Lidhjet familjare kriter për punësime dhe avancime, përplasen VMRO-DPMNE dhe LSDM
“Institucionet shtetërore po mbushen me personel, kualifikimet kryesore të të cilëve janë lidhjet familjare dhe partiake, ndërkohë që të rinjtë dhe të aftë po largohen nga vendi. Familja Andonovski është vetëm maja e ajsbergut. Babai Ljupço është këshilltar, vëllai Igori është shef, djali Stefani ministër – të gjitha në institucionet qeveritare që u shërbejnë interesave […]
“Institucionet shtetërore po mbushen me personel, kualifikimet kryesore të të cilëve janë lidhjet familjare dhe partiake, ndërkohë që të rinjtë dhe të aftë po largohen nga vendi. Familja Andonovski është vetëm maja e ajsbergut. Babai Ljupço është këshilltar, vëllai Igori është shef, djali Stefani ministër – të gjitha në institucionet qeveritare që u shërbejnë interesave të VMRO-DPMNE -së”. Kështu kanë akuzuar nga LSDM, partinë qeveritare VMRO-DPMNE, raporton Portalb.mk.
“Ky është një sistem i pacipë nepotik që tregon se aftësitë dhe kualifikimet janë të parëndësishme në Maqedoninë nën sundimin e tyre. Dhe ndërsa zyrtarët e partisë po strehojnë familjet e tyre, të rinjtë dhe të arsimuarit janë lënë në mëshirën e fatit – me mundësi minimale për punë dhe një jetë dinjitoze. Në vend që të përdorin energjinë dhe potencialin e tyre për përparimin e vendit, ata janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit, sepse këtu ka vend vetëm për të afërmit e zyrtarëve të VMRO-DPMNE -së. Nuk ofron as drejtësi, as mundësi të barabarta, por krijon një sistem që vret shpresën. Nepotizmi dhe konflikti i interesit që ata praktikojnë prek drejtpërdrejt qytetarët – nga institucionet, nga ekonomia, nga siguria. Qeveria nuk punon për popullin, por për ‘të vetët’. Rinia e Maqedonisë meriton drejtësi, barazi dhe mundësi, jo diktaturë partiake. Mjaft ky sistem i korruptuar që mbyt talentin dhe nxit emigracionin. Është koha për ndryshim!”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE akuzave iu janë përgjigjur me pyetje: “Deri kur do të qëndrojnë në LSDM zyrtarët që vodhën nga shteti si Pece Mirçevski?”
“Në rubrikën për komisione, Pece Mirçevski figuron si kryetar i Komisionit për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor. Pece Mirçevski është kapur në flagrancë në krim dhe përvetësim të fondeve shtetërore. Pece Mirçevski në vend që të punojë për interesat e Shërbimit dhe të qeverisë, ka punuar për interesin dhe përfitimin e tij personal. Nëse LSDM nuk e shkarkon Pece Mirçevskin si kryetar i komitetit të partisë, kjo tregon se ata e mbështesin krimin e tij. Nëse LSDM nuk e shkarkon dhe nuk distancohet nga Pece Mirçevski dhe ata si ai nga kopeja e Zaevit, duke përfshirë edhe vetë Zaevin, ata vetëm do të vazhdojnë të fundosen”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.