Gjykimi për fajde, kanosje e armëmbajtje pa leje- i dëmtuari thotë se ua pagoi rreth 1 milion euro borxh me fajde të akuzuarve
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për fajde, kanosje e armëmbajtje pa leje, ku po akuzohen Fehmi Demaku dhe Elmi Demaku, të mërkurën është dëgjuar i dëmtuari/dëshmitari M.G., i cili deklaroi se ua ka paguar të akuzuarve rreth 1 milion euro borxh me fajde. Ndërsa, i akuzuari Elmi pranoi fajësinë për veprën penale të


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për fajde, kanosje e armëmbajtje pa leje, ku po akuzohen Fehmi Demaku dhe Elmi Demaku, të mërkurën është dëgjuar i dëmtuari/dëshmitari M.G., i cili deklaroi se ua ka paguar të akuzuarve rreth 1 milion euro borxh me fajde. Ndërsa, i akuzuari Elmi pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Në këtë rast, Fehmi Demaku akuzohet për “Fajde”, “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse Elmi Demaku për “Fajde” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Në fillim të seancës, mbrojtësja e të akuzuarit Elmi Demaku, avokatja Albina Budakova deklaroi se për pikën V., të aktakuzës (për veprën penale të armëmbajtjes pa leje) pas konsultimit me të mbrojturin e saj, kërkojnë mundësinë që të deklarohen edhe njëherë lidhur me pranimin e fajësisë.
Trupi gjykues i kryesuear nga gjykatësi Gent Beka, aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Elmi Demaku, pas marrjes së mendimit të palëve, duke konstatuar se pranimi i fajsisë nga i akuzuari është bërë në mënyrë vullnetare dhe në konsultim me mbrojtësen e tij.
Gjytari Beka njoftoi se shqiptimi i sanksionit penal shtyhet deri në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e të dëmtuarit/dëshmitarit M.G., i cili deklaroi se të akuzuarit i njeh prej vitesh, ndërsa në vitin 2018 kishte filluar të marrë para nga të njëjtit.
“Fehmin dhe Elminë i njoh moti, ka 20 vite që i njoh, të hollat kam fillu me i marrë në fillim nga Fehmiu, kam marrë edhe më herët por të fundit nga viti 2018 edhe prej Elmisë më 2018”, tha G.
I dëmtuari u pyet edhe për shumat që kishte marrë nga tani të akuzuarit, duke theksuar se kishte marrë shuma të ndryshme, 5 mijë dhe 8 mijë euro, ndërsa për çdo muaj kishte paguar fajde sipas caktimit nga i akuzuari Fehmi Demaku.
“Kam pagu çdo muaj te Fehmia 4 mijë e 750 euro në muaj në emër të të gjitha shumave, nese kam pas vonesa ka shku 5 mijë e 500- varësisht qysh ka kërku Fehmia”, tha M.G.
Tutje, i dëmtuari deklaroi se nuk ka bërë llogaritje totale, mirëpo për 30 mijë euro të marra, sipas tij, në total kishte paguar rreth 1 milion euro për dy të akuzuarit.
Ndryshe, prokurorja Dulina Hamiti në fillim të seancës bëri precizimin e aktakuzës në rreshtin dy të dispozitivit të 5-të, ashtu që në pjesën ku është emri i të pandehurit Fehmi, duhet të jetë Elmi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 7 shkurt 2024, në pikën I. i akuzuari Fehmi Demaku akuzohet se në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka kontraktuar nië shumë dukshëm jo proporocionale të pasurisë, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit M.G., dhe papërvojën e tij, kështu që në Fushë-Kosovë, më 25 shtator 2018 nga i pandehuri Fehmi Demaku ka marrë para në shumë prej 5 mijë euro, me kamatë mujore 1 mijë e 100 euro, më 25 tetor 2018, i ka marrë 10 mijë euro, për këtë pjesë ka pasur kamatë 1 mijë e 500 euro çdo muaj, më 8 shkurt 2020 ka marrë edhe 5 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë e 200 euro, më 5 maj 2021 ka marrë edhe 8 mijë e 500 euro, me kamatë mujore 2 mijë euro.
Gjithsej, aktakuza thotë se i dëmtuari nga i pandehuri Fehmi i ka marrë 28 mijë e 500 euro, ndërsa i pandehuri Fehmi i ka thënë se i ke marrë 33 mijë e 300 euro, dhe për këtë shumë ka paguar kamatë mujore 5 mijë e 750 euro deri më 24 prill 2023, këtë pagesë e ka bërë gjithmonë me rregull, dhe se këto para nga i pandehuri Fehmi i ka marrë për ta paguar një borxh pasi që nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
Me këtë, Fehmi Demaku akuzohet se ka kryer vepër penale “Fajde” nga neni 331, par.3 të Kodit Penal.
Në pikën II. të kësaj aktakuze thuhet se më 13 qershor 2023, në Fushë-Kosovë, në shtëpinë e të pandehurit Fehmi Demaku, pjestarët e Policisë kanë gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit “Grisan” MC13 me leje të skaduar, 53 fishekë dhe dy karikatorë, të cilët i ka mbajtë në pronësi, posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal .
Në pikën III të aktakuzës thuhet se më 28 prill 2023 në Fushë-Kosovë, në oborrin e shtëpisë së të pandehurit Fehmi Demaku, për shkak se i demtuari M.G., nuk ka mundur t’ia paguajë shumën e parave prej 16 mijë euro në emër të kamatës, i pandehuri me qëllim të kercënimit dhe frikësimit, e ka kanosë të dëmtuarin duke i thënë “deri në ora 21:00 nëse nuk mi bjen paret e shohim kush jam unë“, ka dalë nga vetura duke bërtitë, i ka mëshu veturës dhe e ka kërcënuar në forma të ndryshme, me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.
Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.1 të Kodit Penal.
Aktakuza në pikën IV., të dispozitivit e ngarkon të akuzuarin Elmi Demaku se në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka kontraktuar një shumë e dukshëm joproporocionale të pasurisë, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit M.G., dhe papërvojën e tij, kështu që në Fushë-Kosovë , më 25 nëntor 2018, i ka marrë nga i pandehuri Elmi 10 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë e 500 euro, me qëllim që t’ia paguajë kamatën të pandehurit Fehmi Demaku.
Aktakuza thotë se në vitin 2019 i ka marrë edhe 10 mijë euro me kamatë mujore 1 mijë euro.
“…ka ndodhë që i ka marr edhe nga 2000€, 3000€, kështu qe shuma ka marr ne 39.5000 € për këto nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka paguar kamat mujore nga 3950€”, thuhet në aktakuzë.
Më tej, thuhet se në vitin 2020 e ka blerë një banesë në Fushë-Kosovë në vlerë prej 38 mijë euro, për të cilën me të pandehurin Elmi kanë arritur marrëveshje dhe të njëjtën në emër të borxhit dhe kamatës ia ka dhënë në vlerë prej 28 mijë eur0, nga ky moment të pandehurit Elmi i ka mbet borxh 19 mijë e 500 euro , ku kamatë për çdo muaj i ka paguar nga 1 mijë e 950 euro, prapë ka fillua të marrë para herë pas here nga i pandehuri Elmi, ku ka arrit shumën 20 mijë euro, e për të cilat ka paguar kamatë mujore 3 mijë e 950 euro. Sipas aktakuzës, pagesën e ka bërë në atë mënyrë që i pandehuri e ka pasur një kuti postare në derë të oborrit, gjithherë paratë ia ka lënë aty, varësisht si ka pasur 800, 500 euro, shuma mujore është dashtë të jetë 3 mijë e 950 euro.
Me këtë, i akuzuari Elmi Demaku akuzohet se ka kryer vepër penale “Fajde” nga neni 331. par.3 të Kodit Penal.
Në pikën V., thuhet se më 13 qershor 2023, në Fushë-Kosovë, në shtëpinë e të pandehurit Elmi Demaku, pjesëtarët e policisë kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me mbi shkrimin “TT” me një karikator, një pistoletë me mbishkrimin “Zoraki” me një karikator, 100 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një pushkë ajrore, të cilat i ka mbajtë në pronësi, posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
