Dy nga pacientët në Beograd janë në ventilim mekanik, dy janë operuar

Shtatëmbëdhjetë nga gjithsej 30 të lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po mjekohen në Serbi janë hospitalizuar në Qendrën urgjente në Qendrën klinike në Beograd. Dy nga pacientët janë në ventilim mekanik, ndërsa dy të tjerë janë operuar, informoi drejtori i Klinikës për kirurgji plastike dhe rekonstruksion Millan Stojiçiq. Shtoi se pacientët të cilët […]

Mars 23, 2025 - 17:00
 0  4
Dy nga pacientët në Beograd janë në ventilim mekanik, dy janë operuar
Klinika universitare për sëmundje kirurgjikale “Shën Nauimi i Ohrit” Shkup. Foto nga Portalb.mk

Shtatëmbëdhjetë nga gjithsej 30 të lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po mjekohen në Serbi janë hospitalizuar në Qendrën urgjente në Qendrën klinike në Beograd. Dy nga pacientët janë në ventilim mekanik, ndërsa dy të tjerë janë operuar, informoi drejtori i Klinikës për kirurgji plastike dhe rekonstruksion Millan Stojiçiq. Shtoi se pacientët të cilët janë operuar janë në gjendje të përgjithshme të mirë dhe se rrjedha postoperative po zhvillohet pa ndërprerë, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.mk.

Javën e ardhshme, siç tha ai, me siguri do të operohen edhe pesë-gjashtë pacientë, ndërsa disa të tjerë me siguri do të transferohen në repart për shkak se funksioni i frymëmarrjes me sukses po ju rikuperohet, ndërsa të djegurat i kanë të tilla që nuk kërkojnë qëndrim në repart për përkujdesje intensive.

“Bëhet fjalë për të rinj. Pacienti më i ri ka 17 vjet, vetëm një pacient ka 35 vjet, përndryshe , të gjithë të tjerët janë rreth 20 vjet”, tha ai.

Stojiçiq shpjegoi se kur bëhet fjalë për operacione të pacientëve me të djegura kjo nënkupton heqjen e indeve të vdekura të lëkurës dhe mbulimin e tij me autotransplantim, që do të thotë se lëkura e vetë pacientit merret nga rajone të tjera dhe transplantohet në zonat e djegura.

“Për momentin nuk ka nevojë për donatorë të lëkurës, ka mjaftueshëm gjak dhe gjithçka që nevojitet për trajtimin e pacientëve”, thotë drejtori i Klinikës për kirurgji plastike dhe rikonstruksion.

Ai informoi se pacientët të cilët janë në ventilim mekanik janë në gjendje të vështirë, por që edhe të tjerët potencialisht mund të sillen në situatë të tillë në varshmëri nga rrjedha e mjekimit. Infeksionet, paralajmëroi ai, janë një nga komplikimet që më së shpeshti paraqiten tek pacientët me të djegura.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçan, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer më 20 mars.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.