E ardhmja politike e Taravarit në pikëpyetje pas përçarjes me VLEN-in, raportohet për largim të mundshëm të tij nga Qeveria

Skena politike në Maqedoninë e Veriut është futur në një fazë të re tensioni, pas zhvillimeve të fundit që prekin drejtpërdrejt koalicionin qeveritar. Arben Taravari, i cili deri tani ishte pjesë e koalicionit VLEN dhe njëherazi partner qeveritar, është gjendur në qendër të debatit publik dhe politik, pas largimit nga ky koalicion dhe pas takimit […]

maj 7, 2025 - 13:00
 0  5
E ardhmja politike e Taravarit në pikëpyetje pas përçarjes me VLEN-in, raportohet për largim të mundshëm të tij nga Qeveria
Arben Taravari, Ministri i Shëndetësisë. Foto nga Portalb.mk

Skena politike në Maqedoninë e Veriut është futur në një fazë të re tensioni, pas zhvillimeve të fundit që prekin drejtpërdrejt koalicionin qeveritar. Arben Taravari, i cili deri tani ishte pjesë e koalicionit VLEN dhe njëherazi partner qeveritar, është gjendur në qendër të debatit publik dhe politik, pas largimit nga ky koalicion dhe pas takimit të zhvilluar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Mediat në vend, sipas burimeve të tyre, thonë se Arben Taravari pritet të largohet nga Qeveria në ditët në vijim, pas kësaj vale përplasjesh politike që kanë thelluar përçarjet brenda bllokut qeveritar shqiptar dhe kanë vënë në pikëpyetje pozicionin e tij në koalicionin qeverisës aktual, shkruan Portalb.mk.

Takimi i tyre erdhi në një kohë kur Taravari është praktikisht i shkëputur nga VLEN, një koalicion që ka hyrë në një fazë të thellë përçarjeje që prej gati një muaji. Sipas burimeve, diskutimet me Mickoskin nuk prodhuan një marrëveshje të qartë, por ky i fundit, para takimit e sfidoi publikisht Taravarin duke i kërkuar të zgjedhë:

“Ose je me qeverinë e ndryshimit dhe luftës kundër krimit, ose me ata që për vite e shkatërruan shtetin”.

Ndërkohë, pas takimit Taravari-Mickoski, u zhvillua edhe takimi VLEN-Mickoski, ku sipas reagimeve të krerëve të VLEN-it pretendohet se është marrë vendim për largimin e Taravarit nga Qeveria. I pari me reagim, ende pa përfunduar ky takim doli Taravari, i cili përmes një postimi në Facebook, ironizoi me VLEN-in, duke shkruar:

S’ia VLEN”.

Në këtë atmosferë të pasigurisë, kundëreagimet politike nuk kanë munguar. Zeqirija Ibrahimi dhe Izet Mexhiti, dy figurat e tjera kyçe të VLEN-it, dolën me qëndrime kritikuese ndaj Taravarit. Ata e akuzuan për dyfytyrësi dhe për përpjekje për të mbajtur pozita në mënyrë joparimore. Reagimet e tyre lënë të nënkuptohet se tashmë është marrë vendim në takimin me Mickoskin, që Taravari të mos jetë pjesë e shumicës Qeverisëse. ” Sonte VLEN vendosi – dritat fiken për hipokrizinë”, lë kështu Mexhiti, të nënkuptohet se tashmë vendimi është marrë.

“Të ftuam të bëhesh bartës i ndryshimit. U bëre simbol i Revolucionit të dritave. Edhe pse humbës në qytetin tënd, shpërndaje ‘Efridol’ për BDI-në. Euforia jote paska qenë vetëm sa për kamerë. Asgjë e sinqertë. Asnjë dritë e vërtetë. Sonte VLEN vendosi – dritat fiken për hipokrizinë. Dyftyrësia… nuk ia VLEN!”, shkroi Mexhiti në Facebook.

Edhe në reagimin e Ibrahimit nënkutohet se Taravari nuk mund të jetë edhe me BDI-në edhe me Qeverinë: “VLEN-i nuk mund të lejojë që në qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit. Ne jemi përcaktuar për politikë parimore që e lufton krimin e korrupsionin, që i bën reformat në drejtësi dhe që u ofron jetë dinjitoze qytetarëve. Edhe BDI, edhe Qeveri, ollmaz Doktor!”, thuhet në reagim që poashtu jep të kuptohet se Taravari do të largohet nga Qeveria.

“Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar. Të gjithë që mendojnë se mund të luajnë ndryshe nuk mund të jenë partnerë tanë dhe të kësaj qeverie. VLEN-i nuk mund të lejojë që në qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit. Secili që dëshiron ta shpëtojë politikën e Soravisë, edhe nëse këtë e bën me sllogane patriotike dhe viktimizim “engjëllor”, duke e fshehur kështu kapjen në korrupsion, më parë mund të digjet e të përmbytet sesa ta realizojë operacionin e shpëtimit të atyre që tashmë janë bërë personazhe të listës së zezë amerikane. Ne jemi përcaktuar për politikë parimore që e lufton krimin e korrupsionin, që i bën reformat në drejtësi dhe që u ofron jetë dinjitoze qytetarëve. Edhe BDI, edhe Qeveri, ollmaz Doktor!”, shkroi Ibrahimi në Facebook.

Ende nuk është njoftuar zyrtarisht që Taravari dhe partia e tij, Aleanca për Shqiptarët, do të largohet nga qeveria aktuale, por burime pranë qarqeve politike lënë të kuptohet se vendimi mund të merret në ditët në vijim. Largimi i tij do të përbënte një ristrukturim të rëndësishëm të skenës politike.

Ndërkohë, sytë janë të gjithë nga Taravari – do të zgjedhë “ndryshimin” e Mickoskit apo do të mbetet të bashkëpunojë me BDI-në.

Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.

Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.