Edukimi mediatik është “vaksinë” kundër “infektimit” të përmbajtjeve toksike

Në botën e sotme digjitale, edukimi mediatik është me rëndësi thelbësore për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Edukimi mediatik nuk i referohet vetëm aftësisë për të kuptuar dhe analizuar përmbajtjen e medias, por edhe vetëdijes për etikën, ndikimin dhe potencialin e tij për të përhapur mesazhe negative, shkruan Civil, transmeton Portalb.mk. Ekspertja e mediave Marina […]

shkurt 16, 2025 - 09:00
 0  7
Edukimi mediatik është “vaksinë” kundër “infektimit” të përmbajtjeve toksike
Ilustrim nga CivilMedia

Në botën e sotme digjitale, edukimi mediatik është me rëndësi thelbësore për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Edukimi mediatik nuk i referohet vetëm aftësisë për të kuptuar dhe analizuar përmbajtjen e medias, por edhe vetëdijes për etikën, ndikimin dhe potencialin e tij për të përhapur mesazhe negative, shkruan Civil, transmeton Portalb.mk.

Ekspertja e mediave Marina Tuneva thotë për CIVIL Media se duke pasur parasysh se jetojmë në një kohë në të cilat informacionet qarkullojnë me një shpejtësi të paparë, edukimi mediatik do të ishte “vaksina” që na nevojitet për të mbrojtur diskursin publik nga “infektimi” i përmbajtjes toksike. Ai u mundëson qytetarëve jo vetëm të njohin përmbajtjet problematike, por edhe t’i kundërshtojnë ato në mënyrë aktive.

Marina Tuneva. Foto: Meta.mk
Marina Tuneva. Foto: Meta.mk

“Edukimi mediatik nuk është vetëm edukim i qytetarëve, por edhe trajnim i vazhdueshëm i gazetarëve, vendosje të standardeve etike në mediat dhe angazhim të institucioneve në krijimin e politikave që do ta mbështesin këtë proces”, thotë Tuneva.

Ajo shton se Raporti i Këshillit të Evropës dokumenton rritje të incidenteve dhe seriozitetit të gjuhës së urrejtjes në mbarë shtetet evropiane, duke e theksuar nevojën për përforcimin e edukimit mediatik si mjet për luftimin e këtyre dukurive. Konstatimet e tilla e theksojnë rëndësinë kritike të edukimit mediatik në shoqërinë tonë.

“Edukimi mediatik nuk është vetëm trend ose zgjedhje, por është domosdoshmëri. Secili prej nesh, nga qytetarët deri te mediat, ka rol aktiv në ruajtjen e së vërtetës dhe në ndërtimin e shoqërisë të bazuar në respektimin e ndërsjellë dhe vlerave demokratike. Me edukimin mediatik, mund jo vetëm  të mbrohemi nga urrejtja, por edhe ta ndërtojmë ardhmërinë në të cilën diskursi publik do të jetë burim i lidhjes, e jo i ndarjes”, thotë Tuneva.

Kryetari i Institutit për Media dhe Analitikë (IMA), Petrit Saraçini, për CIVIL Media thotë se arsimi mediatik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përballje me gjuhën e urrejtjes në media dhe në komunikimin publik në përgjithësi. Fatkeqësisht,  shumë hulumtime tregojnë se në vendin ka nivel të ulët të edukimit mediatik, gjë që kontribuon në perceptimin jokritik të përmbajtjes mediatike që nxit gjuhën e urrejtjes tek publiku nga të gjithë moshat. Prandaj, duhet të përshpejtohet procesi i futjes së plotë të edukimit mediatik në procesin arsimor, nga klasa e parë deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm, por edhe në universitete.

„Kjo është kryesore për të rinjtë që të jenë të vetëdijshëm dhe kritikë për t’i perceptuar informacionet dhe të mos lejojnë që të jenë viktima të gjuhës së urrejtjes ose transmetuesit e tyre. Megjithëse efektet e edukimit mediatik nuk mund të jenë të dukshme menjëherë, ai është investim shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, sepse do të kontribuojë për krijimin e gjeneratave të cilat do të jenë të vetëdijshëm për ndikimet e dëmshme nga gjuha e urrejtjes, që krijon edhe ndarje dhe polarizim në shoqërinë, ndërsa shkakton edhe dhunë dhe vepra penale të urrejtjes”, thotë Saraçini.

Snezhana Tërpevska, nga Instituti RESIS dhe anëtare e Këshillit për Etikë ne mediat në Maqedoni (KEMM) për CIVIL Media thotë se numri më i madh i ankesave që i pranon Komisioni për Ankesa në disa vitet e fundit janë për mediat online, veçanërisht për komentet për gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjet diskriminuese nën tekstet mediatike të publikuara në rrjetet sociale.

“Kështu, në vitin 2024, Komisioni për Ankesa i Këshillit për Etikë ka identifikuar gjithsej 64 shkelje të Kodit të Gazetarëve dhe Udhëzimeve për Raportimin Etik në Mediat Online, të bëra në 33 tekste mediatike për të cilat janë paraqitur ankesa në Këshillin për Etikë. Shkelja e dytë më e shpeshtë është neni 10 i Kodit, i cili i referohet gjuhës së urrejtjes, kishte të bëjë me përmbajtjet që nxisin dhunë apo diskriminim në çdo bazë – janë konstatuar 12 shkelje, ose 19% e numrit total. “Nga këto shkelje, vetëm dy kanë të bëjnë me tekste mediatike që nxisin diskriminim në baza etnike, dhe të gjitha të tjerat kanë të bëjnë me gjuhën eksplicite të urrejtjes – në bazë të orientimit seksual, në komentet e përdoruesve të publikuara nën tekste mediatike”, thotë Tërpevska.

Ajo thotë se në këtë botë të fragmentuar digjitale, publiku (e me të edhe reklamuesit) u shpërngul në mënyrë masive në rrjetet sociale. Edhe mediat tradicionale edhe mediat online, në mënyrë dëshpëruese duke gjurmuar që të arrijnë te sa më shumë përdorues, e me atë edhe te sponsorë, përmbajtjet e tyre i publikojnë edhe në rrjetet sociale. 

“Në atë oqean informacionet që plasohen çdo ditë në rrjetet, duke garuar për vëmendjen e publikut, rregulli i parë i shumë mediave online është të mendojnë një titull sa më interesant dhe tronditës, duke shpresuar se sa më shumë përdorues ”të klikojnë” në të ose “do të komentojnë” në hapësirën e komenteve poshtë tij. Në titujt sensacionalë dhe të shkruara në mënyrë kontroverse, shumë media injorojnë qëllimisht rregullat profesionale dhe efektin të cilin publikimi i tyre mund ta arrijë te publiku, duke u thirrur në atë se komentet e përdoruesve nuk janë përgjegjësi e tyre redaktuese. “Për mediat profesionale, moderimi aktiv i përmbajtjes së komenteve nën tekstet e tyre të publikuara në rrjetet sociale, në dekadën e fundit ishte një nga çështjet më të vështira”, thotë Tërpevska.

Edukimi mediatik nuk është i rëndësishëm vetëm për konsumatorët e përmbajtjeve mediatike, por edhe për vetë kreatorët e përmbajtjeve. Kur secili prej nesh është i vetëdijshëm për fuqinë që e ka në botën e mediave, mund të kontribuojmë në reduktimin e gjuhës së urrejtjes dhe ndërtimin e një shoqërie më inkluzive dhe tolerante. Lufta kundër gjuhës së urrejtjes nuk është vetëm përgjegjësi e gazetarëve ose autoriteteve, por edhe e të gjithë neve si qytetarë me vetëdije dhe përgjegjësi mediatike.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re. 

Autor: Dehran Muratov