A janë marrë në pyetje Ali Ahmeti dhe Izet Mexhiti për vendndodhjen e Grubit?
“Le të kthehet vullnetarisht”, “asnjë vend fqinj për momentin nuk ka konfirmim zyrtar se ku është Grubi”, “Artan Grubi është në Shqipëri”, “është diku në hapësirat shqiptare”. Këto janë komentet e politikanëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kur u pyetën për arratisjen e ish kryeministrit të RMV-së, Artan Grubi i cili kërkohet me fletarrest […]
“Le të kthehet vullnetarisht”, “asnjë vend fqinj për momentin nuk ka konfirmim zyrtar se ku është Grubi”, “Artan Grubi është në Shqipëri”, “është diku në hapësirat shqiptare”. Këto janë komentet e politikanëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kur u pyetën për arratisjen e ish kryeministrit të RMV-së, Artan Grubi i cili kërkohet me fletarrest ndërkombëtar, pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Por, institucionet e drejtësisë “ngrenë duart” kur pyeten nëse janë thirrur në pyetje politikanët që janë deklaruar për vendndodhjen e mundshme të Grubit, shkruan Portalb.mk.
A janë thirrur në pyetje nga ana e policisë Ahmeti dhe Mexhiti?
Që nga ikja e Grubit e deri më sot, nga ana e politikanëve të vendit ka pasur deklarata të ndryshme për vendndodhjen e mundshme të tij.
Portalb.mk u është drejtuar me pyetje konkrete Prokurorisë Themelore Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme se a janë thirrur në bisedë për zbardhjen e rastit Grubi, Ali Ahmeti dhe Izet Mexhiti, pas deklaratave të tyre publike rreth vendndodhjes së Grubit.
“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhër për lëshimin e fletarrestit nacional dhe ndërkombëtar për të dyshuarin. Autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara me ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë autoritet të plotë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të gjurmuar personin, duke përfshirë thirrjen dhe intervistimin e personave të tjerë që mund të kenë njohuri për vendndodhjen e të dyshuarit”, thanë nga PTHP për Portalb.mk.
Ndërkaq, deri në publikimin e këtij shkrimi nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske, edhe pse në përgjigjen e prokurorisë precizohet se edhe MPB ka autoritet për të vepruar.
Ku ka ikur Grubi?
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ish nënkryetar i BDI-së, tani kryetar i Lëvizjes Demokratike, në një prononcim për televizionin shqiptar Ora News, deklaroi se Grubi është në Shqipëri.
“Sipas informatave, nuk është në Kosovë, por është te ju në Shqipëri. Por s’është kjo e rëndësishme, por me arratisjen e tij ka dëshmuar fajësinë e tij dhe ndaj ai ka ikur nga vendi”, kishte thënë Mexhiti.
I pari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti gjatë një vizite në Republikën e Kosovës, tha se ka informacione se ai është mirë dhe se ndodhet në trojet shqiptare. Kryetari i integristëve ka premtuar se Grubi do të kthehet dhe do të dalë para organeve të drejtësisë, “por jo drejtësisë hakmarrëse”.
Pas këtyre deklaratave publike në lidhje me vendndodhjen e Grubit reagoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të mirë, Arben Fetai.
“Shpresoj që kjo të arrijë në prokurori dhe të ketë një procedurë ligjore në të cilën nëse kemi një person që e di se ku është një i arratisur nga ligji, se do ta thërrasin atë person dhe ata do t’i përgjigjen pyetjes se ku është i arratisuri nga drejtësia”, tha Mickoski.
“Ali Ahmeti deklaroi se ka njohuri për vendndodhjen e Artan Grubit, për të cilin ka një fletarrest ndërkombëtar. Prokuroria publike, në bazë të kësaj deklarate publike, ka për obligim ligjor ta thërrasë në pyetje z. Ali Ahmeti për ta pyetur se ku ndodhet personi që ndiqet nga drejtësia e vendit”, shkroi në rrjetin social Fetai.
Pse ka ikur Grubi?
Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është i pakapshëm për institucionet e vendit për gati një muaj, ai ka ikur nga Republika e Maqedonisë së Veriut më 15 dhjetor 2024. Ai përmes Fejsbukut fillimisht njoftoi se ka udhëtuar jashtë vendit për vizitë private, por që nuk u kthye që atëherë.
Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin.