Gjykatësi hajn që fshehu 350.000€ në mur, këtë javë nis gjyqi

Ish-gjyqtari i Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, do të ulet të enjten në bankën e të akuzuarve për t’u përballur med akuzat e rënda për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, në një proces që ka tronditur sistemin gjyqësor në Maqedoninë e Ver...

maj 25, 2026 - 16:00
Gjykatësi hajn që fshehu 350.000€ në mur, këtë javë nis gjyqi

Ish-gjyqtari i Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, do të ulet të enjten në bankën e të akuzuarve për t’u përballur med akuzat e rënda për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, në një proces që ka tronditur sistemin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.

Procesi ndaj tij, i cili do të udhëhiqet nga gjyqtarja Biljana Kocevska dhe prokurorja Iskra Haxhivasilevska, pason një zbulim skandaloz: gjetjen e 350 mijë eurove të fshehura në një bunker special të ndërtuar brenda murit të shtëpisë së prindërve të tij.

Prova biologjike rrëzon versionin e “shitjes së rrushit”

Megjithëse ish-gjyqtari Ristov ka mohuar akuzat duke pretenduar se paratë nuk i përkisnin atij, por ishin kursime të prindërve nga shitja e rrushit dhe pronave, Prokuroria ka siguruar prova të forta që rrëzojnë këtë alibi:

Gjurmët biologjike: Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar praninë e ADN-së dhe gjurmëve të Ristovit direkt mbi fletët e aluminit me të cilat ishin të mbështjella pakot e parave.

Kodet sekrete: Brenda bunkerit, krahas parave, u gjetën dokumente me numra evidentues të lëndëve gjyqësore, çka sipas organit të akuzës dëshmon lidhjen direkte të parave me postin e tij zyrtar.

Rrëfimi i “Djallit” dhe skema e korrupsionit

Skandali shpërtheu pas dëshmisë së Lupço Pecovit, i njohur me nofkën “Djalli”, një person i përfshirë në aferën “Zinxhir”. I arratisur në atë kohë, Pecov denoncoi në Prokurori se po i kërkohej një ryshfet prej 100 mijë eurosh në këmbim të heqjes së masës së paraburgimit. Si ndërmjetës në këtë skemë dyshohet se ka vepruar ish-Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa, i cili u kap në flagrancë nga autoritetet gjatë pranimit të një kësti prej 20 mijë eurosh (pasi kishte marrë 30 mijë euro paraprakisht), me pretendimin se paratë do t’ia dorëzonte gjyqtarit Ristov.
Pas katër muajsh në paraburgim, Stafa pranoi fajësinë dhe u dënua me 15 muaj burgim, ndërsa Pecov, pasi ka paguar dëmin e shkaktuar në rastin “Zinxhir”, ka përfituar shfuqizimin e arrestit shtëpiak dhe aktualisht ndodhet nën masa më të lehta kujdesi, duke lënë tashmë ish-gjyqtarin Ristov të vetëm përballë fillimit të procesit gjyqësor.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.