Është tejkaluar pragu i alarmimit për ndotje të ajrit në Strumicë, hyjnë në fuqi masat dhe rekomandimet

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sonte informoi se sipas të dhënave nga Sistemi shtetëror i Automatizuar për Monitorim të Cilësisë së Ajrit dhe sipas parashikimit të motit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, pragu i alarmimit të grimcave suspenduese me madhësi deri në 10 mikrometra – tejkalim i vlerës prej 150 mg/m3 gjatë dy […]

Jan 27, 2025 - 03:00
 0  5
Është tejkaluar pragu i alarmimit për ndotje të ajrit në Strumicë, hyjnë në fuqi masat dhe rekomandimet
Ndotja e ajrit në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sonte informoi se sipas të dhënave nga Sistemi shtetëror i Automatizuar për Monitorim të Cilësisë së Ajrit dhe sipas parashikimit të motit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, pragu i alarmimit të grimcave suspenduese me madhësi deri në 10 mikrometra – tejkalim i vlerës prej 150 mg/m3 gjatë dy ditëve të fundit, është tejkaluar në pikën matëse në Strumicë, njofton Portalb.mk.

“Pragu i alarmimit është i përcaktuar në Dekretin për ndryshim dhe plotësim të Dekretit për kufijtë e vlerave dhe llojeve të substancave ndotëse në ajër, si dhe pragjet e alarmimit, afatet për arritjen e kufijve të vlerave, margjinat e tolerancës për kufirin e vlerave, vlerat objektive dhe qëllimet afatgjata (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 183 nga 14.12.2017)”, thuhet në kumtesën e MMJPH-së.

Në tabelë janë paraqitur koncentrimet mesatare ditore të PM10 në vendin e matjes dhe ditët kur ka ndodhur kalimi i pragut të alarmimit.

Strumicë
24/01/2025 201.85
25/01/2025 152.81

 *koncentrimet janë shprehur në mg/m3

Në pajtueshmëri me gjendjen e krijuar, për Strumicën vlejnë disa masa.

“Intensifikimi i inspektimeve të jashtëzakonshme në instalacione me A-Leje Ekologjike të Integruar. Intensifikimi i inspektimeve të jashtëzakonshme në terren për kontrollin e instalacioneve me Leje B Ekologjike të Integruar, si dhe Elaborate. Instalacionet me monitorim të vazhdueshëm të mundësojnë akses publik të të dhënave nga matjet. Intensifikimi i kontrollit të jashtëzakonshëm të funksionimit teknik të makinave, sidomos atyre me naftë dhe makinave të pa regjistruara. Intensifikimi i kontrollit të jashtëzakonshëm në kantieret e ndërtimit. Ndalohet djegia në natyrë”, thuhet në kumtesë.

Rekomandohet që të gjithë subjektet juridike (punëdhënësit) të lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, ata që kanë pasur infarkt miokardik ose goditje në tru, pa marrë parasysh moshën (me rekomandim nga mjeku i familjes). Gjithashtu, rekomandohet që të gjithë subjektet juridike (punëdhënësit) të riorganizojnë orarin e punës dhe personat që punojnë në natyrë të punojnë nga ora 11:00 deri në 17:00. Rekomandohet të mos organizohen gara sportive dhe aktivitete kulturore në natyrë.

Alarme të njëpasnjëshme nga raportet vendore dhe ndërkombëtare për ndotjen e ajrit

Në janar 2025 një raport i Euronews theksoi se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga ndotja e ajrit, që do të thotë se ka numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur. 

Raporti i UNICEF-it në shtator 2024 tregoi se në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare. 

Banka Botërore në dhjetor 2024 raportoi se ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore. 

Raporti i Institutit për Shëndet Publik i publikuar në 2024 nxori në pah se në 2023 pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në RMV mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5. 

Ndota e ajrit është përmendur vazhdimisht edhe nga BE-ja si problem kronik për RMV-në. 

Shkupi shumë herë është radhitur në krye të listave të qyteteve më të ndotura në Evropë dhe Botë. Për shkak të ajrit të ndotur janë mbajtur edhe protesta. 

Të gjithë këto alarmime nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në RMV të marrin masa urgjente për këtë problem.