Gashi: Nuk ka nevojë për panik, as për zgjedhje të parakohshme parlamentare
Shumica parlamentare është stabile pavarësisht nëse dikush del apo hyn për shkak të trazirave në koalicionin VLEN, theksoi kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në intervistë për Radion Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, njofton Portalb.mk. Gashi potencoi se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në afatin e rregullt në tetor. “Nuk mendoj se ka nevojë për […]


Shumica parlamentare është stabile pavarësisht nëse dikush del apo hyn për shkak të trazirave në koalicionin VLEN, theksoi kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në intervistë për Radion Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, njofton Portalb.mk.
Gashi potencoi se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në afatin e rregullt në tetor.
“Nuk mendoj se ka nevojë për panik, shumica është stabile, mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë pavarësisht nëse dikush hyn apo del. Domethënë nuk do të ketë një ndryshim të madh në numrin e deputetëve. Shumica është shumë e qëndrueshme, tashmë kemi rreth dy të tretat. Nga ana tjetër, zgjedhjet lokale po afrojnë, por nuk mendoj se duhet të jemi gjithmonë aq të kapur nga ethet dhe adrenalina zgjedhore, sa të duhet të bëjmë zgjedhje për gjithçka. Zgjedhjet lokale duhet t’i kuptojmë nga natyra e tyre, siç janë në thelb. Të flitet për kanalizime, ujësjellës, rrugë më të pastra, ndriçim dhe nuk mendoj se duhet të sjellim politikë të lartë në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet që vijojnë, në këto zgjedhje të rregullta. Kështu që nuk do t’i vendosja në të njëjtën paralele, kjo shumicë parlamentare, mendoj se duhet të vazhdojë deri në fund të mandatit, për t’i dhënë stabilitet politik qytetarëve, që Kuvendi, qeveria të vazhdojnë punën e tyre. Zgjedhjet lokale janë një tjetër temë”, ka potencuar Gashi.
Bashkimi Demokratik për Integrim dje (26 prill) përmes një kumtese informoi se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtohet publikisht partive shqiptare në qeveri dhe me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, atëherë ejani në zgjedhje të parakohshme. Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse të përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është në rregull që ministrinë për Marrëveshjen e Ohrit ta udhëheq një pitinist që mohon atë – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë anulimin e balancuesit – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se punësimet njëetnike, përjashtuese nuk shqetësojnë askënd – ejani në zgjedhje!”, thonë nga BDI.
Nga VLEN-i njëherë reaguan se BDI-ja gjithçka bën për të mbuluar të kaluarën e tyre kriminale, por më vonë kumtuan se pranojnë zgjedhje të parakohshme.
“Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që me paratë tona blenë për vete qendrën tregtare Soravia, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që na helmonin me mazut kancerogjen, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që shpëtuan Gruevskin e Mijallkovin nga burgu, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ministra që luajnë futboll nëpër zyra e institucione, ejani në zgjedhje!
Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që legalizuan kumarin dhe e futën në çdo familje shqiptare, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që lejuan trafikun e drogës përmes fabrikave të marihuanës, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë njerëz nga Lista e zezë amerikane, ejani në zgjedhje! Ne nuk i frikohemi vullnetit të popullit. Populli kërkon përgjegjësi për hajnat, dhe përgjegjësi do të ketë!”, reaguan nga VLEN-i.
Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN gjë që ka krijuar mundësi për rikonstruim të mundshëm të qeverisë.
Mbetet pikëpyetje se vallë turbulencat brenda koalicioneve në qeveri do të krijojnë hapësirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet në tetor.