Dy të rinj kanë krijuar aplikacionin mobil ‘GoPT’ për transportin publik në Tetovë, ja si funksionon

Futja në funksion e transportit publik në Tetovë edhe pse ishte një hap përpara në zhvillimin e qytetit, megjithatë mënyra e shpërndarjes së informatave për oraret e autobusëve në fillim ishte sfiduese dhe konfuze. Kjo bëri që dy të rinjtë Jetron Saiti dhe Sufjan Emurllai të krijojnë aplikacionin mobil ‘GoPublicTransport’ i cili ofron informata praktike […]

Jan 14, 2025 - 08:00
 0  5
Dy të rinj kanë krijuar aplikacionin mobil ‘GoPT’ për transportin publik në Tetovë, ja si funksionon
Aplikacioni 'GoPublicTransport' dhe autobus i transportit publik në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Futja në funksion e transportit publik në Tetovë edhe pse ishte një hap përpara në zhvillimin e qytetit, megjithatë mënyra e shpërndarjes së informatave për oraret e autobusëve në fillim ishte sfiduese dhe konfuze. Kjo bëri që dy të rinjtë Jetron Saiti dhe Sufjan Emurllai të krijojnë aplikacionin mobil ‘GoPublicTransport’ i cili ofron informata praktike për transportin publik dhe jo vetëm, shkruan Portalb.mk.

Ideja kryesore e krijimit të këtij aplikacioni ishte shfaqja e informacioneve në mënyrë më të lehtë.

Kështu Jetroni dhe Sufjani fillimisht krijuan një version të aplikacionit që e përdorën vetëm për vete. 

“Ishte një version i thjeshtë që vetëm shfaqte informacione, dhe pas disa përdorimeve vendosëm që pse mos e rregullojmë me dizajn të përshtatshëm dhe t’ua japim qytetarëve të Tetovës të cilët me shumë gjasa kishin problem me kuptimin e informatave”, thonë ata. 

Aplikacioni ‘GoPublicTransport’ si funksion kryesor ka shfaqjen e informacioneve për linjat e autobusëve dhe oraret, të marra nga Ndërmarrja Publike ‘Tetova Transport’, ku shfaqen stacionet më të afërta dhe oraret e autobusëve. 

Aplikacioni funksionon shumë thjeshtë, fillimisht zgjidhet pika e nisjes dhe pika e arritjes, si dhe ora. 

Aplikacioni 'GoPublicTransport',
Aplikacioni ‘GoPublicTransport’,

Përveç informatave rreth linjave të transportit publik dhe llojeve të biletave, aplikacioni ofron edhe informata tjera si pikat më të njohura turistike në qytet, harta e qytetit, lista me numrat e taksive në Tetovë, moti dhe të tjera. 

Aplikacioni 'GoPublicTransport',
Aplikacioni ‘GoPublicTransport’,

Krijuesit e këtij aplikacioni besojnë se çdo qytetar që e përdor transportin publik ka nevojë për një aplikacion si ‘GoPublicTransport’. 

“Aplikacioni jonë përdoret nga persona të moshave të ndryshme, si të rinj ashtu edhe të moshuar, dhe kemi arritur ta bëjmë të lehtë për tu përdorur nga të gjithë”, thonë dy të rinjtë. 

Ata duan ta avancojnë këtë aplikacion edhe më tej duke ofruar informacione në kohë reale për vendndodhjen e autobusëve.

“Kemi ide për ta çuar atë në hapin e ardhshëm, si për shembull ndjekjen në kohë reale të vendndodhjes së autobusëve (duke lidhur GPS-in e autobusëve me aplikacionin tonë), kryerjen e pagesave për biletat përmes aplikacionit, dhe ide të tjera që pa mbështetjen e komunës dhe NP ‘Tetova Transport’, nuk janë të arritshme”, thanë dy të rinjtë.

Aplikacioni ‘GoPublicTransport’ është publikuar nën organizatën jofitimprurëse Cikada.mk dhe mund të shkarkohet në AppStore dhe GooglePlay. Aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht.

Aplikacioni 'GoPublicTransport', foto: Printscreen nga Cikada.mk
Aplikacioni ‘GoPublicTransport’, foto: Printscreen nga Cikada.mk

Ndryshe, Transporti Publik në Tetovë ka katër linja të autobusëve që qarkullojnë. Linja 1 ( UEJL – Pallma Mall –UEJL), Linja 1/A (UEJL – Pallma Mall -UEJL ), Linja 2 ( UEJL – F. Xhepçisht – UEJL ) dhe Linja 3 ( Reçicë e Madhe – Pallma Mall – Reçicë e Madhe).

Gjatë sezonit dimëror (dhjetor-mars) funksionon edhe linja Qendër-Kodra e Diellit-Qendër, por kjo linjë funksionon vetëm gjatë fundjavës. 

Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”- Tetovë është e themeluar me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës me 30.09.2019. Ndërmarrja funksionon që nga viti 2021 me disa ndërprerje. Transporti Publik prej 30 majit 2022 u riaktivizua dhe funksionon pa ndërprerje deri më tani. 

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka pesë autobusë të cilët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.