Vuçiç beson në krijimin e një aleance ushtarake mes Serbisë dhe Hungarisë

Serbia dhe Hungaria nënshkruan të martën në Beograd një dokument që konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se beson që kjo marrëveshje do të pasohet me një afrim të mëtejmë drejt krijimit të një aleance ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë. “Për […]

Prill 1, 2025 - 16:00
 0  6
Vuçiç beson në krijimin e një aleance ushtarake mes Serbisë dhe Hungarisë

Serbia dhe Hungaria nënshkruan të martën në Beograd një dokument që konkretizon marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se beson që kjo marrëveshje do të pasohet me një afrim të mëtejmë drejt krijimit të një aleance ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë.

“Për këtë vendos pala hungareze, vendosin parlamentet e Hungarisë dhe Serbisë. Marrëdhëniet tona janë më shumë se të mira dhe kryeministri Viktor Orban dhe unë kemi shprehur dëshirën që të vazhdojmë me përshpejtimin dhe afrimin e mëtejshëm të qëndrimeve tona në sferën e mbrojtjes”, tha Vuçiç pas nënshkrimit.

Beogradi reagoi ashpër në mes të Marsit ndaj deklaratës së nënshkruar në atë kohë në Tiranë nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, të cilën pjesëmarrësit e përshkruan si një dokument që synon forcimin e bashkëpunimit për t’u përballur me sfidat e sigurisë që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal. Nga ana tjetër, Serbia e quajti atë provokim dhe kërcënim për stabilitetin.

Dokumentin e ri mes Serbisë dhe Hungarisë e nënshkruan ministrat e mbrojtjes, Bratisllav Gashiq dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Siç është bërë e ditur, Beogradi dhe Budapesti kanë rënë dakord për 79 aktivitete të përbashkëta në fushën e mbrojtjes gjatë vitit 2025, duke përfshirë trajnime të përbashkëta, ushtrime me helikopterë dhe aktivitete të tjera, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, siguri kibernetike, operacione paqeruajtëse, edukim dhe mjekësi ushtarake.

“Hungaria është gjithmonë në anën e ruajtjes së paqes dhe Serbia është gjithmonë aleate në këtë drejtim”, tha ministri hungarez i Mbrojtjes Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Vuçiq nuk dha më shumë detaje rreth idesë për një aleancë ushtarake serbo-hungareze.

As pala hungareze, as ajo serbe, nuk kanë folur për këtë temë, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes nuk janë lejuar pyetje nga gazetarët.

Vuçiq tha se Beogradi, pasi vitin e kaluar bleu nga Budapesti transportues të blinduar BTR-80A, është i interesuar për blerjen e sistemeve të tjera të mbetura në Hungari nga periudha sovjetike, si dhe për blerjen e automjeteve të reja luftarake Lynx KF-51, të cilat Hungaria i prodhon në bashkëpunim me kompaninë gjermane, Rheinmetall.

Ai shtoi se Hungaria blen nga Serbia municion të kalibrit 7.62 mm dhe është e interesuar për automjete luftarake 8×8 të prodhuara në Serbi.

“Na pret shumë punë e përbashkët në fushën ushtarake. Gjithçka që bëjmë do të thotë më shumë siguri për qytetarët e të dy vendeve”, tha Vuçiç.

Presidenti serb shtoi se së shpejti pret që të takohet me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të dokumentit në fushën e mbrojtjes u tha po ashtu se këmbimi tregtar mes Serbisë dhe Hungarisë ka tejkaluar 3 miliardë Euro dhe se Hungaria është partnerja e pestë më e madhe ekonomike e Serbisë.

Ndryshe, që nga Dhjetori i vitit 2006, Serbia është anëtare e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Në fund të vitit 2007, ajo shpalli neutralitetin ushtarak përmes një rezolute të Kuvendit për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, Serbia ka mbajtur dhjetëra stërvitje ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Federatën Ruse dhe Bjellorusinë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia nuk ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake as me Lindjen, as me Perëndimin.

Përjashtimi ndodhi në vitin 2023, kur për 15 ditë ajo zhvilloi në territorin e saj stërvitjen “Ujku Platin” me SHBA-në dhe vende të tjera anëtare të NATO-s në bazën ushtarake “Jug”./REL