Gashi zhvilloi takime me ambasadorët e Italisë, Francës dhe me përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në vend
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka takuar sot me ambasadorët e Italisë dhe Francës në vend Andrea Silvestrin dhe Siril Bomgartner, si dhe me Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend. Në takimin me ambasadorin Silvestri, ai e uroi Gashin për […]
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka takuar sot me ambasadorët e Italisë dhe Francës në vend Andrea Silvestrin dhe Siril Bomgartner, si dhe me Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend. Në takimin me ambasadorin Silvestri, ai e uroi Gashin për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit si kryetar i zgjedhur me një numër të konsiderueshëm votash, duke i uruar punë të suksesshme dhe duke nënvizuar mekanizmin demokratik të vetë zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, atij iu dha një mesazh urimi nga presidenti i Senatit italian, Ignazio La Rusa, me urime për sukses në punën e tij të ardhshme, transmeton Portalb.mk.
“Gashi e njohu ambasadorin me aktivitetet e deritanishme të shtëpisë ligjvënëse, formimin e ardhshëm të komisioneve dhe trupave të tjera punuese, si dhe pritjet për formimin e shpejtë të Qeverisë së re. Ai theksoi se si president i përgjegjshëm do të mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, sepse të gjithë duhet të punojnë në të mirë të qytetarëve dhe shtetit në tërësi. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve, presidenti theksoi se e vlerëson lart bashkëpunimin me miken Italinë , vend që është mbështetës i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ambasador Silvestri e informoi Gashin për marrëdhëniet ekzistuese të planit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe shprehu shpresën se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen pas krijimit të grupit parlamentar në Kuvend për bashkëpunim me Parlamentin italian. Gjithashtu u përmend edhe përvjetori i fundit i 30 vjetëve nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Italisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka ambasadori i dhuroi atij një kopje të Publikimit të botuar me këtë rast.
“Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për agjendën e ardhshme legjislative, fokusin në integrimin evropian të vendit dhe rolin e Kuvendit në këtë proces, ruajtjen e një marrëdhënieje konstruktive dhe miqësore me të gjithë fqinjët dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me vendet e të gjithë rajonit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë në takimin me ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Siril Bomgartner, ku mori pjesë edhe Zhaklina Pop-Angellova, shefe e Kabinetit të ambasadorit, Gashi konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve dhe dy parlamenteve, duke falënderuar njëkohësisht mbështetjen franceze në të gjitha nivelet e qeverisjes për anëtarësimin në NATO dhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. E përshëndeti angazhimin aktiv për avancimin e marrëdhënieve nga senatorët dhe deputetët francezë, veçanërisht deputetët Liliana Tangi dhe Bertran Sop, mbështetjen e tyre të qartë për procesin tonë të integrimit evropian. Si prioritet të parë në mandatin e tij ai veçoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet që do të bëjë për të realizuar sa më shpejt këtë synim strategjik dhe vendosmërinë e shumicës së qytetarëve.
Ambasadori Bamgartner, duke e uruar atë për zgjedhjen e tij si Kryetar i Kuvendit në emër të autoriteteve franceze dhe në emrin e tij, përcolli mbështetjen e plotë të Republikës Franceze në kryerjen e funksionit të tij si kryetar i Kuvendit. Ai u pajtua për trendin pozitiv të bashkëpunimit dinamik parlamentar ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë Nacionale dhe Senatit të Republikës së Francës, veçanërisht ndërmjet grupeve të bashkëpunimit dhe në kuadër të seksioneve në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.
“Ambasadori shfrytëzoi rastin për të përshëndetur edhe një herë mbajtjen e aktivitetit të dytë edukativo-arsimor në Kuvend “Kam qëndrim – Parlamenti i Ri i Frankofonisë”, në kuadër të shënimit të muajit mars – muajit të Frankofonisë, i cili jep mundësi që nxënësit e frankofonisë të shkollave të mesme për një ditë të jenë deputetë dhe të vendosin për tema të rëndësishme që prekin të rinjtë. Në aspektin e integrimit evropian, ambasadori Baumgartner theksoi rëndësinë e ndërtimit të një konsensusi mbipartiak për çështjet që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, veçanërisht për miratimin e legjislacionit që kërkon shumicën e dy të tretave në Kuvend, si një hap kyç në këtë procesi”, thuhet në njoftim.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për aktivitetet e ardhshme parlamentare në përbërjen aktuale parlamentare dhe për zhvillimet në Republikën Franceze në mbajtjen e zgjedhjeve evropiane. U konstatua se është e nevojshme krijimi i grupeve të miqësisë në të dy parlamentet sa më shpejt pas zgjedhjeve dhe vazhdimi i bashkëpunimit intensiv parlamentar në periudhën në vijim.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, sot realizoi takim edhe me Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend. Në takim u bisedua për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe për mbështetjen konkrete nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për miratimin dhe për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2024-2044 (SZHN).
“Duke e uruar për zgjedhjen në funksionin e ri, Grigorjan theksoi se Strategjia mbulon disa segmente me të cilat UNDP-ja bashkëpunon me institucionet shtetërore, me propozim që edhe Kuvendi të vazhdojë të jetë aktiv: dezinformimet, politikat rinore (korrelacioni me Strategjinë Nacionale të Rinisë, transparenca e raporteve të revizorit, strategjia arsimore (me fokus në miratimin e ligjeve të përmirësuara për arsimin fillor dhe të mesëm, arsimin e të rriturve, arsimin profesional dhe për nxënësit me aftësi të kufizuara). Në periudhën e ardhshme, fokus i veçantë do t’u kushtohet çështjeve klimatike dhe drejtësisë ekologjike, përkatësisht institucionalizimit legjislativ të së drejtës për mjedisin e pastër njerëzor si e drejtë themelore e njeriut”, thuhet në njoftim.
Gashi i njoftoi të pranishmit se pret që Kuvendi në seancat e para të kësaj përbërjeje parlamentare të miratojë Strategjinë Zhvillimore Nacionale, kompletimin e Këshillit Drejtues dhe planifikimin e aktiviteteve të mëtutjeshme në Kuvend. Kryetari u zotua se do të zhvillohen më shumë projekte në nivel komunal, veçanërisht për komunat më pak të zhvilluara, të cilat do të sjellin përfitime për qytetarët, duke e nënvizuar mbështetjen e Kuvendit në miratimin e ligjeve në funksion të realizimit të tyre.
Gashi dhe Grigorjan konkluduan se edhe në periudhën e ardhshme, bashkëpunimi midis Kuvendit dhe UNDP-së do të mbetet i hapur dhe do të vazhdojë me dinamikë të shtuar, si dhe me institucionet e tjera në vend, me qëllim të garantimit të qëndrueshmërisë së SZHN-së në periudhën e mbuluar prej 20 vite.