Grabitet dhe rrëmbehet pronari i një artarie në Tërnoc të Bujanocit

Një grabitje e armatosur e shoqëruar me rrëmbim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tërnoc të Madh të komunës së Bujanocit, ku cak i sulmit ishte pronari i një dyqani artarie. Sipas informacioneve jozyrtare, një grup grabitësish të armatosur me pushkë i kanë bllokuar rrugën artarit rreth orës 08:00, në dalje të fshatit Tërnoc, teksa […]

Prill 21, 2026 - 17:30
Grabitet dhe rrëmbehet pronari i një artarie në Tërnoc të Bujanocit

Një grabitje e armatosur e shoqëruar me rrëmbim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tërnoc të Madh të komunës së Bujanocit, ku cak i sulmit ishte pronari i një dyqani artarie.

Sipas informacioneve jozyrtare, një grup grabitësish të armatosur me pushkë i kanë bllokuar rrugën artarit rreth orës 08:00, në dalje të fshatit Tërnoc, teksa ai po shkonte drejt Bujanocit.

Raportohet se grabitësit përdorën një automjet për t’i bllokuar rrugën, ndërsa nga një automjet tjetër dolën personat e armatosur, të cilët e rrëmbyen bashkë me arin që kishte marrë me vete për në dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, automjeti i dytë ishte një xhip Audi Q5.

Pas rrëmbimit, autorët dyshohet se janë nisur në drejtim të Breznicës dhe më pas, sipas burimeve jozyrtare, kanë planifikuar arratisjen drejt Kosovës. Para largimit, ata e kanë lënë të lirë artarin, por i kanë marrë të gjithë arin që kishte me vete.

Banorët kanë deklaruar se një tjetër model më i vjetër i Audi-t kishte qenë i parkuar prej disa ditësh në hyrje të Tërnocit dhe dyshohet se është përdorur për të organizuar pritën ndaj biznesmenit.

Arbër Pajaziti dënon grabitjen e armatosur në Tërnoc: Autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar me indinjatë të thellë pas grabitjes së armatosur që ndodhi në Tërnoc, ku u plaçkit dhe u terrorizua një qytetar, pronar i një argjendarie.

Pajaziti e ka dënuar ashpër këtë akt kriminal, duke theksuar se ngjarja ka tronditur të gjithë komunitetin dhe ka rritur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve.

“Me indinjatë të thellë morëm lajmin për grabitjen e armatosur që ndodhi në Tërnoc, ku u plaçkit dhe u terrorizua një bashkëqytetar i yni, pronar i një argjendarie. Dënojmë ashpër këtë akt kriminal që ka tronditur gjithë komunitetin tonë”, thuhet në reagimin e tij.

Ai shtoi se në këto momente të rënda, institucioni që ai drejton është pranë të dëmtuarit dhe familjes së tij, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje të plotë.

Kryetari i Bujanocit kërkoi nga organet e rendit dhe institucionet hetuese që të angazhohen maksimalisht për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Po ashtu, ai theksoi se institucionet kompetente duhet të punojnë me përkushtim të plotë që raste të tilla të mos përsëriten më dhe qytetarët të ndihen të sigurt në vendin e tyre.

Pajaziti u bëri thirrje edhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet hetuese dhe të ndihmojnë me çdo informacion që mund të kontribuojë në ndriçimin e rastit.

“Shpresojmë që raste të tilla të mbeten përgjithmonë pas nesh”, përfundon reagimi i tij.

Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë nis hetimet për grabitjen dhe rrëmbimin në Tërnoc të Madh

Kryeprokurorja e Prokurorisë së Lartë Publike (VJT) në Vranjë, Danijela Trajkoviq, ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për zbulimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes dhe rrëmbimit që ndodhi mëngjesin e sotëm në Tërnoc të Madh.

Sipas deklaratës së Trajkoviq, bazuar në informacionet e deritanishme, bëhet fjalë për një grabitje të kryer nga disa persona të maskuar dhe të armatosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën në mëngjes, kur autorët ndaluan pronarin e një dyqani argjendarie, e grabitën dhe më pas e rrëmbyen.

Rasti po trajtohet si vepër penale që hyn në kategorinë e grabitjes së rëndë, ndërsa organet hetuese janë angazhuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave përgjegjës.