Fondi i Shëndetësisë së RMV-së duhet t’i paguajë 430 mijë euro një spitali gjerman, zbuloi Revizioni

Raporti përfundimtar i revizionit për funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), zbulon se FSSH duhet t’i paguajë 430 mijë euro një spitali nga Gjermania në bazë të 12 kërkesave për pagesën e trajtimit, transmeton Portalb.mk. Paditë janë ngritur në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2022 dhe për disa prej tyre janë marrë […]

qershor 19, 2024 - 21:01
 0  9
Fondi i Shëndetësisë së RMV-së duhet t’i paguajë 430 mijë euro një spitali gjerman, zbuloi Revizioni
Grevë në Fondin për Sigurime Shëndetësore. Foto: Meta.mk

Raporti përfundimtar i revizionit për funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), zbulon se FSSH duhet t’i paguajë 430 mijë euro një spitali nga Gjermania në bazë të 12 kërkesave për pagesën e trajtimit, transmeton Portalb.mk.

Paditë janë ngritur në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2022 dhe për disa prej tyre janë marrë vendime nga një gjykatë gjermane, me të cilën Fondi është përgjegjës për pagesën e shpenzimeve të trajtimit.

EShR thotë se në rastet e faturave të dorëzuara nga spitalet e huaja me një shumë më të lartë se parapagimi, në librat e biznesit të FSSH-së ato regjistrohen vetëm deri në nivelin e paradhënies, pa marrë parasysh vlerën faktike të faturuar të shërbimeve të ofruara.

Si arsye për veprimin e këtillë, nga ana e personave përgjegjës të Fodnit përmendet se nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga i siguruari dhe nuk është kryer asnjë procedurë për njohjen e harxhimeve shtesë, siç parashikohet në nenin 19 të Rregullores për trajtimin jashtë vendit.

“Një sjellje e tillë ka rezultuar që Fondi të përballet me 12 padi nga një spital gjerman gjatë viteve 2021 dhe 2022 për pagesën e shpenzimeve të mjekimit të bëra në periudhën 2017-2019 që tejkalojnë shumën e paradhënieve të dhëna në shumën totale mbi 430 mijë euro (26milionë e 720 mijë denarë), dhe për të cilat nuk është regjistruar asnjë borxh në librat afarist të Fondit”, thuhet në raport.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Kujtojmë se Enti Shtetëror për Revizion së fundmi ka hulumtuar punën e Agjencisë për Punësim në Maqedoninë e Veriut, duke konstatuar se janë paguar 2.8 miliardë denarë kompensime për personat e papunë dhe masat aktive për punësim.