Dorëzohet aktakuzë ndaj Palevskit për rrëmbim dhe vrasje të dyfishtë
Prokuroria ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Penale në Shkup kundër Lupço Palevski Pallços për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi si dhe për rrëmbimin dhe vrasjen e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Palevski mund të dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. Prokuroria Publike njoftoi se është dorëzuar propozim për […]
Prokuroria ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Penale në Shkup kundër Lupço Palevski Pallços për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi si dhe për rrëmbimin dhe vrasjen e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Palevski mund të dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Prokuroria Publike njoftoi se është dorëzuar propozim për zbatimin e procedurës së vetme ndaj Pallços dhe katër personave të tjerë të akuzuar më parë për rrëmbimin dhe vrasjen e Gjorçevskës, për shkak se është konstatuar se ka lidhje ndërmjet veprimeve të tyre në aspektin kohor, vendit dhe mënyrës së kryerjes së veprës.
“Së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para si kompensim. Më datë 27.11.2023, i akuzuari, i ndihmuar nga prindi i akuzuar, e ka rrëmbyer vajzën në hyrje të objektit në rrugën “Naum Naumovski Borçe” në Shkup. E kanë lidhur dhe e kanë çuar në afërsi të vendit të quajtur “Dupki”, në zonën e fshatit Brazdë dhe aty në mënyrë mizore e kanë privuar nga jeta me paramendim”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Sipas Prokurorisë, Pallço dhe bashkëpunëtorët e tij pesë ditë më herët e kanë rrëmbyer 74-vjeçarin Zhezhovski nga Velesi, për ta detyruar që t’ua jepte automjetin e tij, të cilin më pas do ta përdornin për të rrëmbyer Gjorçevskën.
“Më datë 22.11.2023, i akuzuari së bashku me tre të akuzuar të tjerë paraprakisht, së bashku kanë kryer rrëmbimin e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles, me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij “Citroen” për ta përdorur për rrëmbimin e fëmijës në Shkup. Të akuzuarit kanë shkuar në shtëpinë e viktimës, e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë lidhur, më pas e kanë futur në bagazh dhe janë drejtuar në vendin e quajtur “Rudnik” në afërsi të Velesit, ku për përftim dhe në mënyrë mizore, e kanë privuar nga jeta me paramendim me armë zjarri – pistoletë e kalibrit 9 milimetra”, theksuan nga Prokuroria Themelore Publike.
Aktakuza kundër Palevskit përmban edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit. Pas dy vrasjeve, Palevski për një kohë të shkurtër u arratis në Turqi, ku më 15 maj u arrestua dhe u ekstradua në vend dhe që nga ajo kohë qëndron në burgun e Shutkës.