Derisa pacientët presin, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja vazhdojnë me akuza për mungesën e ilaçeve në Onkologji

VMRO-DPMNE-ja qeveritare dhe LSDM-ja opozitare edhe sot vazhduan me akuzat e ndërsjella për atë se kush është fajtor për mungesën e terapisë biologjike në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë, e cila u shfaq prej para dhjetë ditëve, njofton Portalb.mk. Derisa për opozitën problemi qëndron në paaftësinë e pushtetit aktual për zgjidhje të problemit, nga partia […]

Jan 27, 2025 - 03:00
 0  4
Derisa pacientët presin, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja vazhdojnë me akuza për mungesën e ilaçeve në Onkologji
Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

VMRO-DPMNE-ja qeveritare dhe LSDM-ja opozitare edhe sot vazhduan me akuzat e ndërsjella për atë se kush është fajtor për mungesën e terapisë biologjike në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë, e cila u shfaq prej para dhjetë ditëve, njofton Portalb.mk.

Derisa për opozitën problemi qëndron në paaftësinë e pushtetit aktual për zgjidhje të problemit, nga partia qeveritare mbeten në qëndrimin se për mungesën është fajtore pushteti paraprak dhe lidhjet e afërta me disa farmaci, të cilët janë furnizues të ilaçeve.

“Pushteti i paaftë me ditë po i lë pacientët e Onkologjisë pa ilaçe dhe terapi adekuate. Dhe në vend që zë ndërmarrin përgjegjësi, të formojë shtab, menjëherë ta zgjidhë problemin nga pushteti po dëgjojmë arsyetime joserioze, për paaftësinë e saj. Gjëja e vetme që u interesin është se si ta shpëtojnë lëkurën e tyre e jo se si t’u ndihmojnë pacientëve të cilët e kanë të rrezikuar jetën”, deklaroi sot anëtarja e Këshillit ekzekutiv të LSDM-së, Belkisa Zekiri.

Ajo e përsëriti qëndrimin e partisë me të cilin kërkojnë dorëheqje nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë Igor Stojkovski, drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Sasho Klekovski dhe nga ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Kërkojnë edhe që Qeveria të formojë shtab krize dhe “urgjentisht ta sigurojë terapinë e nevojshme, ndërsa pastaj të bëjë plan afatgjatë për sigurimin e kësaj terapie”.

Lidhur me këtë rast, VMRO-DPMNE, madje, në Qendrën për komunikime sot mbajti tribunë, gjegjësisht panel-diskutim me temë “Fuqia e ilaçeve, jetë ose përfitim”, në të cilin folën deputetë të partisë në Kuvend.

Deputeti Petar Risteski në diskutim tha se gjatë pushtetit paraprak në Ministrinë e Shëndetësisë me vetëdije janë bërë lëshime dhe është lejuar suspendim i mekanizmave kontrollues, gjegjësisht, siç tha, aspak nuk ka funksionuar kolegjiumi profesionist i cili është dashur të kryejë planifikim për furnizim të ilaçeve.

Pacientët e Onkologjisë javën që po kalon alarmuan se në Klinikë nga 17 janari nuk kanë gjashtë ilaçe nga terapia biologjike, ndërsa druajnë se shumë shpejtë mund t’i kenë edhe tre të tjerë.

Problemin e konfirmuan edhe nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, prej nga thanë se është rezultat i procedurave administrative, të cilat realizohen në pajtueshmëri me buxhetin për vitin 2024.