Pollog: Një ‘grusht’ i kompanive fitojnë tenderët, ata rregullojnë rrugë, semaforë e shtratin e lumit, tani me 340 mijë euro do e pastrojnë borën
Shtatë komuna të rajonit të Pollogut kanë harxhuar afër 340 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit 2024-2025. Portalb.mk i hulumtoi kontratat e nënshkruara për këtë dhe rezulton se përkundër që ka harxhuar më së shumti para, edhe atë 120 mijë euro, Komuna e Tetovës kontratën nuk e ka publikuar në sistemin online për […]
Shtatë komuna të rajonit të Pollogut kanë harxhuar afër 340 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit 2024-2025. Portalb.mk i hulumtoi kontratat e nënshkruara për këtë dhe rezulton se përkundër që ka harxhuar më së shumti para, edhe atë 120 mijë euro, Komuna e Tetovës kontratën nuk e ka publikuar në sistemin online për prokurime publike. Gostivari është i dyti për nga harxhimet për pastrimin e borës. Kompanitë që do pastrojnë borën në Pollog janë klientë të rregullt të komunave ku kanë fituar tenderin, shpesh herë për punë nga më të ndryshmet.
Dimri duket të jetë stina e preferuar për kompanitë që merren me pastrimin e rrugëve nga bora, e sidomos për ata që janë të afërt me pushtetin lokal. Shuma të mëdha parash ndahen për këtë qëllim ndërsa dimri zgjat shumë pak ditë.
Shumë kompani ‘multifunksionale’ në Pollog
Pjesa më e madhe e kompanive të angazhuara për pastrimin e rrugëve nga bora janë klientë të rregullt të komunave përkatëse. Një pjesë në të kaluarën kanë fituar tenderë për asfaltim të rrugëve, riparim të defekteve në rrjetin e ujësjellësit, si dhe janë kujdesur për semaforët.
Pjesa më e madhe e kompanive fituese të tenderit për pastrimin e rrugëve kanë nga një apo dy të punësuar të paraqitur.
Komuna e Tetovës
Tetova ka harxhuar gjithsej 7.4 milion denarë ose 128.409 euro për mirëmbajtjen e rrugëve dimrit. Për pastrimin e rrugëve nga bora 80,459 euro ndërsa për furnizim me kripë dhe rërë 47.950 euro.
Portalbi të dhënat për këtë i siguroi nga burime brenda komunës së Tetovës pas disa përpjekjeve, pasi kontrata nuk është publikuar në sistemin online për furnizime publike, përkundër obligimit ligjor.
Kompania fituese e këtij tenderi është “Eco-Peu” e cila është themeluar në të njëjtin vit kur kryetar i komunës u zgjodh Bilall Kasami ndërsa është një prej tre kompanive në pronësi të familjes Bajrami, të cilat janë fituese të tenderëve me shuma milionëshe nga Komuna e Tetovës.
Portalb.mk më herët ka shkruar rrjetin e bizneseve të familjes Bajrami.
Nuk dihet nëse ka pasur ofertues tjerë, por sipas historikut të tenderëve të kaluar, “Eco-Peu” dukshëm është një nga kompanitë favorite të Komunës së Tetovës. Kompania që ka vetëm gjashtë të punësuar, ka fituar dhjetëra tenderë nga kjo komunë për punë nga më të ndryshmet si asfaltim i rrugëve, lidhje të reja në ujësjellës dhe ndërtim të qarkoreve.
Për shembull, vetëm gjatë vitit 2023 kjo kompani nga Komuna e Tetovës ka fituar gjithsej 9 tenderë me vlerë prej 981.427 eurove.
Komuna e Gostivarit
Gostivari ka harxhuar gjithsej 5.9 milion denarë ose 95.913 euro për mirëmbajtjen e rrugëve dhe furnizim me kripë dhe rërë gjatë dimrit. Meqë Gostivari është qytet relativisht i vogël, kjo shumë konsiderohet të jetë e lartë.
As Komuna e Gostivarit nuk e kishte publikuar kontratën në sistemin online për furnizime publike, kjo u bë një ditë pasi kërkoi Portalbi.
Kompania fituese e këtij tenderi është ‘Magnum Trans’, gjithashtu kliente e rregullt e komunës së Gostivarit ndërsa në të kaluarën është marrë me asfaltim të rrugëve, ndërtim të urave, shembjes së objekteve dhe ngjashëm.
Përkundër që shuma e tenderit mund të duket e lartë, në thirrjen e komunës së Gostivarit për këtë tender është paraqitur vetëm kjo kompani, përkatësisht nuk ka pasur ofertues tjetër.
Komuna e Zhelinës
Zhelina ka harxhuar gjithsej 1.2 milion denarë ose 19,507 euro për pastrimin e rrugëve nga bora gjatë dimrit. Kontrata nuk është publikuar në sistemin online për furnizime publike ndërsa Portalbi të dhënat i siguroi nga burime brenda komunës.
Kompania që ka fituar tenderin është “Ferna-Trans” me seli në Zhelinë, kjo kompani në të kaluarën ka fituar tenderë prej komunës së Jegunovcës dhe Makedonski Brod, nuk mund të thuhet se është kliente e rregullt e komunës së Zhelinës.
“Ferna-Trans” gjithashtu duket të jetë multifunksionale, pasi merret me shumë punë tjera ndërsa nuk dihet nëse kjo është hera e parë që pastron rrugë, pasi vitet e kaluara Komuna e Zhelinës ka pasur kontratë me kompani tjetër.
Gjithashtu, pasi kontrata nuk është publikuar, nuk dihet nëse në këtë thirrje ka pasur edhe ofertues tjerë.
Nga Komuna e Zhelinës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse nuk e kanë publikuar kontratën në sistemin elektronik.
Komuna e Tearcës
Tearca ka harxhuar gjithsej 1.4 milion denarë ose 24,019 euro për pastrimin e rrugëve nga bora për sezonin 2024-2025.
Kompania që ka fituar tenderin është ‘Urban Plan Construction’ ndërsa është kliente shumë e rregullt e Komunës së Tearcës pasi në të kaluarën ka fituar tenderë për pastrim të lumit, asfaltim të rrugëve, ndërtim të kanalizimit fekal dhe tjera.
‘Urban Plan Construction’ ka fituar këtë tender pa konkurencë, përkatësisht ka qenë ofertuesi i vetëm në thirrjen e publikuar nga Komuna e Tearcës. Kompania e njëjtë ka kryer këtë shërbim për Tearcën edhe në vitet e kaluara.
Nuk dihet nëse kompanitë tjera do të kishin shanse të ‘konkurojnë’ këtë kompani, pasi vetë kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, në të kaluarën ka publikuar fotografi me pronarin e kësaj kompanie, Sejdi Shasivarin, në pritje të Talat Xhaferit dhe Bujar Osmanit në Tearcë, pak muaj para kampanjës zgjedhore.
Komuna e Jegunovcës
Komuna e Jegunovcës nuk ka publikuar fare thirrje për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit pasi këtë e bën me mjetet vetanake. Për këtë qëllim ata kanë ndarë 300.000 denarë ose 4.870 euro për vitin 2024-2025.
Bëhet fjalë për një komunë të vogël me afër 10 mijë banorë.
Komuna e Mavrovës dhe Rostushës
Mavrova ka harxhuar gjithsej 3.1 milion denarë ose 52.264 euro për pastrimin e rrugëve dimrit. Kjo komunë ka nënshkuar dy kontrata për këtë qëllim, edhe atë kontratë në vlerë prej 22.531 eurove për rajonin e Mavrovës dhe Rekës së Epërme dhe kontratë në vlerë prej 29.733 euro për rajonin e Rekës së Poshtme.
Kontratat janë nënshkruar në të njëjtën datë por me dy kompani të ndryshme, edhe atë “Jan Construction” me seli në Bërvenicë dhe “Balkan Turs” me seli në Mavrovë dhe Rostushë. Të dy kompanitë nuk njihen si kliente të rregullta të kësaj komune.
Kompanitë e lartpërmendura nuk kanë qenë aplikuesit e vetëm në këtë tender. Në thirrjen e parë ka pasur 3 ofertues ndërsa në të dytën 2, në fund janë zgjedhur kompanitë me ofertat më të mira.
Komuna e Vrapçishtit
Vrapçishti ka harxhuar gjithsej 1.4 milion denarë ose 23,000 euro për pastrimin e rrugëve gjatë këtij dimri.
Kompania kontraktuese për këtë është “Arbi-Trans”, e njëjta si vitin e kaluar. Kjo kompani është është kliente e rregullt e Komunës së Vrapçishtit ndërsa gjithashtu multifunksionale, pasi në të kaluarën ka fituar tenderë për rikonstruim të rrugëve, rregullim hortikulturor të shëtitoreve dhe ngjashëm.
“Arbi Trans” ka qenë ofertuesi i vetëm në këtë thirrje.
Portalb-i përgatiti infografik me harxhimet e të gjitha komunave:
Të dhënat Portalbi i ka siguruar përmes ueb faqes për prokurime publike dhe burimeve brenda komunave përkatëse, pasi jo të gjitha komunat kanë përmbushur obligimin ligjor për t’i publikuar marrëveshjet e nënshkruara online.
Ndryshe, sipas një hulumtimi të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ), për këtë dimër institucionet shtetërore në vend kanë lidhur kontrata për prokurime publike për mirëmbajtje dimërore të rrugëve dhe rrugicave në vlerë prej 219 milionë denarë, ose 3.569.106 euro.