Durmishi: Shuma e pagës minimale duhet të përcaktohet deri në fund të këtij muaji
Deri në fund të këtij muaji duhet të bëhen llogaritjet dhe të përcaktohet shuma e pagës minimale dhe në atë drejtim tashmë është formuar Komisioni për përcaktimin e përfaqësimit të sindikatave, i cili u votua javën e kaluar në seancën e Qeverisë. Kështu tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në konferencën e sotme […]


Deri në fund të këtij muaji duhet të bëhen llogaritjet dhe të përcaktohet shuma e pagës minimale dhe në atë drejtim tashmë është formuar Komisioni për përcaktimin e përfaqësimit të sindikatave, i cili u votua javën e kaluar në seancën e Qeverisë. Kështu tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se sipas cilit propozim do të përcaktohet shuma e pagës minimale, duke qenë se nuk ka përfaqësim të Sindikatave, dhe nuk ka marrëveshje të Këshillit Ekonomik dhe Social.
“Ka një ligj që është në fuqi, ku sindikatat dhe punëdhënësit janë marrë vesh dhe janë dorëzuar dhe deri në fund të muajit do të bëhen përllogaritjet për të përcaktuar masën e pagës minimale”, tha ai.
Ai theksoi se Komisioni për përcaktimin e përfaqësimit të sindikatave ka filluar punën, me qëllim që të zgjidhet se cila sindikatë i plotëson kushtet për të qenë përfaqësues.
“Menjëherë pas kësaj do të mbledhim Këshillin Ekonomik Social ku do të hapim temën e pagës minimale, nëse punëdhënësit dhe sindikatat bien dakord për një mënyrë tjetër të përcaktimit apo një vlerë tjetër të pagës minimale, ne do të jemi aty për të ndihmuar palët e tjera”, tha ai.
Ai pret që Komisioni të përcaktojë shumë shpejt përfaqësimin e sindikatave, pavarësisht se ato duhet të kontrollojnë shumë dokumente.
“Mirëpo, sipas ligjit që tani është në fuqi, vlera e pagës minimale duhet të përcaktohet deri në fund të këtij muaji, pavarësisht se kemi një situatë pa përfaqësim të Sindikatave”, thotë Durmishi.
Më herët, kryeministri Hristijan Mickoski tha se nga prilli do të paguhet paga minimale e përcaktuar me ligj, ose 2.200 denarë më shumë se paga minimale aktuale.
“Sot kemi seancë qeveritare, fola me ministrin e Ekonomisë dhe Punës. Do të kalojmë informacione sipas ligjit, mendoj se paga minimale do të rritet në 24.400. Kjo është sipas ligjit. Nuk kam një Sindikatë përfaqësuese në Këshillin Ekonomik dhe Social, është formuar një komision që do të përcaktojë përfaqësimin. Shpresoj që së shpejti do të ketë përfaqësues të punëtorëve së bashku me punëdhënësit të arrijnë një konsensus dhe ne do ta respektojmë atë konsensus”, tha kryeministri.
Ai ka theksuar se nëse në muajt në vijim do të ketë marrëveshje ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve për një shumë më të lartë, do të bëjnë ndryshime ligjore, si dhe nivelim shtesë.
Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2024, paga minimale në vend është 22.567 denarë (367 euro) në vlerë neto, gjegjësisht 33.352 denarë në vlerë bruto.