VLEN i shkeli afatet për ndryshimet kushtetuese, RMV-ja në betejë politike për hapjen e kushtetutës dhe rrugën drejt BE-së

Që nga fushata zgjedhore e deri më sot, shtatë muaj pas formimit të Qeverisë, koalicioni VLEN ka ndryshuar disa herë qëndrimet sa i përket afateve për ndryshimet kushtetuese. Ndërkaq, VMRO- DPMNE i qëndron besnike zotimit të saj se nuk do pranojnë futjen e bullgarëve në Kushtetutë, pa mos pasur garanci se Bullgaria nuk do e […]

Jan 18, 2025 - 08:00
 0  3
VLEN i shkeli afatet për ndryshimet kushtetuese, RMV-ja në betejë politike për hapjen e kushtetutës dhe rrugën drejt BE-së
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi

Që nga fushata zgjedhore e deri më sot, shtatë muaj pas formimit të Qeverisë, koalicioni VLEN ka ndryshuar disa herë qëndrimet sa i përket afateve për ndryshimet kushtetuese. Ndërkaq, VMRO- DPMNE i qëndron besnike zotimit të saj se nuk do pranojnë futjen e bullgarëve në Kushtetutë, pa mos pasur garanci se Bullgaria nuk do e bllokojë më tej procesin eurointegrues me çështje dypalëshe. Brukseli vazhdimisht bën thirrje se rruga e RMV-së për në BE kalon përmes ndryshimeve kushtetuese, shkruan Portalb.mk.

Mishmash me deklarata për ndryshimet kushtetuese

Që në bisedimet e para për formimin e Qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut, por edhe në finalizimin e negociatave, midis VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit shqiptar VLEN kanë ekzistuar dallime në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Koalicioni VLEN, përmes eksponentëve të saj politik, ka çorientuar disa herë opinionin në lidhje me kohën se kur mund të ndodhin ndryshimet kushtetuese. VLEN e nisi qeverisjen me entuziazmin se brenda 6 muajve do të bindin partnerin politik në qeveri VMRO-DPMNE, për ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Filluan me zotimin se gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tyre do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, ndërkaq, sot kërkojnë durim, por edhe mirëkuptim për vonesën.

Nga brenda gjashtë muajve në “keni durim” 

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai në nëntor 2024 tha se prej fillimit kanë thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale që ndryshimet kushtetuese të fillojnë në një afat prej 3 deri në 6 muaj, dhe se e sheh se ka gatishmëri.

Arben Fetai, zëvendëskryeministër për politika të qeverisjes së mirë. Foto: Printscreeen nga kanali në Youtube i Qeverisë së RMV-së
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për politika të qeverisjes së mirë. Foto: Printscreeen nga kanali në Youtube i Qeverisë së RMV-së

Megjithatë një muaj më vonë, në fund të dhjetorit 2024 Fetai ndryshoi fjalët.

“Unë besoj se ka sinjale, ka kontakte në nivele të ndryshme. Ne kemi pritur vite me radhë, kujtojmë se BDI dhe LSDM kanë festuar hapjen e negociatave me BE-në që nga viti 2017-18, ky është një proces afatgjatë, në shumë momente kanë gënjyer e kanë shndërruar procesin në fazë. Ne jemi në 6 muajt e parë të qeverisjes dhe sinjali që dha dje doktori Arben Taravari ishte i qartë “do të ulemi do t’i shohim” dhe ju lusim për durim deri pas Vitit të Ri ku besoj kryetarët do të definojnë se çka bëjmë më tutje. Jemi vetëm 6 muaj në Qeverisje na lini pak hapësirë”, tha Fetai.

Ngjajshëm si kolegu i tij, edhe ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në tetor 2024 iu referonte afatit gjashtë mujor për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se ende ishin brenda këtij afati ku Qeveria duhej të dilte me propozim konkret, dhe se kur të afrohet nga fundi do të shihet se cilat do jenë hapat e mëtejshëm.

Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane
Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Por dy muaj më vonë, afati nuk ishte me rëndësi më për Murtezanin, ai në dhjetor 2024 tha se me rëndësi është të ketë zgjidhje.

“Në këtë drejtim, nuk është me rëndësi koha sa muaj do të marrë, por në momentin që ne do të jemi të sigurt që zgjidhja e ardhshme nuk do të përfundojë me një veto tjetër potenciale nga Bullgaria, atëherë çështja e ndryshimeve kushtetuese do të vijë para jush në Parlament, sepse atëherë mbetet vetëm çështje teknike për të siguruar 80 deputetë. Në mendimin tim personal, nuk është me rëndësi afati a do të zhvendoset i koalicionit VLEN ose jo, kjo është çështje që ju mbetet kryetarëve, për mua me rëndësi personale, si udhëheqës i resorit të eurointegrimeve është që e shoh me sytë e mi dhe jam prezent në të gjitha këto takime, për të gjetur një zgjidhje, zgjidhje që do të garantojë përfundimin e procesit”, tha Murtezani.

VMRO-DPMNE: Pa garanci nga Bullgaria nuk ka ndryshime kushtetuese

Ndërkaq, VMRO-DPMNE nuk ka lëvizë nga qëndrimet e saj, të cilat i ka prezantuar para fushatës, gjatë fushatës, por edhe 6 muajt e fundit sa është në qeveri. Nga aty këmbëngulin se do të ketë ndryshime kushtetuese kur do të ketë garanca nga Bullgaria se ndryshimet kushtetuese do të jenë bllokada e fundit nga Sofia zyrtare.

Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

“Ne kemi bërë mjaft, si asnjë vend tjetër në BE, dhe tani ju shihni një vend duke vënë veton ndaj një tjetri. E shohim që vetoja po bëhet praktikë. Ne i bëjmë reformat sipas monitorimit. Nuk jemi kërcënim, dhe meqenëse ka politikanë që kanë vendosur të mbështeten te politikanët që jetojnë në Mesjetë, ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu. Ne si qeveri nuk do të bëjmë asnjë lëshim, nëse ata gjejnë një qeveri tjetër atëherë është mirë. Por ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim. Përndryshe mund të konstatoj se, ne si shtet, Ballkani Perëndimor nuk jemi në fokus të kësaj administrate të Brukselit”, ka deklaruar kryeministri i vendit dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski në takimin e fundit me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, në Shkup, kujtoi se vendi bëri kompromise të vështira në rrugën evropiane dhe se nuk mund të arrihet përparim me bilateralizimin e procesit të zgjerimit.

Timço Mucunski. Foto: MPJ
Timço Mucunski. Foto: MPJ

“Është koha për të vazhduar rrugën evropiane. Ne jemi të gatshëm për dialog me mirëbesim dhe gjetjen e zgjidhjeve racionale. Është koha që Bashkimi të marrë një vendim strategjik se si shembulli ynë do të trajtohet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, rruga përpara na çon drejt bilateralizimit të vazhdueshëm të procesit të anëtarësimit dhe kushtëzimit me çështje që kanë pak të përbashkëta me thelbin e idesë evropiane dhe vlerat e saj. Përkundrazi, ne kemi nevojë për përgjegjësi gjeopolitike dhe vendime që do të na bashkojnë në vend që të na ndajnë”, tha Mucunski.

Brukseli: Të përmbushet detyrimi për ndryshimet kushtetuese

Përkundër retorikës politike dhe diplomatike në Shkup, Brukseli është i qartë në atë se çfarë pret nga Maqedonia e Veriut.

Marta Kos. Foto nga Portalb.mk
Marta Kos. Foto nga Portalb.mk

“Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën për të bërë përparim në procesin e anëtarësimit në BE”, tha komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në debatin e fundit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET)

“Shpresojmë që Maqedonia do të përmbushë detyrimin për ndryshimin e kushtetutës dhe pastaj, jam e sigurt, që sapo të fillojmë të lëvizim me Maqedoninë e Veriut, edhe me mbështetjen e Bullgarisë, do të mund të vazhdojmë në atë rrugë”, tha Kos duke u përgjigjur një pyetjeje të eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçev në debat.

Ramadani: Pa ndryshimet kushtetuese nuk hapen bisedimet me BE-në

Njohësi i çështjeve politike, Ismet Ramadani, njëherazi edhe Kryetar i Këshillit Euro- Atlantik në Republikën e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk është shprehur mbi pritshmëritë që të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë
Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë

“VMRO DPMNE është parti e cila po e shfrytëzon forcën e vetë politike. Duke u thirrur në deklarime qysh kur ishin në opozitë dhe fushatë zgjedhore. Me këtë narracion, me këtë qëndrim për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hapur rrugën drejt bisedimeve janë minimale, shumë të vogla. Nga ana tjetër, VLEN edhe përskaj dëshirës, e ka vështirë, aspak nuk dyshoj se ka parti shqiptare që nuk është pro anëtarësimit në BE”, tha Ramadani.

Ai mendon se vetëm ndonjë presion ndërkombëtar tejet i madh mund të drejtojë procesin përpara, përndryshe, sipas siç thotë ai, kjo strukturë nuk tregon vullnet të mirë për BE.

“VMRO-DPMNE ka shpresë të partitë e djathta, të BE-së, se mund ta përkrahin te ideja e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar. Por, mund të binden vendet si Hungaria, por të bindësh shtetet që kanë kritere ndryshe në BE është e vështirë. Personalisht unë, sa i kam ndjekur integrimet dhe sa kam kontakte me struktura progresive të BE-së, nuk kam dëgjuar deri tani një qasje se pa ndryshim të Kushtetutës mund të hapen bisedimet”, përfundoi Ramadani.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.