Gjykata vendosi 30 ditë paraburgim për shtatë policët e dyshuar për tragjedinë në Koçani
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka caktuar masë të paraburgimit prej 30 ditëve për shtatë persona zyrtarë të SPB Shtip dhe SP Koçan, të dyshuar për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë publike”, lidhur me dhënien e lejeve për funksionimin e disko klubit në Koçan, ku kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa rreth 200 […]


Gjykata Themelore Penale në Shkup ka caktuar masë të paraburgimit prej 30 ditëve për shtatë persona zyrtarë të SPB Shtip dhe SP Koçan, të dyshuar për veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë publike”, lidhur me dhënien e lejeve për funksionimin e disko klubit në Koçan, ku kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa rreth 200 kanë marrë lëndime të rënda trupore, raporton MIA. Prokuroria më herët sot kërkoi paraburgim për këto shtatë policë dhe kryeshefë policie nga Shtipi dhe Koçani, të cilët i mundësuan diskotekës Puls licencë edhe pse nuk i plotësonte kushtet, transmeton Portalb.mk.
Gjyqtarët e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, duke vepruar rreth propozimit të Prokurorisë Themelore Publike, siç njoftojnë nga Gjykata Penale, kanë pranuar propozimin për caktimin e masave për sigurimin e pranisë ndaj shtatë zyrtarëve në SPB Shtip dhe SP Koçan, të cilët janë sjellë në Gjykatë vonë sot pasdite.
“Pranohet propozimi i PTHP dhe shtatë të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve për shkak të ekzistimit të shkaqeve nga neni. 165 fq.1 pika. 1, 2 dhe pika 3 për të dyshuar të caktuar, përkatësisht rrezik ikje, rrethana që tregojnë se do të pengojnë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethanat që tregojnë se mund ta përsërisin veprën penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankimimi në Këshillin Penal.
Ndryshe, në konferencën e sotme (19 mars) për media, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri më tani nën hetim janë përfshirë 26 persona, por ky numër nuk do të jetë përfundimtar. Ai tha se në paraburgim janë 18 persona.
Ai dha informacione edhe se si shefat e policisë kanë gisht në tragjedinë e Koçanit.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.