Diaspora/ Vota me dokumente të huaja, në KQZ ka zëra pro dhe kundër kërkesës së opozitës

Socialistët janë në kërkim të 84 votave edhe përtej oborrit të Partisë Demokratike për ndryshimet në Kodin Elektoral që lehtësojnë votën e Diasporës. Komisioneri, Ilirjan Celibashi e sheh si problematik kushtin e Sali Berishës për të votuar edhe shqiptarët me dokumente identifikimi biometrike të huaja. Por ky qëndrim nuk reflektohet si i tillë në një […]

shkurt 6, 2025 - 20:00
 0  4
Diaspora/ Vota me dokumente të huaja, në KQZ ka zëra pro dhe kundër kërkesës së opozitës

Socialistët janë në kërkim të 84 votave edhe përtej oborrit të Partisë Demokratike për ndryshimet në Kodin Elektoral që lehtësojnë votën e Diasporës.

Komisioneri, Ilirjan Celibashi e sheh si problematik kushtin e Sali Berishës për të votuar edhe shqiptarët me dokumente identifikimi biometrike të huaja. Por ky qëndrim nuk reflektohet si i tillë në një tjetër hallkë të KQZ, Komisionin Rregullator ku qëndrimet e palëve janë të kundërta.

Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çaka thotë: “Gjithëpërfshirja, ky parim ka të bëjë me përfshirjen në procesin e regjistrimit dhe të atyre shtetasve shqiptar me banim jashtë shteti të cilët nuk disponojnë një dokument identifikimi shqiptar, por disponojnë një dokument biometrik të një shteti të huaj”.

Kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano thotë: “Sipas parashikimeve aktuale të Kodit Zgjedhor, votimi me dokumente biometrike të huaja nuk është i mundur”.

E enjtja e 13 shkurtit do jetë një test për politikën nëse e ka apo jo seriozisht me premtimin për votën e diasporës. Por, rreziku i një ngërçi shfaqet në horizont edhe tek kjo hallkë e KQZ, e cila i ka sytë nga Parlamenti për fatin e votës së Diasporës.

Kodi Zgjedhor ka parashikuar që për të implementuar votimin nga jashtë duhet një votim të paktën me 4 vota pro në Komisionin Rregullator dhe përbërja e këtij organi ndahet në 2 anëtar të zgjedhur nga opozita dhe 3 me votat e mazhorancës.

“Ne si komision rregullator miratojmë padyshim dhe zbatojmë Kodin Zgjedhor që miratohet me 84 vota”, thotë Nano.

“Do vendosim në interes të votës së drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë mes, do përvëlojë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Çaka.

Politika ka 6 ditë kohë për të gjetur dakortësi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e Diasporës, por konsensusi me partinë e Berishës duket i vështirë pas kushtit që të votojnë edhe emigrantët me dokumente identifikimi te huaja.