Fondi i Shëndetësisë së RMV-së i ndau Onkologjisë 39 milionë euro për barna të shtrenjta biologjike për vitin 2025

Fondi i Shëndetësisë për vitin 2025 ka ndarë 39 milionë euro rekord për buxhetin e kushtëzuar të Klinikës së Onkologjisë. Këto janë para nga të cilat blihet terapia e shtrenjtë biologjike. Kjo ndarje buxhetore është shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë për terapi biologjike në Klinikën e Onkologjisë, me të cilën drejtori i Fondit, […]

shkurt 4, 2025 - 21:00
 0  3
Fondi i Shëndetësisë së RMV-së i ndau Onkologjisë 39 milionë euro për barna të shtrenjta biologjike për vitin 2025
Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Fondi i Shëndetësisë për vitin 2025 ka ndarë 39 milionë euro rekord për buxhetin e kushtëzuar të Klinikës së Onkologjisë. Këto janë para nga të cilat blihet terapia e shtrenjtë biologjike. Kjo ndarje buxhetore është shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë për terapi biologjike në Klinikën e Onkologjisë, me të cilën drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, pret që të mos ketë mungesë të terapisë, të mbulohen të gjithë pacientët, por meqë burimet nuk janë një e mirë e pakufizuar, përfshirja e kësaj terapie do të vazhdojë të jetë sipas kritereve të përcaktuara rreptësisht për të cilat do të vendosë kolegjiumi i ekspertëve, transmeton Portalb.mk.

“Edhe Fondi i Shëndetësisë ka gjetur zgjidhje ligjore nëse rastësisht do të harxhohen barnat nga tenderi – të mund të blihen të tjera pa kthime dhe brenda ligjit”, informoi drejtori Klekovski.

Kjo do të bëhet në marrëveshje me Byronë e Prokurimeve Publike në procedurën e quajtur “zgjidhja e menjëhershme”, e cila është mekanizëm ligjor në rast se rrezikohet jeta e njerëzve dhe sipas Klekovskit nuk paraqet anashkalim të ligjit.

Me rastin e 4 shkurtit, Ditës Botërore të Kancerit, Fondi prezantoi se çfarë aktivitetesh do të realizojë në këtë fushë në vitin 2025. Nevojiten masa më serioze për të frenuar pirjen e duhanit, ekzaminime më të mira. Në këtë kuptim, Fondi planifikon që numrin e ekzaminimeve të kryera PET-skan ta çojë në shifrën 5 mijë në vit, por fillimisht rritja është në 3 mijë.

Në bisedë me kompanitë farmaceutike është siguruar që disa barna që shiten me shumicë do të kushtojnë nga 10 deri në 30 përqind më pak se më parë, çka do të thotë se do të ketë terapi për një numër më të madh pacientësh.

Ana Marijanoviq nga shoqata “Hema-onko” shprehu habinë pozitive për planin dhe theksoi se nëse zbatohet, atëherë shumica e problemeve të pacientëve onkologjikë do të zhduken.

“Më pas do të duhet të rishikohen protokollet. Nga përvoja, ka një problem me parandalimin me programet e skriningut, por plani është një hap i madh përpara në një kuptim pozitiv”, tha Marijanoviq.

Në planin për trajtimin onkologjik në vend, decentralizimi luan një rol kryesor, pra pacientët kanë një zgjedhje nga disa qendra në brendësi ku mund të marrin trajtime. Për këtë arsye, dy mjekë dhe një fizikan nga SPQ 8 Shtatori tashmë kanë përfunduar trajnimin në Klinikën e Onkologjisë dhe siç tha drejtori dr. Sinisha Stojanovski, tashmë janë të gatshëm për të dhënë terapi onkologjike me tableta dhe subkutane.