Gazetaria në krizë: Sfida profesionale dhe paga të ulëta, a po ngel RMV-ja pa gazetarë të rinj?
Paga të ulëta, punë të pasigurta dhe mungesa a avancimit profesional janë vetëm disa nga sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen gazetarët e rinj në Maqedoninë e Veriut. Këto demotivojnë të rinjtë që të studiojnë gazetarinë, apo edhe të tërhiqen nga ky profesion. Studentët e gazetarisë ankohen se në universitete nuk kanë kushte elementare […]
Paga të ulëta, punë të pasigurta dhe mungesa a avancimit profesional janë vetëm disa nga sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen gazetarët e rinj në Maqedoninë e Veriut. Këto demotivojnë të rinjtë që të studiojnë gazetarinë, apo edhe të tërhiqen nga ky profesion. Studentët e gazetarisë ankohen se në universitete nuk kanë kushte elementare të pajisjeve për punë praktike, ndërsa thonë se ka mungesë të programeve dhe trajnimeve të ndryshme. Problemet i konfirmojnë edhe nga Shoqata e Gazetarëve, kurse profesori Sefer Tahiri thekson se ky profesion nuk ka mbështetjen që e meriton, shkruan Portalb.mk.
Gazetarët e së ardhmes nuk kanë kushte për të mësuar profesionin e tyre
Pavarësisht se kanë zgjedhur të studiojnë këtë profesion, të rinjtë shprehen të dëshpëruar nga mundësitë dhe kushtet që kanë për të mësuar dhe praktikuar gazetarinë.
Jusra Kamberi është në vitin e tretë të studimeve për gazetari në ‘Universitetin e Tetovës’. Ajo shprehet se mungesa e kushteve elementare prekë në çdo aspekt formimin e tyre si gazetarë të ardhshëm.
“Mungesa e mjeteve dhe burimeve, literatura e papërshtatshme, librat dhe materialet e duhura për gazetarinë janë të kufizuara, duke vështirësuar qasjen në njohuri bashkëkohore dhe teknika të reja të profesionit. Po ashtu edhe mungesa e teknologjisë së pajisjeve si: kamera profesionale, mikrofona, laptopë dhe programe për redaktim mungojnë plotësisht ose janë të papërdorshme”, thotë Kamberi.
Ajo madje shtoi se fakulteti nuk ka studio ku mund të bëhet praktikë për radio, televizion ose podkaste.
“Pamundësia për përvojë praktike edhe pse gazetaria është një profesion i orientuar drejt praktikës, mungesa e bashkëpunimit me institucione mediatike (televizione, gazeta, portale) e bënë të vështirë që studentët të përfshihen në projekte praktike. Gjithashtu, nuk realizohen mësime në terren, si ushtrime të drejtpërdrejta për mbledhjen dhe raportimin e lajmeve. Shumica e lëndëve praktike kufizohen në teori dhe nuk shoqërohen me aktivitete konkrete që do të ndihmonin në përvetësimin e shkathtësive profesionale”, shtoi Kamberi.
Nga ana tjetër, Mihaela Korunovska studente në universitetin ‘Shën Kirili dhe Metodi’ thekson se kanë nevojë për më shumë mundësi dhe praktika të ndryshme.
“Sfidat janë përgjithësisht të njëjta për çdo studenti por ndër të cilat më e ndërlikuar është pranimi i faktit se në vendin tonë ka mungesë së kuadrit profesionit, diversitetit mediatik dhe avancimi në këtë fushë”, tha Korunovska.
Ajo mendon se duhet të ketë më shumë mundësi për praktika sepse vetëm përmes kësaj mund të përballen me terrenin dhe se është pjesë thelbësore në formimin e një gazetari. “Aktualisht, ka një numër të vogël mundësish të cilat zakonisht i gjejmë vetë ose ndonjëherë përmes rekomandimeve nga profesorët”, tha Korunovska.
Pasioni më i madh se sfidat
Pagat e ulëta, presionet politike dhe lajmet e rreme. Këto sipas gazetares së re Afije Sherifi janë disa nga arsyet të cilat i demotivojnë gazetarët e rinj.
Ajo thotë se fusha e gazetarisë nuk është më aq tërheqëse për të rinjtë, dhe kësisoj redaksitë përballen me mungesë të gazetarëve.
Një nga problemet kryesore sipas Sherifit është pjesa financiare.
“Pagat e ulëta shpesh i demotivojnë ata, ndodh që shumë të rinj të heqin dorë nga gazetaria ose të punësohen në ndonjë fushë tjetër, apo edhe të shpërngulen nga vendi”, thotë ajo.
Sipas saj, për gazetarët e rinj është e nevojshme përkrahja e mentorëve dhe redaktorëve, pjesëmarrja në trajnime të ndryshme, por edhe gatishmëria e vetë gazetarit për të mësuar vazhdimisht.
“Gazetarët e rinj duhet të mos i marrin gjërat personalisht, të punojnë me kokë të qetë, të jenë ambiciozë, por edhe realistë për ndikimin e tyre në shoqëri. Mbi të gjitha, nuk duhet të harrojnë se punojnë për qytetarët dhe se misioni i tyre është informimi i saktë, objektiv dhe me përgjegjësi”, përfundoi Sherifi.
Nga ana tjetër, gjithë këto sfida nuk ndikuan te gazetarja Angella Boshkoska, ajo që para se të fillonte studimet filloi të merret me gazetari, profesion të cilin e ushtron edhe sot gjatë kohës kur ende është në studime.
Boshkoska thekson se profesioni i gazetarisë në RMV nuk vlerësohet mjaftueshëm, madje ajo thotë se ka raste kur gazetarët e rinj kalojnë vite në “praktikë” pa pagesë.
“Gazetaria duhet të zhvillohet vazhdimisht në bashkëpunim me gazetar të rinj me qëllim që të arrihet një produkt cilësor që është gjithashtu në përputhje me trendët botërore dhe mjetet e reja për punë”, theksoi Boshkoska.
Megjithatë, ajo thotë se nga ana financiare gazetarët e rinj paguhen më pak ndonjëherë edhe aspak për atë që bëjnë dhe ndonjëherë mund të kalojnë vite në “praktikë” pa pagesë.
“Në kushte kur gazetarët me përvojë dekadash nuk janë paguar mjaftueshëm për punën dhe aftësitë e tyre, çka mund të presin gazetarët e rinj në aspektin financiar?”, tha Boshkoska.
Tahiri: Gazetaria në RMV nuk ka mbështetjen që meriton
Profesori universitar Sefer Tahiri thekson se në të ardhmen vendi duhet të ofrojë mbështetje për gazetarët e rinj sepse ata janë e ardhmja. Ai propozon disa mënyra se si mund të bëhet kjo.
“Ndihmesa mund të bëhet në forma të ndryshme përmes bursave në universitete përkatësisht në fakultete ku studiohet gazetaria, shkencat e komunikimit apo marrëdhëniet me publikun, pastaj mund të ketë bursa në kuadër të institucioneve mediatike apo vet mediat pra të stimulojnë gazetarët e rinj duke i paguar për praktikën apo për fazën fillestare”, thotë Tahiri.
Ai konsideron se duhet të bëhen përpjekje në kuadër të redaksive që të ketë trajnime sa më të mëdha për gazetarët e rinj që në të ardhmen ata të bëhen profesionistë.
“Mendoj se fakultetet e ndryshme të kuadër të universiteteve ofrojnë programe formale ka edhe programe joformale në kuadër të instituteve apo organizatave të ndryshme por mendoj se në këtë drejtim nevojitet një qasje më pro aktive në kuptimin e promovimit të këtyre programeve nga ana universiteteve apo instituteve të ndryshme sepse ka një lloj dyshime tek të rinjtë që të merren me këtë profesion për shkak të faktorëve të ndryshëm siç janë pagat e ulëta, rreziku që bartë profesioni e kështu me radhë”, tha Tahiri.
Profesoi shton se në RMV pagat e gazetarëve janë të ulëta she që gazetarëve të rinj në fillim iu ofrohen paga të cilat mund të jenë minimale por sipas tij kjo nuk duhet ti dekurajojë ata që mos të vazhdojnë me këtë profesion.
SHGM: Gjendja e gazetarëve të rinj në vend mbetet sfiduese
Problemet e gazetarëve të rinj i pranojnë edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se sipas Hulumtimit të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik një pjesë e madhe e gazetarëve të rinj marrin paga nën pagën mesatare në vend.
“Kjo tregon mbështetje të pamjaftueshme financiare dhe kushte të pasigurta pune. Sa i përket programeve arsimore për studentët e gazetarisë ekziston nevoja për rritjen e numrit dhe cilësisë së programeve formale dhe joformale. SHMG po ndërmerr hapa në këtë drejtim, bashkëpunon me Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip për përmirësimin e programit të gazetarisë dhe ofrimin e përvojave praktike për studentët. Brenda SHMG-së funksionon Seksioni i Gazetarëve të Rinj i cili fokusohet në zhvillimin profesional të anëtarëve për t’i bërë ngritja më konkurrues. Sipas tyre kjo realizohet përmes organizimit të trajnimeve, punëtorive dhe programeve mentoruese”, thanë nga SHMG.
Nismë tjetër e SHGM-së është Akademia e trajnimeve për gazetarët dhe punonjës mediatik e cila ka për qëllim zhvillimin profesional përmes edukimit cilësor, trajnimeve, dhe aftësive të nevojshme për gazetarinë moderne.
Përndryshe, në trajnimin e gazetarëve të rinj kontribut të madh ndër vite ka dhënë edhe Fondacioni Metamorfozis. Për të tretin vit radhazi në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët në kuadër të programit “Gazetaria për gjeneratën e re” , ata organizojnë trajnime të ndryshme, ku më pas të rinjve u ofrohen mundësi pune praktike me pagesë, vizitë studimore në SHBA si dhe mundësi punësimi.
Ndryshe, që situata e gazetarëve në RMV nuk është e mirë e tha edhe Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian.