Dy drejtoresha të dënuara për vërtetime të rreme nga e njëjta kompani që ka siguruar certifikatë drejtori i ASK-së Bojan Hristovski

Dy drejtoresha të institucioneve publike në fillim të këtij muaji u dënuan me burgim me kusht nga katër vjet, pasi në momentin e aplikimit për këtë pozicion, si dëshmi e njohjes së gjuhës angleze, kishin paraqitur certifikatë TOEFL të lëshuar nga kompania “Julia CO. LTD” nga Plovdivi i Bullgarisë. Është i njëjti person juridik nga […]

tetor 29, 2024 - 16:01
 0  5
Dy drejtoresha të dënuara për vërtetime të rreme nga e njëjta kompani që ka siguruar certifikatë drejtori i ASK-së Bojan Hristovski
Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski / Foto: Printscreen

Dy drejtoresha të institucioneve publike në fillim të këtij muaji u dënuan me burgim me kusht nga katër vjet, pasi në momentin e aplikimit për këtë pozicion, si dëshmi e njohjes së gjuhës angleze, kishin paraqitur certifikatë TOEFL të lëshuar nga kompania “Julia CO. LTD” nga Plovdivi i Bullgarisë. Është i njëjti person juridik nga i cili vjen certifikata TOEFL e drejtorit të sapo zgjedhur të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, transmeton Portalb.mk.

Sipas aktgjykimit, në të cilin kishte qasje “360 Gradë”, njëra drejtoreshë:

“Ka përdorur si të vërteta dokumentet – Certifikatë të njohjes së gjuhës angleze nr. e-ALB131/30.11.2022 nga shkolla e gjuhëve të huaja JULIA CO. LTD nga Plovdiv, Bullgari dhe ETS TOEFL IBT – Test taker score report nga 3.12.2022, megjithëse dokumente të tilla nuk janë lëshuar, në atë mënyrë që ajo fillimisht i ka përkthyer me një përkthyes të autorizuar dhe më pas i ka përdorur si dëshmi se ka njohuri të gjuhës angleze dhe posedon një certifikatë TOEFL IBT, gjatë aplikimit të saj në një shpallje publike”.

Edhe te drejtoresha tjetër situata është e ngjashme, me përjashtim të faktit që nuk përmendet përkthimi:

“Më datë 14.7.2023, e akuzuara ka përdorur si dokumente të vërteta, ato false – Certifikatë e njohjes së gjuhës angleze nr. e-ALB122/31.10.2022 nga shkolla e gjuhëve të huaja JULIA CO. LTD nga Plovdiv, Bullgari dhe ETS TOEFL IBT – Test taker score report të datës 26.11.2022, megjithëse nuk janë lëshuar dokumente të tilla, në mënyrë që ajo i ka përdorur si dëshmi se ka njohuri të gjuhës angleze gjatë aplikimit të saj në Konkurs…”

Të dyja të pandehurat e pranuan fajësinë kur çështja erdhi në gjykatë, kështu që në seancë nuk u prezantua asnjë provë se si i morën certifikatat. Por është e qartë se si të dyja përfunduan në bankën e të akuzuarve.

Më 14 shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Pançe Toshkovski, atëherë si ministër në Qeverinë teknike, njoftoi se Njësiti për korrupsion në Departamentin për luftimin e krimeve të organizuara dhe të rënda, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për veprën penale “përdorim i dokumentit me përmbajtje të rreme”. Më tej në njoftimin e MPB-së thuhet:

“E denoncuara T.K., punonjëse në një shkollë fillore në fshat Draçevë, Shkup dhe e denoncuara S.K., e punësuar në Spitalin e Përgjithshëm Dibër, kanë siguruar certifikata false ndërkombëtare për njohjen e gjuhës angleze, të lëshuara nga shkolla e gjuhëve nga Republika e Bullgarisë. T.K vërtetimin e ka shfrytëzuar me rastin e aplikimit për shpallje publike për zgjedhjen për drejtoreshë të shkollës fillore në fshatin Draçevë, pas së cilës me vendim të kryetarit të komunës së Kisella Vodës është emëruar drejtoreshë e shkollës.

Në mënyrë të ngjashme, S.K. ka përdorur certifikatën e gjuhës angleze me rastin e aplikimit për konkurs për emërimin për drejtoreshë në ISHP Spitali i Përgjithshëm Dibër, pas së cilës nga Ministri i Shëndetësisë është emëruar ushtruese e detyrës së drejtoreshës së ISHP Spitali i Përgjithshëm Dibër”.

Në bazë të dëshmive dhe kallëzimit penal të MPB-së, Prokuroria Publike e Shkupit formoi lëndë që shumë shpejt kaloi në aktakuzë. Të pandehurat vendosën ta pranojnë fajësinë sapo rasti arriti në Gjykatën Themelore Penale – Shkup dhe u dënuan me dy vjet burg, me të cilin dënimi nuk zbatohet nëse nuk kryejnë vepër tjetër në katër vitet e ardhshme nga vlefshmëria e verdiktit.

Certifikata e Hristovskit është e po këtij viti

Bojan Hristovski u emërua drejtor i ASK-së në seancën e Qeverisë më 16 tetor 2024. Vetëm dy ditë më vonë, në Buletinin e Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, është publikuar raport nga komisioni recensues pasi ka konkurruar në konkursin për zgjedhjen për asistent në Fakultetin e Sigurisë në Shkup.

Në biografinë e bashkangjitur, ndër të tjera thuhet:

Bashkangjitur është një certifikatë e njohjes së gjuhës angleze TOEFL iBT me 75 pikë nga 26.03.2022, Language Shool Julia CO.LTD, Plovdiv Bulgaria dhe një certifikatë e njohjes aktive të programit për punë në zyrë”.

Numri i certifikatës nuk është përmendur në biografi, por është evidente se është lëshuar nga i njëjti person juridik për të cilin tashmë ekzistojnë aktgjykime gjyqësore për falsifikim në gjykatat maqedonase. Po ashtu, certifikata e drejtorit të ASK-së dhe certifikatat e drejtoreshave tashmë të dënuara janë të vitit 2022 – e Hristovskit është e muajit mars, ndërsa të drejtoreshave janë të nëntorit dhe dhjetorit.

Kujtojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) hapi rast më 22 tetor pasi mori një ankesë anonime që kundërshtonte ligjshmërinë e emërimit të tij. Nga Prokuroria për DW thonë se do të presin zgjidhjen në Komisionin Kundër Korrupsionit, i cili aktualisht disponon të gjitha dokumentet lidhur me rastin.