Familjet e viktimave të tragjedisë në Koçan refuzuan takim me Mickosin
Familjet e të rinjve që humbën jetën tragjikisht në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan e kanë refuzuar ftesën për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, e cila ishte caktuar për më 13 maj në Shkup. Në një njoftim për mediat, ata sqarojnë se ftesa nga Qeveria ka arritur me vonesë dhe rikujtojnë se më herët […]


Familjet e të rinjve që humbën jetën tragjikisht në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan e kanë refuzuar ftesën për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, e cila ishte caktuar për më 13 maj në Shkup. Në një njoftim për mediat, ata sqarojnë se ftesa nga Qeveria ka arritur me vonesë dhe rikujtojnë se më herët kishin kërkuar që takimi të mbahej në Koçan, pasi disa nga prindërit nuk janë në gjendje të udhëtojnë për shkak të pasojave nga tragjedia, transmeton Portalb.mk.
“Menduam se propozimi për takim në Koçan ishte i arsyeshëm dhe i justifikuar, veçanërisht sepse disa nga prindërit nuk janë në gjendje të udhëtojnë për shkak të pasojave nga tragjedia”, thuhet në letrën e familjeve.
Ata theksojnë se qëndrimi i tyre nuk është një konsensus i plotë, por pasqyrë e mendimit të shumicës mes tyre.
Përveç refuzimit të takimit, familjet njoftuan edhe organizimin e një tubimi paqësor me moton “Marshi i engjëjve”, i cili do të mbahet më 10 maj (e shtunë) në Koçani, me fillim në ora 16:05. Me këtë marsh, ata duan të shprehin dhimbjen, të kërkojnë drejtësi dhe t’u kujtojnë institucioneve se një tragjedi e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.