Dy prej të lënduarve nga zjarri në Koçan janë liruar për trajtim shtëpiak

Për këtë fundjavë nuk janë planifikuar transferime nga qendrat mjekësore të huaja për këtë fundjavë dhe aktualisht po trajtohen 48 pacientë jashtë shtetit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë (MSH), transmeton Portalb.mk. “Gjendja e pacientëve mbetet e pandryshuar, pra, pacientët për të cilët edhe më parë kemi informuar mbeten në gjendje kritike, ndërsa pacientët e tjerë janë […]

Prill 12, 2025 - 19:00
 0  5
Dy prej të lënduarve nga zjarri në Koçan janë liruar për trajtim shtëpiak
Familjarët e personave të lënduar nga rasti i Koçanit, duke pritur para spitalit Shën Naumi i Ohrit Shkup. Foto nga Portalb.mk

Për këtë fundjavë nuk janë planifikuar transferime nga qendrat mjekësore të huaja për këtë fundjavë dhe aktualisht po trajtohen 48 pacientë jashtë shtetit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë (MSH), transmeton Portalb.mk.

“Gjendja e pacientëve mbetet e pandryshuar, pra, pacientët për të cilët edhe më parë kemi informuar mbeten në gjendje kritike, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje stabile”, thonë nga Ministria.

Ata theksojnë se në spitalet në vend aktualisht po trajtohen 10 pacientë, nga të cilët katër në Klinikën e Kirurgjisë “Shën Naum Ohri”, tre në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, dy pacientë në spitalin privat “Sistina”.

“ Në Spitalin Klinik “8 Shtatori” një pacient është aktualisht në trajtim, ndërsa i dyti, i cili ishte kthyer nga Ankara, është kontrolluar dhe është liruar për trajtim në shtëpi. Gjithashtu, në Klinikën për Pulmologji, gjatë 24 orëve të fundit është kontrolluar dhe liruar për në shtëpi një pacient i kthyer nga Maribori”, tha Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se po monitorojnë në mënyrë aktive gjendjen e të lënduarve, duke monitoruar më tej situatën.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej dhjetëra persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.