Dimër i nxehtë në trafikun e Tetovës, nuk ka zgjidhje për kaosin në komunikacion
Ashtu si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit në Tetovë rritet edhe kaosi në trafik. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Autoritetet lokale nuk ofrojnë ende zgjidhje edhe pse vazhdimisht paralajmërojnë të njëjtën. Shoferët e pandërgjegjshëm nuk i ndalojnë as gjobat e policisë […]
Ashtu si çdo vit, me ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit në Tetovë rritet edhe kaosi në trafik. Qytetarët janë të lodhur nga pritjet e gjata në timon dhe rrugët e bllokuara. Autoritetet lokale nuk ofrojnë ende zgjidhje edhe pse vazhdimisht paralajmërojnë të njëjtën. Shoferët e pandërgjegjshëm nuk i ndalojnë as gjobat e policisë që të mos parkohen vend e pa vend, shkruan Portalb.mk.
Qytetarëve në Tetovë kaosi në trafik ju shkakton kokëdhimbje.
“Tani kanë ardhur mërgimtarët është problem me parkingjet por nuk ka mjaftueshëm”, tha një qytetar.
“Nuk ka parkingje, urgjentisht duhen parkingje”, tha një qytetar tjetër.
“Është problem i madh, normal duhet të zgjidhet por zor se bëhet”, tha një qytetar.
Zëdhënësi i Policisë së Tetovës Fatmir Rexhepi theksoi se automjetet që pengojnë rrjedhën normale të qarkullimit do të merren nga shërbimet komunale merimangë, ku do të ketë aktivitete të intensifikuara dhe me orar më të gjatë pune.
“Gjatë periudhës prej 01-janar deri më 30-nëntor 2024 janë shqiptuar gjithsej 4774 masa ndaj shoferëve të cilët kanë qenë gabimisht të parkuara, kurse shërbimi komunal i merimangës, gjatë kësaj periudhe ka marrë gjithsej 2812 automjete të cilat drejt për së drejti kanë penguar rrjedhojën e trafikut”, tha Rexhepi.
Ai apeloi që shoferët të respektojnë rregullat në komunikacion që të shmangen bllokimet e trafikut.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami edhe pse ka premtuar vazhdimisht zgjidhje për këtë problem, tani thotë se problemi është më kompleks se sa dëshira për ta zgjidhur.
“Ka të bëjë me atë që gati se gjithë qytetarët parkojnë aty ku ata vlerësojnë, nuk është që ka qytetarë të cilët e respektojnë vendparkimin aty ku është vendparkim zyrtar. Vetë procedura e dënimit sipas sqarimit të atyre (policisë) është problematike”, tha Kasami.
Sipas tij, nuk është vetëm problemi i mungesës së vendparkimeve, ku ai përmendi si dy pika kritike te tregu i qytetit ku ka parking edhe privat edhe publik si dhe te pjesa në dalje të qytetit në rrugën e Ilindenit për nga Gostivari, por që që nuk shfrytëzohen.
Ai tha se kanë porositur një studim i cili pritet të ofrojë pasqyrë më të qartë për këto probleme që pastaj të veprohet.
“Në kuadër të planit gjeneral urbanistik veç më kemi porositur një studim të mobilitetit përmes të cilit shpresojmë që do e zgjidhim edhe çështjen e parkingut edhe çështjen e regjimit të rrugëve, edhe çështjen e transportit publik edhe të uzurpimit të trotuarëve. Përmes këtij studimi ne përfundimisht do ta zgjidhim edhe çështjen se ku do mundet të ketë parkingje të hapura apo parkime zonale”, tha Kasami.
Dinamika e paraparë në plani gjeneral është 15 muaj, ndërsa dinamika për këtë studim është diku tre muaj.
“Pra nëse e marrim këtë dinamikë, diku nga shkurti, fundi i marsit duhet ta kemi gati këtë studim i cili do na zgjidh problemin”, tha Kasami.
Kasami tha se do të ulen të diskutojnë me udhëheqësinë e re të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim edhe për mundësinë që të rehabilitohen strehimoret e qytetit që nuk shfrytëzohen që ndërmarrja e parkingjeve t’i shfrytëzojë për parkim por edhe të kenë funksionin si strehimore.
Ndërsa sa i përket garazheve në kate ai tha se janë në fazën e përgatitjes së dokumentacionit teknik që të shohin pastaj mundësinë e ndërtimit të atyre garazheve.
Për të zbutur sado pak këtë problem gjatë pushimit dimëror oborret e disa shkollave në Tetovë do shndërrohen në parkingje.
Përndryshe, zgjidhje konkrete për kaosin në trafik në Tetovë nuk ka me vite. Problem mbetet mungesa e vendeve të parkimit si dhe parkimi vend e pa vend i qytetarëve dhe shpesh mos marrja e masave ndaj tyre. Autoritete pavarësisht se me vite të tëra kanë premtuar, zgjidhje nuk ka ende.