Gratë në media: Senzacioni sjell klikime, por e ngulfat thelbin
Në media, gratë shpesh gjenden në dy ekstreme – ose janë pjesë e një storjeje senzacionale, ose injorohen plotësisht. Storjet e tyre bëhen lajm vetëm kur sjellin klikime, kurse zërat e tyre dëgjohen rrallë kur bëhet fjalë për ndryshime thelbësore shoqërore. Në vend që të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, gratë në diskursin publik reduktohen […]


Në media, gratë shpesh gjenden në dy ekstreme – ose janë pjesë e një storjeje senzacionale, ose injorohen plotësisht. Storjet e tyre bëhen lajm vetëm kur sjellin klikime, kurse zërat e tyre dëgjohen rrallë kur bëhet fjalë për ndryshime thelbësore shoqërore. Në vend që të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, gratë në diskursin publik reduktohen në stereotipe, skandale private dhe narrative sipërfaqësore që nuk e pasqyrojnë rolin e tyre real në politikë, ekonomi dhe shoqëri, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Kjo mënyrë e raportimit jo vetëm që e shtrembëron të vërtetën, por edhe ndikon drejtpërdrejt në dukshmërinë dhe ndikimin e tyre në jetën publike. Nëse mediat janë fuqia e vërtetë që mund t’i ndryshojë qëndrimet shoqërore, atëherë lind pyetja se a e përdorin ato atë fuqi për të forcuar pozitën e grave apo në mënyrë të pavetëdijshme (ose me vetëdije) e minojnë atë.
Faktorët financiarë nuk luajnë një rol të madh – gratë në Maqedoni, pavarësisht se a janë të margjinalizuara apo politikisht aktive, janë rregullisht prezantohen në mënyrë senzacionale ose janë të neglizhuara në media.
Edhe pse mediat kanë fuqi të madhe për të inicuar ndryshime dhe për të frymëzuar lëvizje të ndryshme, në shumë raste, kur bëhet fjalë për gratë dhe çështjet e grave, si duket ky nuk është prioriteti i tyre. Në vend të kësaj, mediat janë të fokusuara në mbledhjen e klikimeve dhe lexueshmëri sa më të madhe, gjë që shpesh rezulton në dëm më të madh dhe i dekurajon gratë të shprehen dhe të jenë të pranishme. Kjo jo vetëm që i përforcon stereotipet e dëmshme, por edhe minon progresin në arritjen e barazisë gjinore. Kështu, zërat e grave vazhdojnë të jenë të margjinalizuara, kurse roli dhe kontributi i tyre i vërtetë në shoqëri mbeten pa u vënë re.
Fokusi në rastet ekstreme
Mbulimi mediatik i grave viktima të dhunës me bazë gjinore ose të dhunës në familje shpesh përqendrohet në raste ekstreme – duke e theksuar dhunën, varfërinë dhe viktimën, ndërsa problemet më të thella sistemike mbeten të neglizhuara. Ndërkohë, gratë politikisht aktive nënvlerësohen, jeta e tyre personale vihet nën thjerrë dhe ato janë të ekspozuara ndaj kritikave më të ashpra se sa kolegët e tyre meshkuj.
Hulumtuesja dhe bashkëthemeluesja e rrjetit të mentorimit të grave – “Stella”, Sara Milenkovska, konsideron se mediat ende nuk raportojnë në mënyrë adekuate për dhunën me bazë gjinore dhe femicidin, si dhe në përgjithësi për abuzimin e grave në hapësirën publike.
“Mund të shohim se si rolet gjinore dhe stereotipet gjinore ndikojnë jo vetëm në mënyrën se si krijohen narrativet, por edhe në viktimizimin e dyfishtë që ndodh pikërisht për shkak të raportimit joadekuat. Sidomos kur kemi normalizim – me fjalë të tjera, kur lejojmë që dhuna me bazë gjinore të mos merret seriozisht dhe barra e fajit t’i vendoset gruas, gjegjësisht viktimës. Kështu e krijojmë narrativin se viktima është fajtore”, shpjegon Milenkovska.
Ajo shton se mediat nuk janë të vetmet që kontribuojnë për narrativet negative që lidhen me dhunën me bazë gjinore dhe femicidin.
“Kur kemi mos trajtim nga institucionet, mediat thjesht vazhdojnë ta bëjnë atë që tashmë e lejojnë institucionet”, thotë Milenkovska.
Mungesa e fondeve nuk është justifikim për senzacionalizëm
Milenskovska konsideron se megjithëse mediat janë në një situatë të pafavorshme, me financim të pamjaftueshëm dhe me pengesa të mëdha për sa i përket vetëqëndrueshmërisë, kjo nuk duhet të jetë justifikim për senzacionalizëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për raportimin për dhunën me bazë gjinore.
“Një raportim i tillë mund të ndikojë më tej në gjykata, mbi viktimat e tjera që e përjetojnë dhunën e njëjtë apo situata të ngjashme, por edhe në pasqyrën e përgjithshme se si i trajtojmë viktimat e dhunës” – thotë ajo.
Ajo e veçon rastin e vajzës së mitur nga Velesi e cila ishte përdhunuar dhe shitur. Ky rast jo vetëm u prezantua në mënyrë senzacionale, por ndikoi që të flitej vetëm për vetë vajzën dhe historinë e saj.
“E bëhet fjalë për një vajzë të mitur, andaj duhet të kemi kujdes, por edhe të kërkojmë përgjegjësi nga vetë agjencitë e lajmeve për mënyrën se si e trajtojnë këtë çështje” – thotë Milenkovska.
Qasja duhet t’i inkurajojë viktimat
Një nga gabimet më të shpeshta që e bëjnë mediat kur raportojnë për dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje është se ato nuk ofrojnë kontekst të mjaftueshëm për vetë ndodhinë. Sipas Milenkovskës, është në rregull të përdoren buletinet e MPB-së për të raportuar, mirëpo mediat duhet ta shohin se cili është konteksti.
“Një dukuri tjetër e shpeshtë është gjuha e pandjeshme ndaj gjinisë, përdoren fjalë si tmerr, tronditëse, dhe në vend që të raportojnë siç duhet, mediat janë më të interesuara të marrin sa më shumë klikime përmes titujve, e jo se çfarë do të shkruajnë në lajmin që e publikojnë” – shpjegon Milenkovska.
Siç thekson ajo, mediat duhet ta kuptojnë përgjegjësinë, por edhe fuqinë që e kanë për ta formuar opinionin publik. Fuqia e mediave është të ndikojë në opinionin publik, nënvizon ajo, dhe mund të kontribuojë në përmirësimin e politikave që lidhen me barazinë gjinore, dhunën me bazë gjinore dhe mungesën e përgjithshme të informimit për problemet e grave dhe të vajzave.
“Numri i femicideve, numri i rasteve të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës digjitale janë realitetet që e përjetojnë të gjitha gratë dhe vajzat, dhe kjo nuk duhet të lihet në margjina apo të jetë një armë që ndonjë medie do ta keqpërdorë” – thotë Milenkovska.
Gratë në ciklet zgjedhore janë në situatë të ngjashme
Gratë që morën pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 u përballën me sfida të ngjashme, një pabarazi të qartë gjinore në mbulimin mediatik, me ç’rast kandidatët meshkuj – veçanërisht liderët e partive – dominonin në narrativin mediatik. Këtë e kanë treguar rezultatet e hulumtimit për përfaqësimin e grave në reklamimin politik dhe në mbulimin në portalet në internet, të përgatitur në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, që zbatohet nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis.
Përkundër përfaqësimit të madh të grave në listat e kandidatëve, megjithatë, gjatë fushatës, zëri i grave dhe çështjet e grave, rregullisht u margjinalizuan.
Gratë u përfaqësuan me 43 për qind në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare, por ky përfaqësim u pasqyrua dobët në fushatat dhe raportimet në media. Gratë, e veçanërisht temat që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, më së shpeshti kanë munguar në raportim.
Përfaqësimi i pamjaftueshëm i vërejtur i grave u karakterizua edhe me tendencën për t’i ruajtur stereotipet tradicionale gjinore, përmes portretizimit të zakonshëm klasik të grave, përmes rolit të tyre në familje.
Gjatë zgjedhjeve, mediat i përforcojnë stereotipet tradicionale gjinore
Hulumtimi tregoi se liderët e partive politike dhe të koalicioneve, të cilët më së shpeshti i vendosin temat dhe e përcaktojnë rëndësinë e tyre, kryesisht nuk tregojnë ndjeshmëri gjinore në deklaratat e tyre.
Si rezultat i kësaj, pothuajse nuk ka asnjë përmbajtje gazetareske nga autorë që i trajtojnë çështjet e barazisë gjinore, pjesëmarrjes së grave në zgjedhje dhe rëndësisë së pjesëmarrjes së tyre, emancipimit të grave, dhunës me bazë gjinore, dezinformatave gjinore dhe gjuhës së urrejtjes, apo sfidës së tejkalimit të stereotipeve gjinore.
“Mbulimi mediatik i grave ishte sipërfaqësor, me përsëritje dhe kishte mungesë të analizës së thelluar apo të gazetarisë hulumtuese, dhe kryesisht ishte e kufizuar në përcjelljen e deklaratave të kandidatëve dhe të personaliteteve të tjera publike” – thuhet në hulumtimin e Fondacionit Metamorfozis.
Si të mësojmë nga shembujt pozitivë të mbulimit mediatik?
Edhe pse ka shembuj pozitivë nga të cilët mund të mësojmë, situata në përgjithësi nuk ndryshon dhe shpesh përsëriten të njëjtat probleme në mbulimin mediatik të grave.
Rasti i Giselle Pelicot është një shembull i fortë i fuqisë së mediave për të ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut dhe drejtësinë. Ajo e braktisi anonimitetin dhe vendosi ta ndajë historinë e saj me publikun, duke e afruar gjykimin jo vetëm tek publiku i gjerë, por edhe duke hedhur dritë mbi problemet e dhunës me bazë gjinore dhe mungesën sistematike të mbështetjes për viktimat.
Viktima e përdhunimit masiv në një intervistë për “France 24“ tha se nuk u pendua kurrë për vendimin e saj për të dalë publikisht pasi ish-bashkëshorti i saj Dominique u dënua me 20 vjet burg, duke i dhënë fund rastit që e tronditi Francën dhe botën.
Në këtë rast, mediat perëndimore luajtën një rol kyç në zbardhjen e momenteve kyçe, me artikuj të gjerë që mbulonin shumë më tepër se vetëm komunikata e policisë, prokurorisë apo aktgjykimet e gjykatës.
Në këtë rast, sikurse edhe në rastin e vajzës së mitur nga Velesi, viktima ishte droguar dhe përdhunuar. Në Maqedoni ka shumë raste të tilla, por raportimi për to mbetet i njëjtë.
Rregulla të financimit me bazë gjinore
Rregullat e financimit me bazë gjinore janë një shembull pozitiv se si mund të krijohen mekanizma konkretë për të promovuar barazinë gjinore në politikë. Sipas hulumtimit të IFES-i dhe Metamorfozis, në këtë mënyrë jo vetëm që sigurohet mbështetje financiare për gratë në politikë, por edhe krijohet presion pozitiv për partitë që t’i përmbushin detyrimet e tyre për përfaqësimin gjinor.
Mund të jetë befasi për disa, por vendet e Amerikës Latine janë në krye në zbatimin e masave që garantojnë shikueshmërinë e grave kandidate në media.
“Për shembull, Gjykata e Lartë Zgjedhore e Brazilit cakton një minimum prej 30 për qind të burimeve financiare dhe të kohë falas për reklamim zgjedhor të kandidateve femra” – thuhet në hulumtim.
Në disa vende, partitë politike inkurajohen ta promovojnë dukshmërinë e grave në media përmes financimit shtesë, kohës së transmetimit ose çmimeve të reduktuara për reklamim.
Pastaj, në Itali dhe në Timorin Lindor, partitë marrin shpërblime – qoftë në formën e fondeve shtesë ose të kohës së transmetimit – në bazë të përpjekjeve të tyre për ta rritur praninë në media të kandidateve femra dhe për të përmbushur standardet e përfaqësimit gjinor.
Përforcues të kufizuar të stereotipeve
Mbulimi mediatik i grave në Maqedoni mbetet i kufizuar, senzacionalist dhe shpesh joadekuat. Kjo ka efekt të kundërt dhe kontribuon në ruajtjen e stereotipeve gjinore dhe margjinalizimin e çështjeve të grave. Në vend që të jenë shtytëse të ndryshimeve shoqërore, mediat shpesh herë janë përforcuese të dështimit sistematik në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, përfaqësimit politik dhe barazisë gjinore.
Shembujt pozitivë nga vende e tjera tregojnë se rregulloret dhe mekanizmat adekuatë financiarë mund të inkurajojnë një përfaqësim më të barabartë të grave në media. Prandaj, është e nevojshme të vendosen politika konkrete që do ta përmirësojnë dukshmërinë mediatike të grave, si dhe standardet etike që do të sigurojnë një raportim të përgjegjshëm për dhunën me bazë gjinore. Vetëm nëpërmjet ndryshimeve të tilla mund të krijohet një diskurs publik që do t’i pasqyrojë kontributet e mirëfillta shoqërore të grave, në vend që t’i reduktojë ato në sensacionalizëm apo padukshmëri.