Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes do të vazhdojë më 28 prill

Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon më 28 prill pasi sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup dëshmoi i akuzuari Lupço Palevski. Seanca e ardhshme duhet të vazhdojë me pyetje të kryqëzuara nga Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë, raporton MIA. Në dëshmimin e tij Palevski sot përsëri i kontestoi akuzat kundër […]

Prill 23, 2025 - 20:00
 0  5
Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes do të vazhdojë më 28 prill
Vanja Gjorçevska, 14-vjeçarja e cila u vra në Shkup. Foto: Portalb.mk

Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon më 28 prill pasi sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup dëshmoi i akuzuari Lupço Palevski. Seanca e ardhshme duhet të vazhdojë me pyetje të kryqëzuara nga Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë, raporton MIA.

Në dëshmimin e tij Palevski sot përsëri i kontestoi akuzat kundër tij, duke thënë se dëshmitë e prokurorisë nuk janë të plota dhe janë manipuluese.

Palevski, mohoi fajin për çdo përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e Vanjës dhe Pançes. Ai thotë se ditën e vrasjes së Vanjës ka qenë në bankë për të paguar faturat, pas çka ka shkuar në treg dhe më pas është kthyer në selinë e partisë politike “Desna” ku ka pasur takime me anëtarë të partisë. Palevski gjithashtu thotë se ai nuk e ka vozitur Citroenin e Zhezhovskit dhe as që ka qenë ndonjëherë në shtëpinë e tij.

“Nuk kam asnjë motiv që ta bëj këtë vepër, nuk kam pasur asnjëherë dhe nuk e kam kryer këtë vepër për të cilën ju më lexuat një citat nga aktakuza dhe po më pyesni”, deklaroi Palevski.

Sipas tij, dëshmitë në hetimin kundër tij janë falsifikime. Në mbrojtjen e tij, Palevski theksoi edhe parregullsi të tjera në hetim, veçanërisht në lidhje me video-xhirimet të cilat i prezantoi prokuroria.

Avokati Jovica Strashevski gjithashtu në deklaratë për mediat, theksoi se ekzistojnë dallime të konsiderueshme në mes të dëshmive të prezantuara dhe deklaratave të prokurorisë.

“Dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria Publike dhe pyetjet e tyre para të akuzuarve tregojnë dallime të mëdha në lidhje me deklaratat dhe materialet e paraqitura”, deklaroi Strashevski, duke theksuar se dëshmia e sotme e Palevskit është kyçe për konstatimin e këtyre mospërputhjeve.

Palevski është dëshmitari i fundit i cili duhet të dëshmojë, pasi më parë, përveç dëshmitarëve të Prokurorisë, ishte marrë në pyetje babai Aleksandar Gjorçevski, si dhe të akuzuarit e tjerë. I akuzuari Velibor Manev i sqaroi grabitjet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, duke theksuar se organizator ishte Lupço Palesvski. Boro Videvski e mohoi pjesëmarrjen e tij në ngjarje, përderisa, Vllatko Keshishev theksoi se ai nuk ka qenë dëshmitar në të njëjtat, sepse shumë shpesh i ishte dhënë detyrë që të bëjë rojë.

Sipas akuzës, Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.

Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator 2024. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.