Incidentet e gjuhës së urrejtjes në RMV shkaktohen më shpesh nga të rinjtë
Numri i incidenteve të shkaktuara nga gjuha e urrejtjes në vitin 2023 është më i lartë se numri në vitin 2024, sipas raporteve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Ata tregojnë gjithashtu se viktima dhe kryerës të incidenteve të tilla janë më së shpeshti të rinjtë, shkruan Portalb.mk. Sipas raportit të vitit […]
Numri i incidenteve të shkaktuara nga gjuha e urrejtjes në vitin 2023 është më i lartë se numri në vitin 2024, sipas raporteve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Ata tregojnë gjithashtu se viktima dhe kryerës të incidenteve të tilla janë më së shpeshti të rinjtë, shkruan Portalb.mk.
Sipas raportit të vitit 2023, nga muaji janar deri në muajin dhjetor janë regjistruar 1171 raste të gjuhës së urrejtjes, prej të cilave 646 janë kryer në bazë të përkatësisë etnike. Më pas, vijojnë 248 raste në bazë të orientimit seksual dhe identitet gjinor, 275 raste në bazë të përkatësisë etnike, 149 në bazë të bindjeve politike dhe 80 raste në bazë të gjinisë dhe seksit.
Në vitin 2024 (deri në muajin shtator) janë regjistruar gjithsej 1060 raste të gjuhës së urrejtjes, nga të cilat 424 me përkatësi nacionale, 417 me përkatësi etnike, 205 me përkatësi politike, 194 me orientim seksual dhe identitet gjinor, 60 në bazë të gjinisë dhe seksit dhe 22 në bazë të përkatësisë fetare.
Nga gjithsej 1171 raste të gjuhës së urrejtjes në vitin 2023, janë regjistruar 197 incidente të mundshme të krimit të urrejtjes, nga të cilat 35 ishin incidente me tregues të qartë të njëanshëm. Në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 113 incidente.
Siç tregon raporti vjetor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për gjendjen e të drejtave të njeriut në vitin 2023, motivi më i madh për kryerjen e incidenteve ishte në bazë të përkatësisë etnike. Më pas vijojnë 2 incidente të në bazë të bindjes politike dhe përkatësisë politike, 6 incidente kanë ndodhur si rezultat i bindjeve fetare, 2 incidente janë motivuar nga orientimi seksual dhe 8 incidente kanë ndodhur në bazë të disa karakteristikave të tjera të mbrojtura.
“Viktimat dhe kryerësit janë më së shpeshti të rinj dhe pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike, anëtarë të grupeve të tifozëve të klubeve sportive ose përkrahës të partive politike”. “Ndodh shpesh që një incident t’i përmbushë kriteret për dyshim për ekzistimin e dy apo më shumë veprave penale, kështu që nga këtu numri i veprave penale është më i madh se numri i incidenteve”, thuhet në raport.
Në 197 rastet e regjistruara si viktima paraqiten 213 persona dhe 292 kryerës. Nga Komiteti i Helsinkit thonë se numri i saktë i kryerësve nuk mund të përcaktohet për shkak të mungesës së informacioneve të ndara nga organet kompetente. Sipas të dhënave të disponueshme, 142 nga 213 viktima janë të mitur, dhe nga 292, 132 kryerës janë të mitur.
“Viktimat dhe kryerësit zakonisht janë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike, ndërsa incidentet e raportuara kanë të bëjnë me disa vepra penale nga Kodi Penal: dhunë (153), lëndim trupor dhe lëndim i rëndë trupor (24), dëmtim të pronës (7), grabitje (2), shkatërrim të simboleve (4), nxitje të urrejtjes në bazë të kombësisë, racës, fesë, përçarje dhe intolerancë (5), kërcënim serioz (1), rrezikim i sigurisë (3) dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm (2) . “Shumë shpesh, një incident i përmbush kriteret për dy ose më shumë vepra penale (për shembull: dhunë dhe vjedhje), e së këndejmi kështu që numri i veprave penale ndonjëherë është më i lartë se numri i incidenteve në të dhënat”, thuhet në raport.
Sipas psikologut Nikolla Dukoski, përhapja apo pranimi i gjuhës së urrejtjes është gjuhë e mospranimit dhe lëkundjes së imazhit për veten.
“I riu e lëkund imazhin për veten kur pranon ose dëgjon urrejtje”. Kur cenohet imazhi për veten, cenohet edhe vetëbesimi dhe me të edhe identiteti dhe më së shumti nga kjo vuan i riu. “Shëndeti mendor është pjesë e gjithë kësaj dhe të riut që përballet me diçka të tillë i nevojitet mbështetje”, tha Dukoski, duke shtuar se në situata të tilla më e rëndësishme është të reagohet kur të rinjtë nuk e mbështesin vetveten.
Sociologia Nadica Tanevska Janeva thotë se gjuha e urrejtjes ka ndikim negativ tek secili, përfshirë edhe tek popullata e re, veçanërisht kur kjo mënyrë komunikimi është shpesh e pranishme dhe paraqet model të sjelljes. “Arsyet më të shpeshta për gjuhën e urrejtjes gjenden në disa arsye nga keqkuptimet e së kaluarës që mund të jenë në nivel të grupeve të tëra sipas ndonjë karakteristike sociale, si dhe
stereotipave dhe paragjykimeve që çojnë në paragjykime dhe mendime negative për grupe të caktuara të synuara”.
Sociologu thekson se ulja e përhapjes së gjuhës së urrejtjes qëndron në rritjen e vetëdijes së popullatës për pasojat. Vlera dhe busulla morale e popullatës duhet të përmirësohet, të rinjtë duhet të mësohen që në moshë të re për ndjeshmërinë, respektin për diversitetin dhe kulturën e sjelljes, nxitjen e formave pozitive të ndërveprimit gjatë gjithë procesit edukativo-arsimor. “Procesi më i vështirë dhe më i ndërlikuar i ndikimit mbi popullatën është ndryshimi i vetëdijes për çështje të caktuara, por është edhe mënyra më e sigurt dhe më e dobishme për të arritur qëllimet afatgjate, siç është reduktimi i gjuhës së urrejtjes në nivelin më të ulët”, thotë Tanevska Janeva.
Përndryshe, të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se në vitin 2024 janë regjistruar 22 raste, ndërsa në vitin 2023 janë regjistruar 42 vepra penale për “përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”.
Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti për diversitet 2.0 – Agjenda e re.
Autore: Simona Paskoska