Evropa e befasuar nga qëndrimi i RMV-së në raport me Ukrainën: Çështje që kërkon një përgjigje të vetme evropiane
Vendimi i Maqedonisë së Veriut për të mos e mbështetur rezolutën e BE-së dhe për të qëndruar pas rezolutës së SHBA-së për Ukrainën ka shkaktuar reagime në vend. RMV -ja votoi “e përmbajtur” për rezolutën Ukrainë-BE që dënon agresionin e Moskës, dhe përveç Hungarisë, ishte i vetmi vend në Evropë që nuk e mbështeti këtë […]


Vendimi i Maqedonisë së Veriut për të mos e mbështetur rezolutën e BE-së dhe për të qëndruar pas rezolutës së SHBA-së për Ukrainën ka shkaktuar reagime në vend. RMV -ja votoi “e përmbajtur” për rezolutën Ukrainë-BE që dënon agresionin e Moskës, dhe përveç Hungarisë, ishte i vetmi vend në Evropë që nuk e mbështeti këtë dokument. Maqedonia e Veriut gjithashtu abstenoi për deklaratën për Ukrainën të dorëzuar nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse u njoftua se do të ishte bashkësponsore e saj, shkruan Portalb.mk.
Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Kristof Le Rigoller është shprehur i befasuar nga vendimi i RMV-së, pasi u pyet nëse pozicionimi i vendit në rezolutat e OKB-së mund të reflektojë në rrugën tonë drejt integrimit evropian.
“Vendimi i Maqedonisë së Veriut për të votuar në Nju Jork ishte i papritur për ne. Mendoj se duhet të përqendrohemi në temën që është e rëndësishme, për atë që u votua në Nju Jork. Vërtet është e domosdoshme për të dalë nga konflikti në Ukrainë, por ka edhe një temë më të rëndësishme, ajo është vlera që ne sot i japim në Evropë integritetit territorial, respektit të sovranitetit, imperializmit të një fqinji ndaj një fqinji tjetër, deri në mohimin e ekzistencës, identitetit dhe gjuhës së tij. Është një temë që kërkon një përgjigje të vetme evropiane”, tha Kristof Le Rigoller.
Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka numëruar disa arsye për qëndrimet në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku nuk u fajësua Rusia për fillimin e luftës me Ukrainën
“Vendimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me mbështetjen dhe votimin për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë marrë në bazë të hulumtimit dhe analizës së plotë të lëvizjeve aktuale globale të politikës së jashtme, qëndrimeve të përcaktuara të aktorëve ndërkombëtarë me ndikim, angazhimit tonë për përforcimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në botë, si dhe interesit strategjik të shtetit për krijimin e një pozicioni të qëndrueshëm dhe ndërtimin e marrëdhënieve më të forta me partnerët tanë strategjikë”, deklaruan nga MPJ-ja.
Nga aty thonë se vendimet janë në përputhje me qëndrimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për armëpushim ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
“RMV-ja riafirmoi mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën dhe vazhdon të dënojë agresionin e Federatës ruse, në të njëjtën kohë duke shprehur solidaritet dhe përgjegjësi të fortë ndaj popullit ukrainas dhe përpjekjeve të tij për të mbrojtur plotësisht integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë, lirinë dhe demokracinë”, sqaroi ministria.
Ata theksuan se ky qëndrim i Maqedonisë së Veriut nuk nënkupton ndryshim ose tërheqje të qëndrimeve të shprehura më parë.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesori universitar Nano Ruzhin për Portalb.mk, ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të jetë pro paqes dhe të përkrahë paqen në Ukrainë, por jo me bindjen se Tramp do të bind Evropën që të ndërrojnë qëndrimin në raport me Maqedoninë.
“Nuk kisha thënë se po ikim nga Europa. Diçka tjetër është ajo që shqetëson. indiferenca ndaj ndryshimit të Kushtetutës. Është i kot mendimi i disave në VMRO-DPMNE, se SHBA do t’i ndihmojë duke i bindur europianët që ta ndrrojnë qëndrimin ndaj Maqedonisë. Kjo nuk do të ndodh.
Mund të ndodh që Tramp të bind Mickoskin për ta ndryshuar Kushtetutën. Dhe tjetra, është gabim të shihet roli i Tramp dhe BE-së në kontekst të ndasive politike, sikur pushteti është me Tramp, ndërkaq opozita me Bajden dhe demokratët. Maqedonia e Veriut dhe partitë në vend duhet të jenë për paqe. Në këtë kontekst të gjithë duhet të përkrahim propozimin amerikan, sepse propozimi çon drejt paqes. Po flas për politikën e jashtme të Trampit dhe jo elementet tjera që nuk janë popullore. Flas vetëm për luftën në Ukrainë dhe rezolutën”, tha për Portalb Ruzhin.
Sipas tij, të gjithë vendet e Ballkanit duhet të jenë pjesë e BE-së. Sa më shpejtë që jemi në BE, tha ai, aq më mirë për prosperitetin e qytetarëvee. Prandaj, insiston profesori Ruxhin, se nuk duhet lëvizjet të shihen nga interesat partiake, por nga interesi qytetar, i të gjithëve, pa dallim nga përkatësia etnike a religjioze.
Votimi i RMV-së në OKB u kritikua edhe nga opozita në vend.
Ndryshe, SHBA-ja dorëzoi një projekt-rezolutë në OKB që përdor gjuhë më pak kritike për pushtimin e gjithanshëm të Rusisë në Ukrainë sesa projekt-rezoluta e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina. Bashkë-sponsorizues të rezolutës amerikane janë Gjeorgjia, Hungaria, Izraeli dhe Maqedonia e Veriut. Asambleja e Përgjithshme është bërë organi më i rëndësishëm i OKB-së që merret me Ukrainën. Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku anëtarët e përhershëm Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e vetos, asnjë shtet anëtar nuk ka të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme. Rezolutat e miratuara nga organi prej 193 anëtarësh nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ndiqen nga afër në mbarë botën.
- LEXO: LSDM për votimin në OKB: Qeveria vetëm me një lëvizje bëri dëm të dyfishtë ndaj partneriteteve strategjike me BE-në dhe SHBA-në
- LEXO: OKB miratoi rezolutën e cila dënoi pushtimin e Ukrainës, Maqedonia e Veriut abstenoi, SHBA-ja dhe Rusia votuan kundër
- LEXO: Maqedonia e Veriut i tregoi arsyet pse u bë bashkësponsore e rezolutës amerikane në OKB në lidhje me luftën në Ukrainë
- LEXO: RMV-ja është bashkësponsore e rezolutës amerikane në OKB për Ukrainën, e cila nuk e fajëson Rusinë për fillimin e konfliktit