banorëve”, tha atëkohë ish-ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski, në debatin e organizuar nga Konventa Nacionale për BE.

Zëdhënësit të Këshillit Gjyqësor, Ljubisha Arsiq për Portalb.mk, gjatë vitit 2022 tha se vendit i nevojiten rreth 630 gjyqtarë dhe prandaj, nënvizoi ai, “themi se na mungojnë rreth 150 deri në 160 gjyqtarë kur e krahasojmë këtë numër të sistematizimit me atë ekzistues prej 470”.

Këshilli Gjyqësor, u shpreh atëkohë Arsiq, ka miratuar sistematizim të pozitave gjyqësore në vend qysh para se të zbatohet regjistrimit i popullsisë dhe sipas tij na nevojiten rreth 630 gjyqtarë dhe prandaj, nënvizon ai, themi se na mungojnë rreth 150 deri në 160 gjyqtarë kur e krahasojmë këtë numër të sistematizimit me atë ekzistues prej 470.

Sipas kësaj matematike, aktualisht, vendit i nevojiten rreth 255 deri në 265 gjyqtar që sistemi gjyqësor të funksionojë siç duhet.

Arsyeja për mungesën e gjyqtarëve në vend deri në vitin 2022 ka qenë jofunksionimi i Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve për dy vite, çka nënkupton se nuk ka pasur mundësi për gjykatës të rinj që do të plotësonin vendet vakante.

Ndërkohë tani, arsye për mos-zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj, sipas Raportit të BE-së për progresin është planifikimi i dobët dhe vonesat në procedurën e tenderit për kryerjen e testeve elektronike për disa institucione publike, përfshirë edhe provimet pranuese për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë, çka rezultuan në nevojën për ndryshime legjislative.

“Gjykata Kushtetuese në qershor 2024, duke vendosur për një nismë të Akademisë dhe dy avokatë, që kundërshtonin nenin e gabuar, e anuloi atë. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pranoi ankesat për të ndërprerë testet e pranimit në Akademi gjatë periudhës zgjedhore. Gjykata Administrative fillimisht i kërkoi KSHPK-së rivlerësimin, por Gjykata e Lartë Administrative përfundimisht e la në fuqi vendimin, duke e ndërprerë procesin e përzgjedhjes deri në formimin e qeverisë së re, pasi u konsiderua si çështje punësimi. Këto veprime vonuan rekrutimin më të madh ndonjëherë të Akademisë prej 130 kandidatësh që synonte të adresonte mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në Raportin e BE-së.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që vendet vakante të plotësohen. Kjo qëndron si reformë edhe në Agjendën Reformuese ku kërkohet që “vendet e zbrazura për gjyqtarë dhe prokurorë plotësohen rregullisht në bazë të projeksioneve të Këshillit Gjyqësor/Këshillit të Prokurorëve Publikë pas zbatimit të strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata”.